“E mundim Bajernin”, Ten Hag kërkon një mrekulli: Asnjë skenar negativ, e dimë që duhet të fitojmë

Dec 12, 2023 | 10:13
SHPËRNDAJE

Erik ten Hag kërkon të fshijë gjithçka nga ajo që po kalon Mançester Junajtidi këtë sezon, përpara ndeshjes së fundit të grupit me Bajernin e Mynihut. Shanset që “djajtë e kuq” të presin biletën në Grupin A pas ndeshjes së gjashtë sonte në “Old Trafford” duken minimale. Fati i anglezëve në një grup me Kopenhagenin dhe Gallatasarajin është në dorën e këtyre dy skuadrave që renditen mbi to në renditje.

ten hag

Por trajneri holandez kërkon përqendrim maksimal për ndeshjen që ai ka në dorë dhe rezultati i tyre ndaj kampionëve të Gjermanisë sot në “Teatrin e Ëndrrave” duhet të jetë thjesht fitore, për të shpresuar më pas te një barazim në duelin tjetër të grupit.

“Unë nuk mendoj kurrë skenarë negativë, ne mendojmë pozitivisht. E dimë se duhet të fitojmë për të qëndruar në Europë. Ne e përgatisim skuadrën me këtë ndjesi dhe këtë besim. Ne mund t’ia dalim. E kemi treguar në javët e fundit që kur jemi në më të mirën tonë ne mund t’ia dalim”, tha trajneri në konferencën për shtyp. Bajerni vjen në Mançester i pamposhtur në 39 ndeshje të grupeve në Champions.

Humbja e tyre e fundit daton në shtator 2017: “Një gjë është e sigurt, ndaj një ekipi si Bajerni ti duhet të luash ndeshjen më të mirë, sepse ata janë një skuadër shumë e mirë me individualitete të mëdha. Nga ana tjetër, Çelsi ka lojtarë të shkëlqyer, por ne i dominuam. Mendoj se mund ta bëjmë edhe ndaj Bajernit. Të gjithë janë gati dhe ne jemi në gjendje që ta bëjmë”.

Në fund ai lëshoi edhe një mesazh për tifozët: “’Old Trafford’ nuk është një vend i bukur për kundërshtarët. Për sa kohë unë jam këtu ne jemi të bashkuar. Ne duhet t’u japim energji tifozëve. Nuk kemi probleme me skuadrën. Ka një dyshim vetëm për Lindelofin, por do të shohim nëse ai do t’ia dalë të jetë”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura