“E pamundur për t’u kontrolluar 140 hektarë tokë”, kanë deklaruar para togave të zeza 3 zyrtarët ushtarakë, që u arrestuan pas zbulimit të parcelës së kanabisit brenda repartit në Zall Herr.
Gjatë seancës së sotme (7 gusht), ata mohuan akuzat dhe deklaruan se kishin lajmëruar eprorët e tyre për territorin e thyer dhe për pamundësinë për ta kontrolluar.
Por pavarësisht se mohuan akuza, Gjykata la në qeli tre ushtarakët, Gramoz Mullai, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë, Rustem Koçi, me detyrë Specialist për Zbulimin dhe Gentian Zhurda, me detyrë Specialist Sigurie, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Si u zbulua droga:
Ishte droni i policisë që kontrollon sipërfaqet e mbjella me kanabis, që identifikoi sipërfaqen e mbjellë në territorin e repartit.
Sipas burimeve të policisë, bimët ishin mbjellë rreth 2 muaj më parë dhe kishin arritur një lartësi mbi 50 cm.
Hetimet e policisë dhe prokurorisë do të zbulojnë personat që i mbollën bimët narkotike dhe përse drejtuesit e repartit nuk e raportuan situatën.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al