Policia e shtetit ka publikuar pamje nga brenda apartamentit në Astir, ku ndodhej 21-vjeçarja që alarmoi dje policinë, duke deklaruar se ishte dhunuar nga disa persona dhe u mbyll në banesën në katin e 8-të duke mos pranuar të hapte derën. U desh ndërhyrja e forcave RENEA që hynë nga tarraca për të nxjerrë vajzën nga banesa e cila më pas u shoqërua në spital.
Siç duket nga video brenda apartamentit janë gjetur armë zjarri, qese me shishe alkooli, pije energjike të konsumuara dhe një mjet identifikimi.
Përmes një njoftimi Policia e Tiranës njoftoi sot se identifikoi dhe shpalli në kërkim 5 persona që dyshohet se kanë mbajtur të mbyllur 21-vjeçaren Sajma Qordja në apartamentin e katit të 8-të në Astir.
“Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore”, informon policia, duke shtuar se vijon puna për kapjen e 5 personave të shpallur në kërkim.
Ndërkohë ishte marrë me qira ditore edhe një apartament përballë, ku shërbimet e policisë gjatë aksionit të djeshëm (9 Janar) gjetën 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shtetasen S. Q. që kërkoi ndihmën e Policisë, ndërkohë që ndodhej në katin e tetë të një pallati në Astir, bëjmë me dije se:
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:
S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore.
Gjithashtu, ishte marrë me qira ditore apartamenti përballë në të cilin shërbimet e Policisë, ditën e djeshme, gjetën gjatë kontrollit, 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit.
Vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al