6 vjet më parë, një djalë vetëm 21 vjeç u vu në pranga në Tiranë pasi rezultonte se kishte nxjerrë në rrugë për të lypur bashkëjetuesen me një foshnjë.
Pas ndalimit dhe marrjes në pyetje të gruas u mësua se foshnja që rrinte nëpër rrugët e Tiranës ishte vetëm 8 muajsh. Ai u arrestua asokohe, por më pas u la i lirë, për të mos iu ndarë shfrytëzimit të femrës, me të cilën jetonte. E ndërsa Policia dhe autoritetet e zbatimit të ligjit nuk mbajnë më përgjegjësi dhe madje as ndonjë databazë për precedentët e personave problematikë, Embrah Nuredini nuk i është ndarë shfrytëzimit, por së fundmi me një qëllim tejet kriminal; ai bënte pazare për shitje fëmijësh.
Pazaret bëheshin hapur e për pasojë u desh infiltrimi i një gazetari për të ndërhyrë dhe për të zbuluar një nga aktet më të rënda kriminale që kanë ndodhur në vendin tonë. E pavarësisht këtij fakti, kjo nuk është hera e parë që Policia ndeshet me raste të tilla, ku persona të ndryshëm në kohë të ndryshme kanë kryer këtë krim të rëndë. Ai tashmë është ndaluar e po nën hetim është edhe bashkëjetuesja e tij, e cila mësohet se është shtatzënë dhe fëmijën sapo ta linte do ia shiste personit ‘të interesuar’ për shifrën e 6 mijë eurove.
ARRESTIMI DHE REAGIMI I POLICISË
Policia e Durrësit ka reaguar menjëherë pas videos së transmetuar mbrëmjen e kaluar gjatë emisionit investigativ duke proceduar penalisht për trafikim të të miturve prindërit e foshnjës. Babai Embrah Nuredini është arrestuar, ndërsa për nënën shtatzënë ka nisur procedimi në gjendje të lirë. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin Embrah Nuredini, 27 vjeç, banues në Durrës, si dhe referuan materialet në prokurori, për Xh. H., 25 vjeçe, për të cilën ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, njoftoi Policia.
Mbrëmjen e së hënës, këta dy shtetas janë shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke biseduar me një person tjetër, i infiltruar nga stafi i këtij emisioni, për të shitur foshnjën që mbante në bark bashkëshortja shtatzënë (Xh. H.), kundrejt shumës 5000 euro. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, mbetur në tentativë, dhe vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti. “Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin E. N., 27 vjeç, banues në Durrës, si dhe referuan materialet në Prokurori, për shtetasen Xh. H., 25 vjeçe, për të cilën ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Mbrëmjen e së hënës, këta dy shtetas janë shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke biseduar me një shtetas tjetër (i infiltruar nga stafi i këtij emisioni), për të shitur foshnjën që mbante në bark bashkëshortja shtatzënë (shtetasja Xh. H.), kundrejt shumës 5000 euro. Policia e Durrësit falënderon mediat që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton që të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të rasteve të paligjshmërive që ata ndeshin gjatë punës së tyre”, njofton Policia.
GUSHT 2017
Sipas të dhënave të bëra me dije 6 vite më parë u tha se Policia ka bërë të mundur arrestimin e një 21-vjeçari pasi nxori në rrugë për të lypur bashkëjetuesen me foshnjën e tij 8 muajshe. “Më datë 28.08.2017, shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.2 kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit: Embrah Nuredini, 21 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi është bërë i mundur, pasi ky shtetas më datë 28.08.2017, rreth orës 11:00 është konstatuar në bulevardin ‘Bajram Curri’ duke lypur së bashku me bashkëjetuesen e tij dhe një foshnjë 8 muajshe. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”, parashikuar nga neni 124/ b i Kodit Penal”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al