Edi Rama, ‘one man show’

May 29, 2024 | 7:30
SHPËRNDAJE

NGA ALADIN STAFA ALADIN STAFA

Nëse është e pritshme që në çdo fushë të jetës të zhvillohemi me kohën teksa ikën shpejt, duket se politika ose të bërit politikë ngjan sikur mbetet në të njëjtën trase prej shekujsh. Sepse raportet lider-popull, ndonëse sistemet politike ndryshojnë, janë po aq të njëjta. Përgjatë shekujve, liderët apo ata që na qeverisin janë parë prej popujve si qenie mbinjerëzore; të dërguar nga perëndia e të paprekshëm në përpjekje të përhershme për t’i dhënë atyre besim absolut mbi çdo vendimmarrje që u është dukur e drejtë. Ja përse popujt në përgjithësi shfaqen lehtësisht të nënshtrueshëm dhe rregullisht spektatorë të një spektakli të tillë si ‘One-man-show’, pikërisht atëherë dhe kur lideri i tyre është i aftë apo ka talent ta demonstrojë këtë cilësi. Ndaj dhe zërat që përpiqen të jenë antagonist me të, nëse aty-këtu do të ketë, mbeten vetëm ca dallgë të lehta në bregun e Adriatikut.

E pyetja që na vjen në mendje është ajo se nëse lider lind apo bëhesh në rrugëtimin tënd? I mjaftueshëm është vetëm talenti apo kërkohet një punë e madhe e një menaxhim i kuruar në çdo detaj? Apo është fati ai që luan rolin kryesor? Po sikur përgjigjja të jetë pak nga të gjitha?!

Liderët e sotëm modernë përtej aftësive të tyre duken të prirur të zhvillojnë dhe një koncept të ri në raport me popullin, është marrëdhënia sentimentale e tyre me masat. Në botën e re të Gjeneratës Z, padyshim rrjetet sociale, platformat si ‘FB’, ‘Instagram’, podcast, ‘Youtube’ apo ‘Spotify’ ushtrojnë dukshëm presionin e tyre duke i detyruar ata shpesh të luftojnë ethshëm tej dëshirës, moshës dhe ambicies tanimë, të jenë prezent në një formë të re, duke hyrë më së shumti edhe përdhunshëm në subkoshiencën e popullit për të qenë “in” ose për t’i dhënë ngjyra apo motiv jetës së tyre plot sfida.

Po cili do duhet të jetë atëherë qëllimi i tyre? Çfarë duan ata të arrijnë? Ëndrrat! T’i bëjnë ata të ëndërrojnë.

Por, a mund të arrihet kjo nën petkun e një politikani të veshur me kravatë “black & white”? E kaluara na mëson se këto portrete tashmë i janë larguar politikës së sotme moderne. Këta prerje burokratësh më së shumti u përkasin sistemeve të vjetra dhe një bote ku lapsi i burokratit ishte më i rëndësishëm se pasionet e tij të fshehura. Sot ne jetojmë në një botë tjetër.

Nëse duam sot të ndërtojmë një lider, ai padyshim nuk duhet të jetë aspak udhëheqësi me kostumin e tij tradicional. Por një tjetër, ai që kërcen, ai që aktron e pse jo edhe ai që qan, duke spikatur në skenën e lojës me personalitetin e tij. Duke na treguar çaste nga jeta e tij, për të na dëshmuar se ai është vetëm njëri nga ne. A është kjo e zakonshme për të gjithë popujt? Për të gjitha vendet? Sigurisht që jo!

Duke pasur parasysh shprehjen siç është vendi, bëhet dhe kuvendi, ne duhet ta pranojmë se në shoqëritë anglo-saksone psh., është e vështirë të lindë një lider i tillë, pasi shoqëritë e pavarura nga sistemi në tërësi nuk i lejojnë liderët e tyre të dalin jashtë kornizës së burokracisë apo teknokracisë, duke minimizuar respektivisht raportin e tyre sentimental me popullin.

Qytetari është ai që zgjedh mes njerëzve që janë të gatshëm të hyjnë në politikë dhe që ndërthurin virtytet dhe aftësi të tilla, pavarësisht se jo gjithmonë ata ia dalin të qëllojnë në shenjë për të na sjellë figura si Kennedy, Berlusconi, Merkel, Zelensky e deri te kryeministri ynë, Edi Rama. Të gjithë këta në rrethana, periudha dhe kultura të ndryshme ia kanë dalë të jenë drejtues të shfaqjeve të tyre personale me ulje-ngritje në karrierë, pikërisht sepse portreti i tyre ka dalë tej kontekstit të partive politike dhe termave pozitë- opozitë.

Dy vizitat e fundit të Ramës me diasporat në Greqi e Itali dëshmuan pikërisht këtë gjë, aftësinë e të qenit lider përtej kufijve gjeografik, lidhjen emocionale nëpërmjet vlerave kombëtare, arritjet të përziera me reminishencën e të shkuarës dhe aurën e një lideri plotësisht të një “show man”-i.

Pavarësisht se me fqinjë të ndryshëm shfaqim sjellje të ndryshme. Performanca të tilla lidershipi bazohen në “dashurinë për njerëzit”. Një lider i tillë nuk del kurrë në pension, ai është gjithmonë i gatshëm të sakrifikojë më gjatë për popullin. Dhe nëse kjo do të ishte ëndrra juaj e ardhshme, bëjini njerëzit të mendojnë se mungesa juaj do të lërë në kohë më shumë gjurmë se prezenca juaj, duke dhënë tej pritshmërive imazhin e një emri të pazëvendësueshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura