“Efekti” Harris

Aug 3, 2024 | 7:55
SHPËRNDAJE

NGA AGRON LOCI AGRON LOCI

Gara e këtij viti për presi dent në SHBA do të mbahet mend për disa elemente të veçanta. Do kujtohet si gara mes dy prej kandidatëve më të vjetër në moshë, si gara ku njëri prej tyre u tërhoq vetëm tre mua përpara ditës së votimit, si gara që për pak u kthye nga një reality show, që shoqëron zakonisht evente të tilla politike në një skenë krimi, si gara ku njëri prej kandidatëve potencialë për tu zgjedhur president është i akuzuar për një dyzinë veprash penale, si gara ku njëri prej kandidatëve i vlerësuar si outsider brenda pak ditëve ka treguar se mund të thyejë establishmentin e vjetër të konsideruar përgjithësisht si “domen i burrave të bardhë”.

Zhvillimet politike të ditëve të fundit në SHBA janë impresionuese. Paraqitja e dobët e Presidentit Biden në debatin mes dy kandidatëve, atentati i dështuar ndaj zotit Trump, këmbëngulja e zotit Biden për të vazhduar garën pavarësisht mosmiratimit të pjesës më të madhe jo vetëm nga demokratët por edhe amerikanët, bënë që diferenca në sondazhe në mesin e korrikut të shkonte deri në 6% në favor të sfidantit republikan duke krijuar përshtypjen se gara për Zyrën Ovale ishte tashmë diçka e vendosur me rikthimin e bujshëm të ish-Presidentit Trump duke i kthyer kështu reston pasardhësit të tij. Prandaj, triumfalizmi dhe euforia ishin shenjat dalluese mes delegatëve dhe drejtuesve republikanë ditën e konventës kombëtare kur ish presidenti Trump u nominua si kandidati i tyre.

Në një situatë gri për demokratët e përçarë dhe me shpresa gjithnjë e më të venitura për rezultatin e garës, pas insistimit të figurave më të spikatura brenda partisë, Presidenti Biden vendos të tërhiqet nga gara dhe të miratojë Kamala Harris, zëvendësen e tij si kandidaturë që pritet të zyrtarizohet në mesin e këtij muaji.

Atëherë kur nuk pritej vetëm brenda pak ditëve ajo ia arriti ta galvanizojë situatën, të kthejë entuziazmin dhe kohezionin në radhët e demokratëve, duke tejkaluar parashikimet madje shumë analistë referuar sondazheve të ditëve të fundit mendojnë se ajo ka shumë mundësi që të zgjidhet presidentja e 47 e SHBA

Sipas CNN, ajo gëzon aktualisht mbështetjen e mbi 95% të anëtarësisë demokrate, duke e kthyer nominimin e saj nga konventa pas pak ditësh në një formalitet, ajo ka arritur të mbledhë mbi 230 milionë dollarë për fushatën brenda një jave, nga ku 66% e donatorëve dhurojnë për herë të parë, ia ka arritur të marrë mbështetjen e rreth 170 mijë vullnetarëve të rinj për në fushatë, madje është kthyer edhe në “mbretëreshën” e aplikacionit “Tik-Tok” me rreth 3 milionë ndjekës, ku videot dhe memet me të janë bërë aq virale saqë po thyejnë rrjetin.

“Efekti Harris” është impresionues, i shpejtë, efektiv gjë që e ka gjetur të papërgatitur kampin republikan që e kish menduar të përfunduar garën qysh në korrik.

Të gjendur përpara kësaj situate të paparashikuar nuk do të vononin edhe reagimet e Zotit Trump dhe zëvendësit të tij. Ish-presidenti e akuzoi fillimisht zonjën Harris se ajo po shkelte ligjin federal për donacionet për partinë, pasi ato nuk ishin dhënë për të, por për Presidentin Biden. Në fakt, akuza ra shumë shpejt teksa fondet në mbështetje të saj filluan të arrijnë vlera të paimagjinueshme duke thyer rekordin e donacioneve të fushatave të mëparshme për president.

Sulmeve politike nuk kish sesi t’i shpëtonte as jeta e saj private duke i kujtuar sesi kish arritur të bënte karrierë politike që nga koha kur kish qenë prokurore e përgjithshme në shtetin e Kalifornisë.

Për më tepër, zoti Trump në çdo tubim e quan si përfaqësuesen e ekstremit të majtë në politikë, si ultraliberale, si bashkëfajtore me Presidentin Biden për situatën e vështirë ekonomike, si njeriun e ngarkuar për të menaxhuar situatën me emigracionin e paligjshëm në kufirin me Meksikën, por që kish dështuar. Madje në disa raste ka kaluar në fyerje dhe denigrim të figurës së saj duke e quajtur “bum” (budallaqe) apo deri në kontingjent të “DEI hire” që nënkupton se ajo gëzon ato pozicione jo për shkak të aftësive, meritës apo intelektit që zotëron por për shkak të politikave federale për të përfshirë në qeverisje dhe u dhënë mundësinë edhe njerëzve me ngjyrë, të paaftëve fizikisht, individëve të gjinisë femërore etj. Ndërkohë që dy ditë më parë zoti Trump, duke ndjerë rritjen e mbështetjes së elektoratit afro-amerikan për zonjën Harris, në një deklaratë të tij vë në dyshim përkatësinë e saj tek komuniteti me ngjyrë duke e quajtur atë “indiane”.

Po në këtë linjë zv. i tij JD Vance do ta quante “kamaleon” që ndryshon qëndrim, përkatësi racore madje edhe dialektore duke ju përshtatur për efekte elektorale çdo grupimi në tubimet e saj. Sipas republikanëve, Harris po kalkulon se cilin identitet të përdorë në tubimet e saj në mënyrë që të sigurojë sa më shumë vota dhe mbështetje politike. Një efekt negativ për republikanët ka pasur edhe një deklaratë e krahut të djathtë të zotit Trump, JD Vance që e quan sfidanten demokrate “mace shterpë” deklaratë e cila ka ngjallur një valë të gjerë reagimesh nga shumë presonalitete me peshë dhe vënë në dyshim brenda vetë republikanëve aftësinë e tij për të qenë krahu i djathtë i zotit Trump. Në kushtet e një dinamike zgjedhore që aktualisht po flet më shumë për demokratët, personalitete të shquara republikane e kanë këshilluar zotin Trump të fokusohet tek aktiviteti i mëparshëm i Zonjës Harris si prokurore dhe zv.presidente si dhe në çështje me rëndësi për votuesit pa kaluar në deklarata apo qëndrime që mund të kompromentonin fushatën. Por ish-Presidenti ka vazhduar me retorikën e tij kontraverse, teksa në një takim me përfaqësuesit e një grupimi të krishterësh të ekstremit të djathtë do t’u kërkonte atyre të “dilnin për ta votuar sepse në rast se do të fitonte nuk do të kishte më nevojë për të dalë në votime pas katër viteve”. Kjo deklaratë ka ngjallur reagime të shumta negative.

Gjithsesi, ai ka vazhduar po në këtë logjikë teksa deklaron se “demokratët po përgatiten “Efekti” Harris AGRON LOCI të manipulojnë rezultatin e votimit në nëntor”.

Në fakt, duke e ndjerë presionin në rritje lidhur me ballafaqimin për çështje që kanë të bëjnë me politikën e brendshme, zoti Trump në shumë raste po përpiqet ta spostojë vëmendjen në çështje të politikës ndërkombëtare. Sipas tij, zonja Harris nuk ka eksperiencën e duhur në këtë fushë dhe “mund të përdoret nga armiqtë e SHBA”. Ai vazhdon të insistojë se në rast rizgjedhje “brenda pak ditëve do t’i japë fund konflikteve të armatosura në Europë dhe në Lindjen e Mesme”. Pavarësisht se nuk deklaron se cilat do të jenë opsionet e tij për zgjidhjen e këtyre konflikteve. Po kështu, në takimin e para pak ditëve me Kryeministrin izraelit Netanjahu, ai nuk do të ngurronte ta quante zonjën Harris si një politikane, e cila “nuk i do hebrenjtë dhe Izraelin”. Prandaj kërkon një mbështetje edhe më të madhe nga komuniteti hebre në SHBA duke ju kujtuar se gjatë presidencës së tij, “ambasada amerikane u vendos në Jeruzalem” dhe nuk do të kish “kuptim një mbështetje e hebrenjve për zonjën Harris”.

Por, në vend që këto akuza të ulnin popullaritetin dhe mbështetjen për zonjën Harris, ato në një pjesë të madhe kanë pasur efekt të kundërt. Përmes një fushate spektakolare, të thjeshtë dhe efikase ajo ia ka dalë mbanë të rrisë numrin e mbështetësve çdo ditë, sidomos ndër moshat e reja, hispanikët, afroamerikanët, gratë, deri tek sindikatat e sipërmarrës. Në krah të saj kanë dalë edhe artistë si Beyoncé, e cila ka lejuar që hiti i saj “Freedom” të përdoret si kolona zanore e fushatës së saj. Po kështu, hapur pro saj kanë dalë dhe aktorë të njohur si George Clooney apo Jennifer Aniston.

Ndërkohë që fushata është ndezur të dhënat e fundit të sondazheve tregojnë se diferenca nga -6% në mesin e korrikut ka shkuar vetëm në -1%. Duke kalkuluar rezultatet pritet që në ditët e ardhshme fokusi i fushatës nga të dyja kampet të përqendrohet te beteja për shtetet e pavendosura (swing states). Ditën e martë në një takim në Atlanta në shtetin e Georgias, zonja Harris mori një mbështetje të jashtëzakonshme në një shtet, që deri para pak ditëve shihte si favorit zotin Trump dhe pas tubimit Georgia mund të konsiderohet si shtet që pritet të votojë demokratët. Aktualisht në 7 prej këtyre shteteve 5 janë për demokratët dhe vetëm 2 janë për republikanët. Dhe ta imagjinosh se vetëm dhjetë ditë më parë pesë prej tyre ishin pro zotit Trump. Ndërkohë që vetëm Karolina e Veriut dhe Pensilvania janë ende për republikanët dhe për këtë arsye aty pritet të zhvillohet edhe beteja e ashpër në ditët në vazhdim. Ndër këto dy shtete sidomos fitorja në Pensilvani mund të jetë ajo që mund të rezultojë vendimtare për rezultatin përfundimtar të garës. Nisur nga rëndësia e fitores së këtij shteti mendohet që zonja Harris është pranë nominimit si zëvendës të saj të martën e ardhshme guvernatorin e shtetit të Pensilvanisë Josh Shapiro.

Një ndër pikat kryesore të fushatës së zonjës Harris është akuza që i bën zotit Trump për afilimin e tij me autorët dhe sugjerimet e tyre për qeverisjen republikane që mbështetet në të ashtuquajturin Projekti 2025. I formuluar në një frymë që bie ndesh me parimet bazë mbi të cilat është ndërtuar dhe funksionon realiteti amerikan, mbi të cilat është formësuar identiteti amerikan, pluralizmi, multietniciteti, toleranca fetare dhe racore, kontrolli dhe balanca mes institucioneve të pavarura, vlerat liberale, rregullat e ekonomisë amerikane të tregut që ofrojnë mundësinë për të gjithë, ish presidenti duke e ndjerë edhe vetë se përqafimi i këtij projekti mund të jetë me kosto për rezultatin e fushatës, kohët e fundit po distancohet me justifikimin se “nuk e njeh” dhe se “ai nuk është deklaruar pro implementimit të tij në rast zgjedhje president”. Por ka fakte që e kompromentojnë këtë qëndrim. Kështu, në një event të mbajtur në muajin shkurt me përfaqësuesit më të lartë të Fondacionit Heritage, që është thinktank konservator që e ka hartuar projektin, ish presidenti i ulur pranë drejtuesit të Fondacionit Kevin Roberts do të deklaronte se “keni bërë një punë të pabesueshme”. Zoti Roberts njihet si një ndër aleatët dhe bashkëpunëtorët e afërt të zotit Trump. Për më tepër parathënia e Projektit është shkruar nga zoti Vance, i përzgjedhuri për zv.president në rast fitore. Për të mos përmendur pastaj se një pjesë e madhe e hartuesve të dokumentit kanë qenë pjesë e rëndësishme e kabinetit dhe administratës së zotit Trump gjatë presidencës së tij madje një pjesë e autorëve janë të pranishëm në fushatën aktuale.

Kjo ka bërë që Zonja Harris në tubimet e saj t’ju bëjë thirrje jo vetëm demokratëve, por të gjithë amerikanëve për rrezikun që i kanoset në rast fitore të republikanëve, fitore që do ta përhapte frikë dhe kaos në vend, prandaj sipas saj, amerikanët duhet të votojnë për të zgjedhur “Lirinë” dhe jo kaosin dhe kthimin pas. Moto e stampuar kudo nga pankartat deri tek T-Shirts dhe që përmendet prej saj në çdo tubim është “we are not going back”. (Ne nuk do të kthehemi pas).

Ndërkohë në tubimin e para dy ditëve në Atlanta, ajo i kërkoi zotit Trump që të kishte guximin të vendoste të përballej me të në një debat televiziv, për t’u ballafaquar me të gjitha akuzat e ngritura ndaj saj për politikat ekonomike, për ato të emigracionit, reformave në sektorin shëndetësor, politikës së jashtme etj. duke e mbyllur me shprehjen e saj të bërë tashmë aq virale “come and say it to my face” (eja dhe m’i thuaj në sy)

Është momentum-i i zonjës Harris. Ajo po thyen të gjitha pritshmëritë dhe nëse vazhdon kështu, me një mbështetje në rritje ajo i ka të gjitha shanset të zgjidhet presidente e SHBA.

E nënvlerësuar nga një elitë që e shihte si outsider, ajo po ia del për të qenë e para presidente femër që ulet në zyrën ovale, e para presidente me ngjyrë, e para presidente me origjinë amerikano-aziatike, e para zëvendëspresidente femër që do të drejtonte vendin më të fuqishëm në botë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura