Efektivi humbi ndjenjat gjatë protestës para Bashkisë së Tiranës, Këlliçi: Institucioni i Policisë, më i keqtrajtuari! Me rrogat që kanë nuk ushqejnë dot familjet

Nov 15, 2024 | 12:04
SHPËRNDAJE

Gjatë protestës së 35-të para Bashkisë së Tiranës, një efektiv policie humbi ndjenjat dhe u transportua në spital nga kolegët e tij.

kellici

Belind Këlliçi, i cili po mbante fjalën gjatë kohës kur ndodhi incidenti, i uroi efektivit shërim të shpejtë, ndërsa shprehu se Policia e Shtetit është institucioni më i keqtrajtuar.

“I uroj shërim të shpejtë për efektivin që humbi ndjenjat! Policia e Shtetit më e keqtrajtuara si institucion. Shkëlqejnë këtu aferat korruptive, me në krye Palrent Ndrecën, që një kapele të policëve e tenderonte 350 euro, ndërkohë me rrogat që kanë nuk ushqejnë dot familjes së tyre. Nuk jemi këtu për të protestuar kundër policisë së shtetit, por për paratë e vjedhura të fëmijëve të tyre”, tha Këlliçi.

Ndër të tjera, duke folur për  Bashkinë e Tiranës, Këlliçi i bëri thirrje SPAK të hetojë punonjësit dhe ish-punonjësit e këtij institucioni.

“Kam një thirrje të drejtpërdrejt për SPAK, hetoni të gjithë punonjësit apo ish-punonjësit, që janë thirrur për të grisur dokumentet e vjetra në këtë protokoll, për të ndryshkuar dokumentet apo  për të firmosur praktika të prapambetura për të justifikuar vjedhjet e Erion Veliajt dhe drejtuesit e tij.

I bëj thirrje punonjësve të thjeshtë të Bashkisë së Tiranës, ruani dinjitetin dhe familjet tuaja. Refuzoni të firmosni praktika të kaluara.

Kjo është protesta e 35, mund të jetë e fundit, por mund të ketë dhe 35 të tjera, sepse jemi të vendosur ta çojmë në burg Erion Veliajn. Jemi të vendosur të shkojmë në fitore”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura