Institutet më të njohura studimore gjermane për ekonominë kanë prezantuar së bashku prognozën koniunkturore. Ata presin një zhvillim ekonomik të dobët në Gjermani. Sipas prognozës së tyre prodhimi i përgjithshëm bruto në këtë vit në vazhdim do të ulet me 0,1%. Në pranverë ata kishin parashikuar një plus me 0,1% dhe kishin konstatuar se”ekonomia në Gjermani është e dobësuar.”
Përmirësim i lehtë pritet në vitin 2025, një plus prej 0,8%, por në pranverë institutet kishin llogaritur një plus me 1,4%. Në bazë të prognozave të deritanishme në vitin 2026 pritet një rritje ekonomike prej 1,3%.
Ndryshimi strukturor dhe konkurrenca nga Kina
Dobësimi koniunkturor në Gjermani zgjat prej kohësh. Në vitin 2023 ekonomia më e madhe europiane u tkurr me 0,3%. “Krahas dobësimit koniunkturor ekonominë gjermane e rëndon edhe transformimi strukturor”, citon portali tagesschau Geraldine Dany-Knedlik, drejtuesja e departamentit “Prognozë dhe Politikë Koniunkturore” në Institutin Gjerman të Ekonomisë, DIW. “Dekarbonizimi, digjitalizimi, ndryshimi demografik dhe po ashtu konkurrenca më e fortë me kompani në Kina kanë vënë në lëvizje procese rregullatore strukturore që i ulin perspektivat e rritjes të ekonomisë gjermane.”
Prognoza e përbashkët ekonomike është përgatitur nga DIW, Instituti Ifo, Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore, Instituti Leibniz për Kërkime Ekonomike, Halle dhe RWI – Instituti Leibniz për Kërkime Ekonomike Essen. Ajo i shërben qeverisë federale si orientim për parashikimet e saj në tetor, të cilat merren si bazë për vlerësimin e të ardhurave të taksave./DW