“Ekonomia, rritje 4% në 6-mujorin e dytë të 2024”- FMN vlerëson Bankën e Shqipërisë, Guvernatori Sejko: Janë ulur kreditë me probleme

Nov 14, 2024 | 18:42
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Anke Weber, shefe e Misionit për Shqipërinë. Qëllimi i vizitës së Misionit në Shqipëri është mbajtja e bisedimeve me autoritetet shqiptare në kuadër të Artikullit IV.

sejko

Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, diskutimet u fokusuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe perspektivën e tyre për të ardhmen; politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë me synim garantimin e stabilitetit të çmimeve; si dhe masat e marra për ruajtjen dhe forcimin e shëndetit të sektorit bankar dhe stabilitetit financiar të vendit.

Fillimisht, Guvernatori Sejko i njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet më të fundit në ekonominë vendase, ku theksoi se treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të saj, janë në një trend pozitiv zhvillimi. Referuar të dhënave më të fundit nga INSTAT-i, ekonomia shqiptare ka pasur një rritje prej 4% gjatë gjysmës së dytë të vitit. Kjo rritje i atribuohet kryesisht bilanceve të shëndosha financiare të bizneseve dhe familjeve, ambientit stimulues financiar, si dhe rritjes së të ardhurave.

Gjithashtu, Guvernatori theksoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetarë e financiarë të vendit, ku normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare ka bërë të mundur reduktimin e presioneve inflacioniste.

Duke u ndalur në ecurinë e sektorit bankar, Guvernatori u shpreh se kredia për sektorin privat ka vijuar të shënojë ritme pozitive rritjeje, gjatë tremujorit të tretë të vitit, dhe rritja vjetore e saj ishte në nivelin 16.8%, ku kryeson kreditimi në monedhën vendase. Një tregues i rëndësishëm i shëndetit të sektorit bankar është dhe ulja e nivelit të kredive me probleme, në 4.58%, në muajin shtator.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko vuri theksin dhe në sfidat me të cilat përballet ekonomia vendase. Në këtë kuadër, ai nënvizoi rëndësinë e ndjekjes së politikave të kujdesshme e të koordinuara monetare, fiskale e financiare.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar shprehën vlerësimin për politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe për kontributin e rëndësishëm të saj në stabilitetin monetar e financiar. Gjithashtu, ata nënvizuan edhe rolin pozitiv që ka pasur regjimi i lirë i kursit të këmbimit në amortizimin e goditjeve dhe theksuan nevojën e vijimit të tij në të ardhmen.

Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan pozitivisht punën e vazhdueshme mbikëqyrëse e rregullatore të Bankës së Shqipërisë, si dhe ndikimin e saj në treguesit pozitivë të sektorit bankar./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura