EKSKLUZIVE / Dean Liço në Turqi, zbulohet shifra e majme që përfiton Skënderbeu nga shitja e kapitenit

Jul 27, 2024 | 11:05
SHPËRNDAJE

Skënderbeu godet sërish në merkato dhe këtë herë bëhet fjalë për një tjetër largim të bujshëm. Dean Liço është lojtari i radhës që transferohet në Turqi, tek ekipi i Igdir në ligën e parë, duke sjellë financa të konsiderueshme në kampin bardhekuq. Prej dy ditësh kapiteni i Skënderbeut nuk ka qenë i pranishëm në seancat stërvitore të Skënderbeut, çka linte dyshime për mungesën e tij.

lico

Gazeta ka mësuar dje se mungesa e fantazistit korçar lidhej pikërisht me transferimin e tij nga Skënderbeu tek ekipi turk. Burime të sigurta pranë klubit të kuq bëjnë me dije se gjithçka ka përfunduar dhe Dean Liço do të jetë futbollist i ri i kampionatit turk në ligën e parë, tek Igdir që pretendon ër t’u ngjitur në Superligë.

Në klubin korçar dukej se gjithçka ishte hermetike dhe nuk pranonin të jepnin konfirmimin rreth mungesës së Liços në stërvitje, aq më pak klubin në të cilin do të transferohet lojtari. Por, burime të sigurta të gazetës kanë pohuar se mungesa e kapitenit korçar, i cili nuk ka qenë pjesë e ekipit as në miqësoren e fundit kundër Vorës, lidhej me transferimin e tij në një kampionat të huaj.

Më e sigurt çështja bëhet edhe për faktin se vetë drejtori i klubit, Ardi Gjançi, para disa ditësh ka qenë në bisedime me klube të ndryshme turke, pikërisht për këtë transferim. “Panorama Sport” mëson se shumë shpejt do të prezantohet edhe zyrtarisht ky transferim, teksa nga kjo marrëveshje Skënderbeu mban 15% të kartonit të Dean Liços. Shuma e përfitimit të klubit nga shitja e futbollistit në fjalë, duke ndjekur logjikën e transferimeve të mëparshme, pritet të jetë më shumë sesa 250 mijë euro. Në të tilla kushte klubi korçar forcon financat për sezonin e ri, duke siguruar kështu të ardhura dhe mbi të gjitha perspektivën e një transferimi në nivel më të lartë të fantazistit korçar, i cili ka shumë për të treguar nga aftësitë e tij.

AFRIMET – Me largimin e sigurt të kapitenit Dean Liço, Skënderbeu duket i detyruar për t’u rikthyer në merkato. Burimet bëjnë me dije për gazetën se trajneri Ivan Gvozdenoviç kërkon si përforcim të radhës një lojtar me eksperiencë dhe mbi të gjitha cilësor për repartin e sulmit.

Në të tilla kushte pritet që korçarët të afrojnë një sulmues për të kompletuar repartin e avancuar të ekipit, që në dy miqësoret e fundit nuk ka treguar cilësitë e duhura dhe nuk ka përmbushur pritshmëritë e trajnerit. Gjithsesi mbetet gjithçka për t’u parë, sepse merkatoja është e hapur edhe për një muaj dhe klubi i Skënderbeut mbetet ende aktiv në këtë hapësirë transferimesh, si në dalje, ashtu edhe në hyrje.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura