EKSKLUZIVE/ Dëmtohet fusha për shkak të koncerteve, Tirana dhe Partizani larg “Air Albania”-s

Jul 5, 2024 | 10:11
SHPËRNDAJE

Vijojnë problemet me fushën e stadiumit “Air Albania”, që është shndërruar në pikën më të dobët të impiantit më të madh në vend. Tirana dhe Partizani kishin planifikuar të luanin aty ndeshjet e turit të parë të Ligës së Konferencës, por kjo nuk do të ndodhë.

Air Albania

“Panorama Sport” mëson se pas vëzhgimit të ekspertëve të certifikimit të UEFA-s, fusha e arenës sonë kombëtare nuk është kualifikuar as për të luajtur ndeshje të turit të parë të Ligës së Konferencës. Deri në muajin maj duhet thënë se fusha e “Air Albania”-s ka qenë në kushte optimale dhe e gatshme për të pritur çdo lloj ndeshjeje të mundshme brenda dhe jashtë vendit. Situata ka ndryshuar në harkun e vetëm një muaji, kur në fakt nuk është luajtur futboll, çka përbën edhe absurdin.

AMORTIZIMI – Gjatë kohës që vendi ynë ka qenë në pauzë sa i përket futbollit, në stadiumin kryesor të Shqipërisë janë organizuar dy koncerte të mëdha, që janë edhe shkaku i amortizimit të madh të fushës. Gjatë këtyre koncerteve mbi fushë vendoset skena dhe gjatë zhvillimit të shfaqjes muzikore mbi bar qëndrojnë mijëra persona. Për afro një muaj fusha ka qenë e mbuluar thuajse tërësisht dhe nuk ka qenë mundësia e rrezeve të diellit dhe kujdesit për të. Nëse federata ka marrë qiranë e majme në këmbim, klubet tona tashmë duhet të luajnë larg qytetit të tyre dhe të vënë në rrezik edhe suksesin në Europë.

ZGJIDHJA – Partizani pritet ta luajë në Elbasan ndeshjen e 11 korrikut kundër Marsaslok. Problemi më i madh lind për Tiranën, që pret Torpedon më 18 korrik, teksa një ditë më parë në Elbasan luan Egnatia. Kjo i shtyn bardheblutë të mendojnë për një stadium tjetër, ku opsione mund të jenë Durrësi dhe Laçi.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura