RUBENS SHIMA/ “Në agimin e datës 8 gusht 1991, anija shqiptare ‘Vlora’, e nisur nga Durrësi një mbrëmje më parë, mbërriti në portin e Brindizit.
Në bordin e saj, të ngjeshur në mënyrë të pabesueshme, gjendeshin më shumë se njëzet mijë shqiptarë që po iknin nga një regjim i egër në ditët e veta të fundit. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, pasues i tij ishte bërë Ramiz Alia”. Kështu e rrëfen fotoreporteri i gazetës italiane “Avvenire”, Giovanni Ruggiero, zbarkimin e refugjatëve shqiptarë në vitin 1991. Ato ditë ndoqi kalvarin e këtyre njerëzve, duke provuar ndjesi të forta profesionale dhe njerëzore.
Për herë të parë koleksioni i fotografive të realizuara prej tij zbulohet përmes “Fototeka.al”, duke na rikthyer pas në kohë dhe duke reflektuar për këtë ngjarje, që do të trondiste Shqipërinë e lodhur nga vitet e gjata të diktaturës. Në një intervistë për “Panorama”, Ruggiero tregon njohjen e tij me Shqipërinë jo vetëm përmes eksodit, por edhe në vizitat që pasuan gjatë fillimeve të demokracisë, deri sot.
Ju jeni mik i vjetër i Shqipërisë dhe si gazetar keni ndjekur me kujdes këtë vend në tranzicionin e tij të trazuar pas rënies mjerane të regjimit komunist. Si lindi kjo lidhje e veçantë?
Kur isha fëmijë koleksionoja pulla postare. Kisha dy nga Shqipëria, disi të vjetra, 2 dhe 50 qindarka, dhe ato paraqisnin, me vizatim të thjeshtë, kalanë e Gjirokastrës dhe kështjellën e Rozafës në Shkodër, legjendën e trishtë të së cilës do ta mësoja më vonë. Përpiqesha të mësoja sa më shumë për vendet e pullave që zotëroja, por për Shqipërinë nuk gjeja dot asgjë. Babai më fliste për të. I ri kishte qenë ushtar në luftën e frontit greko-shqiptare.
Por, kujtimet e tij ishin të vagullta. Më vonë mësova se shqiptarët i kishin ndihmuar ushtarët tanë pas kapitullimit të Italisë. I thërrisnin “Pepino”. Por im atë u zu rob nga gjermanët dhe u dërgua në Dakau. Shqipëria mbeti kështu një mister, por kureshtja për të nuk më ndahej. Më pas ky mister m’u zbulua në mënyrë dramatike, me zbarkimin e “Vlorës” në Bari…
Arkivi digjital “Fototeka” ka privilegjin të botojë serinë e këtij zbarkimi të gushtit 1991. Çfarë ndjesish kishit ju si korrespondent i posaçëm i gazetës “Avvenire” kur u përballët me ata njëzet mijë të dëshpëruar?
Mëngjesin e 8 gushtit 1991, kur u nisa nga Roma me ngut për në Bari ku ishte ankoruar “Vlora”, u emocionova. Para syve kisha një copëz të dëshpëruar të Shqipërisë: të vogël, pikërisht si një pullë poste. I pashë ata të rinj të lodhur, të dërrmuar, të etur, të rraskapitur, të detyruar të rrinin nën një diell përvëlues. Në ditët e para u përdorën mbi ta edhe shkopinjtë e gomës. Ishte e tmerrshme. Priremi të besojmë se gazetari është cinik. Nuk është gjithmonë kështu. Isha i tronditur. Ato ditë qenë mjaft të dhimbshme për mua. Faktet që tregon, në një farë mënyre, mbeten brenda teje. I kalova ato ditë duke vrarë mendjen se nga çfarë ferri kërkonin të shpëtonin që largoheshin kështu.
Ndjeva të njëjtën dhimbje vitin pasues, kur ndoqa në Palermo vrasjet e gjyqtarëve Falcone dhe Borsellino. Fletoret e mia të asaj dite mezi lexohen nga njollat e lotëve që nuk i mbaja dot. Më pas tragjedia u përsërit të Premten e Madhe të 1997-s, kur “Katër i Radës” u fundos në det përballë Brindisit për shkak të një përplasjeje. Unë isha atje dhe kur intervistova Aleksandrin, një nga refugjatët që kishte humbur gruan e re dhe foshnjën gjashtëmuajshe Kristi, ai mbështeti kokën mbi supin tim dhe qau. Ndoshta i kujtoja babain e tij, që në Vlorë ende nuk e dinte nëse ishin ende gjallë.
Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, Italia priti dhe integroi qindra mijëra shqiptarë, por me fatkeqët e “Vlorës” u gjend e papërgatitur dhe e frikësuar. Si e gjykoni pas kaq vitesh sjelljen e shoqërisë dhe të politikës ndaj atyre refugjatëve?
Italia pati një frikë të pamotivuar që ushqehej nga qeveria jonë, për të pasur një justifikim për dëbimin e tyre. Ata u përpoqën t’i paraqisnin refugjatët si njerëz të rrezikshëm, madje edhe si “të pagdhendur”, të gatshëm për çdo ligësi. Po, është e vërtetë, u gjetën ca kallashnikovë, por ato u përkisnin policëve shqiptarë, të cilët në Durrës, në vend që të ndalonin të arratisurit, u bashkuan me ta. “Avvenire”, me artikujt e mi, nuk e përkrahu tezën e qeverisë.
Italia nuk tregoi kurrfarë humanizmi. Ishte një bllokadë e vërtetë detare. “Caritas” dhe organizata të tjera ndërkombëtare u ngritën kundër. Presidenti i Republikës, Francesco Cossiga, kërkoi dorëheqjen e kryebashkiakut të Barit, sikur çështja varej vetëm prej tij. Vendi im nuk dinte çfarë të bënte, madje qeveria u përpoq t’i “blinte”, duke i bindur refugjatët me 50 mijë lireta, një bluzë apo pantallona të shkurtra të ktheheshin në vendlindje.
Ishte dëshpëruese dhe e turpshme. Shkrova që ëndrra shqiptare filloi me mbathje dhe përfundoi me pantallona të shkurtra Bermude me lule. Ndërsa shoqëria u hapi dyert këtyre fatkeqëve. Ata që arritën të arratiseshin nga stadiumi komunal, gjetën mikpritje dhe më pas edhe punë.
Dhe kështu nisi kjo vëmendje ndaj Shqipërisë…?
Vëmendje e cila më pas u kthye në dashuri. Në dhjetor të po atij viti pata rastin të vizitoja më në fund Shqipërinë, që vetëm e kisha imagjinuar. Agjencitë raportuan për familje italoshqiptare, që ishin penguar për dyzet vjet rresht nga regjimi i Hoxhës të kontaktonin me të afërmit e tyre italianë. Mbërrita në Tiranë i etur për të kuptuar. Fillova të mblidhja dëshmitë e para mbi vendin tuaj, që nuk kishte gjetur kurrë paqe që nga pavarësia më 1912. Druaja t’i tregoja se nuk do të më besonin: këto histori ishin kaq të pabesueshme! U shpallën zgjedhjet e marsit 1992. Telefonova redaksinë dhe u thashë se kisha takuar njerëz të jashtëzakonshëm, se duhej të ndiqnim Shqipërinë dhe se ato zgjedhje ishin të rëndësishme edhe për ne. Meqenëse dija pak për Shqipërinë, për ta kuptuar, vendosa të dëgjoj ata që në një farë mënyre janë zëri i një vendi: poetët, shkrimtarët, artistët, priftërinjtë, historianët…
Më kanë ngelur në kujtesë Agim Isaku, Frederik Reshpja, vëllezërit jezuitë Zef dhe Gjergj Simoni, françeskani Zef Pllumi, Dritëro Agolli, Visar Zhiti, Besnik Mustafaj, Bashkim Hoxha e shumë të tjerë. Doja t’u thosha italianëve: Kjo është Shqipëria, pas një lëngate të gjatë.
Pra, u kthyet sërish në Shqipëri?
Për të ndjekur zgjedhjet e rëndësishme që shënuan fitoren e Sali Berishës dhe më pas shumë herë të tjera. I kam ndjekur si gazetar të gjitha ngjarjet shqiptare deri në vitin 2012 dhe, falë Zotit, erdhi edhe dita kur mund të flisja për rimëkëmbjen dhe rilindjen në të gjitha fushat. Kam bredhur lart e poshtë në të gjithë Shqipërinë dhe e kam fotografuar shumë herë. Në vitet e para vija re se të gjithë njerëzit jo vetëm shikonin drejt e në kamerë, por ishin mëse të lumtur që fotografoheshin.
Sikur donin të më thoshin: “Tregoji botës se çfarë kemi hequr!” Pastaj, vite më vonë, një zonjë më qortoi sepse doja të fotografoja një të moshuar që shiste diçka në rrugë. Më tha: “Do t’i tregosh dynjasë se jemi të varfër?”. Mohova me kokë dhe i buzëqesha. Dhe mendova se çfarë hapash përpara kishte bërë Shqipëria. Ç’fytyrë të fisme kishte e moshuara!
Madje, keni regjistruar dhe 1997-n, vitin e tmerrshëm të Shqipërisë. Si ishte të shkrepje foto nën breshëritë e kallashnikovëve?
Një herë u gjenda në mes të të shtënave. U futa nën një kamion. Nuk i thashë gjë gazetës. Mund të më urdhëronin të kthehesha. Edhe në vitin 1998, me revoltat në Shkodër, ishte e rrezikshme. Një herë më ndoqën edhe teksa kthehesha për në Tiranë. Fatmirësisht i riu shqiptar që ishte shoferi im u tregua më i shpejtë. Herë pas here qëllonin në qiell, siç bënte Zani Çaushi para kamerave televizive.
E keni vizituar shpesh Shqipërinë, tanimë edhe për ekspozita fotografike. Si e vlerësoni evolucionin e saj gjatë këtyre viteve?
Një mik shqiptar më pyeti të njëjtën gjë vite më parë. Kisha kohë që mungoja, donte të dinte si më dukej Shqipëria. Thashë se ishte më bukur, por jo për shkak të aeroportit të ri, apo rrugëve më të mira, ushqimit, hoteleve apo detit… “Po atëherë pse është më bukur?”, këmbënguli ai. Unë iu përgjigja: “Sepse jeni më të bukur ju shqiptarët!”. Në vitin 1992 shoqërinë shqiptare e gjeta gri, sepse shpirtrat ishin të fashitur. Ndërsa atë ditë gjendeshim në një restorant të këndshëm në gjelbërimin e Dajtit. I tregova shokut tim një tavolinë me çifte të reja: “A i sheh ata të rinjtë? Mund fare mirë të ishin në Romë, Londër ose Paris. Nuk kanë frikë. E kaluara është larg! Në atë tryezë është e ardhmja juaj”!
Çfarë ju shtyu të bëheni gazetar?
Pasioni nisi në shkollën e mesme. Më pëlqente ideja e të qenit ndërmjetës midis një ngjarjeje dhe njerëzve që nuk janë të pranishëm në atë ngjarje. Më duket fisnike (nëse bëhet me ndershmëri) t’i rrëfesh dikujt çfarë ka ndodhur. Më pas u diplomova për Drejtësi dhe, si i rritur, për Histori. Teza ime e diplomës mbi Historinë e Evropës Lindore ishte (çfarë rastësie!) “Shqipëria 1990/ 2000 – Si lind një demokraci”. Kur filloi lidhja juaj e dashurisë me fotografinë? Që fëmijë. Edhe në fshatin tim të lindjes mbërrinin fotografë shëtitës. Më bënin shpesh fotografi dhe më dukej magjike kur e shihja veten në një copë letër. Derisa zbulova kur u rrita, si të bëja të njëjtën gjë në dhomën e errët. U bëra magjistar dhe vetë.
Si u ndjetë në epokën digjitale?
Ishte evolucion natyrshëm i fotografisë dhe e pranova me dëshirë. Por unë kurrë nuk i kam lënë mënjanë makinat analoge. Sidoqoftë, digjitali mund të modifikojë dhe shtrembërojë domethënien e mirëfilltë të fotografisë. Çdo imazh, i bukur apo i shëmtuar qoftë, para së gjithash nënkupton se fotografi dhe subjekti ishin aty në atë vend në të njëjtën kohë. Është ai uniteti i kohës, veprimit dhe vendit që njihet që nga filozofët grekë. Me digjitalin (të rënduar nga inteligjenca artificiale) nuk është më kështu. Madje, me ritmin e Roland Barthes, mund të fotografohet diçka që nuk është dhe nuk ka qenë kurrë atje.
Cilat janë subjektet që ju stimulojnë më shumë?
Për shumë vite kam fotografuar manekinë. Më duken enigmatikë. Sikur duan të imitojnë njerëzit. Janë ca të frikshëm. Në përgjithësi fotografoj njerëz. Kur fotografoj njerëz, qoftë edhe në rrugë, dua që ata të shikojnë kamerën. Më pëlqen të jenë të vetëdijshëm se po kthehen në imazh.
Çfarë këshille do t’i jepnit një fotografi të ri shqiptar?
Do t’i thosha: Pa mohuar kulturën nga vjen, fokuso botën tënde dhe trego çfarë mund të bëhet Shqipëria. Shënjo një rrugë shqiptare. Madje, rimerr këtë rrugën e nisur me Marubët dhe që më pas u ndërpre. Fotografia rilind me ty.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al