Ekskluzive/ “Kadare, një legjendë”- Ambasadori Milan Jazbec: Ja kur dëgjova për herë të parë për shqiptarët! Politika hyri në jetën time me vrasjen e Kenedit dhe…

Sep 3, 2024 | 9:52
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Në botën e krijimtarisë hyri shpejt, në atë të politikës kohë më pas, gazetarinë e ushtroi për vite me radhë e kur u maturua, nisi edhe diplomacinë.

Milan Jazbec

Milan Jazbec secilës ka ditur t’i japë kohën e duhur, sepse letërsia nxit e shkrimtari fikson, gjallëron personazhet e një kohe deri edhe i përjetëson. Ndaj Jazbec qëndron me orë të gjata në tavolinë. Ai shkruan çdo ditë. Edhe atëherë kur filloi të shkruajë letërsi, edhe vite më vonë si gazetar e diplomat, edhe tani që po shkon drejt mbylljes së karrierës diplomatike. Milan Jazbec tregon ekskluzivisht për gazeta “Panorama” si i zhvilloi përgjatë jetës së tij secilën prej tyre.

Ai thotë se Shqipëria është një vend i mirë për të shkruar. I ngarkuari me punë në ambasadën sllovene tregon se vetëm gjatë muajit gusht në Tiranë, përveç raporteve zyrtare diplomatike, shkroi tri tregime të shkurtra dhe më shumë se njëzet poezi. Milan Jazbec është autor i mbi 80 librave. Është botuar në 17 gjuhë të botës, përfshi edhe në shqip. Shkrimtari slloven mban mend kohën e largët kur dëgjoi për herë të parë për shqiptarët, të cilët i konsideron miq të jashtëzakonshëm. Ismail Kadarenë e quan një gjigant të letrave kurse Lasgushin e përmend si një poet të butë dhe të ndjeshëm. Të gjitha rastet që shënjuan jetën artistike, politike dhe diplomatike, prof. dr., ambasadori Milan Jazbec i rrëfen përgjatë kësaj interviste…

Letërsia nxit ndërsa shkrimtari fikson, gjallëron personazhet e një kohe deri edhe i përjetëson. Për kë shkruan Milan Jazbec…?

Arsyeja kryesore është të shpreh ndjenjat, pikëpamjet, reflektimet e mia për botën që më rrethon, të ofroj kuptimin tim, vizionin dhe vlerat që më formojnë. Mundohem ta bëj këtë në një mënyrë të gjerë, shprehëse, por edhe medituese që më pasqyron mua dhe jetën time, kozmosin tim. Përpiqem të pasuroj gjuhën sllovene, por përmes përkthimeve dhe një audience më të gjerë.

Letërsia është një art që përdor fjalën si mjet dhe shkrimtari punon me këtë instrument për ta sjellë atë në një nivel profesional dhe artistik. Ju përse e përdorni fjalën e shkruar?

Unë e përdor fjalën e shkruar si mjetin më të rëndësishëm në jetën e një homo sapiens-i. Fjalët janë gjithçka kemi; ky është aspekti kryesor i komunikimit njerëzor. Kur telepatia të përhapet universalisht, ne do ta bëjmë atë me mendime, por komunikimi gjithashtu përbëhet nga fjalë. Diplomatët në veçanti përdorin fjalë për të kryer misionin e tyre kryesor – për të komunikuar, për të ndërmjetësuar, për të vendosur palët në kontakt. Në letërsi dhe poezi, mbi të gjitha, fjalët janë një dhuratë magjike për të ndarë idetë, ndjenjat, emocionet dhe misionin njerëzor. Këtë e prek në romanin tim mbi diplomacinë “Ylberi përtej shpirtit”. Me fjalë prekim, kujdesemi dhe përkëdhelemi, ndiejmë, duam dhe qajmë, i pëshpëritim në vesh të dashurit. Gëzim qiellor! Fjalët mbajnë urtësi universale dhe na bëjnë të ndihemi të sigurt dhe të fortë. Unë madje mund ta përshtatja Dekartin duke thënë: “Unë përdor fjalë, prandaj jam”. Kohët e fundit, mbi të gjitha me shkrimin e poezisë, përdor shprehje lirike dashurie. Këtë unë e kuptoj si themel të jetës sonë. Mund të tingëllojë lehtësisht naive, por kjo është forca më e madhe e fjalëve. Dhe për sa i përket një naiviteti të mundshëm, jeta jonë mund të jetë gjëja më naive nga të gjitha – të gjithë do të vdesim një ditë, por nuk dorëzohemi, vazhdojmë të mendojmë, krijojmë, të bëjmë mrekulli.

Cila është “barra e penës suaj”?

Vështirë s’e kam ndonjë. Shkruaj fjalë për të shprehur magjepsjen për jetën, forcën e dashurisë dhe besimit te qeniet njerëzore dhe te fati ynë. Unë nuk ofendoj, por lavdëroj. Unë nuk gjykoj, por ofroj. Unë dëgjoj tingujt e universit, adhuroj rrahjen e zemrës për të dashurit dhe admiroj butësinë. Kjo shkon përtej çdo barre. Libra, Libra, Libra.

Ju keni botuar mbi 80 libra dhe jeni përkthyer në 17 gjuhë, si keni hyrë në botën e krijimtarisë, cila është gjeneza e shkrimit, frymëzimi i parë, konceptimi i parë…?

Në fakt, unë kam lindur në botën e librave. Ky ishte një takim magjik, një përqafim magjepsës, mund të them tani. Me të vërtetë, kjo botë më përqafoi që nga frymëmarrja ime e parë. Sikur ishte aty duke më pritur të shfaqesha, sikur kjo do të ishte e vetmja arsye që unë të materializohesha në këtë botë. Në thelb, jeta ime ka qenë përherë një jetë e mbushur libra, ata e prodhojnë jetën time. Nëse e them drejtpërdrejt në shqip, “Unë kam një libër edhe jam një libër po ashtu”. Gjyshi im, Albin Jazbec, jetoi tetë vite në Shtetet e Bashkuara më shumë se një shekull më parë si punëtor krahu në pyjet e Illinois-it. Me t’u kthyer në shtëpi, ai u punësua si mirëmbajtës në linjat hekurudhore, përsëri si punëtor krahu. Ai ishte një fshatar i thjeshtë, por i mençur. Sot do të thosha “një njeri i botës”. Por, ajo që është më e rëndësishme: Ai ishte i vetmi person, nga një vend me distancë shumë të largët, i abonuar në gazetat e përditshme dhe në një serie librash nga shtëpia botuese “Prešernova družba”.

Pra, kudo përreth kishte libra, botën magjike të fjalëve. Ende pyes veten se çfarë e frymëzoi gjyshin tim të lexonte dhe t’i dëshironte librat. I jam përjetësisht mirënjohës atij, që më çeli rrugën drejt këtij universi të pafund. Nuk është çudi që librin tim të parë të thjeshtë ta kem bërë kur isha pesë vjeç. Unë isha në gjendje të lexoja që atëherë. Nuk ka pasur asnjë libër në bibliotekën e shkollës sime fillore që nuk e kisha lexuar. Si rezultat, në kokën time më shfaqej një parajsë e madhe e njohurive gjithnjë e më të zgjeruara dhe ndonjëherë, siç më kanë thënë: “Unë i mësoja mësuesit e shkollës sime fillore, jo ata mua”. Veçanërisht më pëlqente të lexoja përralla. Dekada më vonë, isha i lumtur kur mësova se Ajnshtajni rekomandonte leximin e përrallave për të zhvilluar inteligjencën.

Keni jetuar në dy kohë krejtësisht të ndryshme pasi jetuat dhe krijuat në një regjim shtypës si komunizmi, e më vonë në demokraci. Si ju kanë ndikuar këto periudha krejtësisht të ndryshme?

Politika hyri në jetën time me vrasjen e Kenedit dhe Martin Luther King. Ajo arriti kulmin kur në vjeshtën e vitit 1983 u dërgova për herë të dytë të kryeja shërbimin ushtarak, të dy herët në qytetin maqedonas të Shtipit. Për herë të parë në vitin 1981 ishte shërbimi i detyrueshëm sipas rregullave dhe për herë të dytë për shkak të Fletores Zyrtare të Fshehtë Ushtarake. Arrita ta zgjidha problemin aty për aty dhe mësova se politika, cilido qoftë sistemi, bazohet në marrëdhënie personale, mbi të gjitha në ato të ushqyera nga hakmarrja dhe keqtrajtimi.

Cili është libri më i lexuar (bestseller) që keni shkruar?

Epo, vështirë se do të thosha se kam shkruar një bestseller deri tani. Kush e di, ndoshta një ditë ndonjë libër nga ata që kam shkruar do të dilte si bestseller! Por gjithsesi, romani i përmendur më lart “Ylberi përtej shpirtit” është pjesa e parë e një trilogjie mbi diplomacinë me titullin “Zonja në të bardha” (pjesa e dytë tashmë është botuar, ndonëse e papërkthyer në shqip dhe vetëm tani po përfundoj pjesën e tretë) është përkthyer në tetë gjuhë: shqip (tri botime), arabe, turqisht, maqedonisht, anglisht, rome, spanjisht dhe malazeze). Ka qenë libri im më i suksesshëm.

Një libër tjetër, “Martin Krpan – Diplomat dhe Ushtarak” ka tërhequr shumë vëmendje. Unë diskutoj rreth figurës së heroit kombëtar slloven Martin Krpan (libri origjinal u botua në vitin 1858) si diplomat dhe luftëtar. Të diskutosh rreth një heroi kombëtar sikur ky të ishte një diplomat i mundshëm është shumë unike. Libri është përkthyer në maqedonisht, shqip dhe rusisht. Duke qenë se libri im përmban edhe tregimin origjinal, kjo do të thotë se përkthimi në gjuhën shqipe i këtij libri është njëkohësisht edhe përkthimi i parë i tregimit origjinal në shqip. Jam shumë krenar për këtë arritje. “Martin Krpan – Diplomat dhe Ushtarak” u botua në vitin 2009 në 5000 kopje, çka përbën një rekord. Vetëm librat e kuzhinës botohen në Slloveni me një tirazh kaq të lartë.

A është Shqipëria një vend i mirë për të shkruar…?

Në të vërtetë po. Gjatë muajit gusht, që sapo mbyllëm, përveç raporteve zyrtare diplomatike, shkrova tri tregime të shkurtër dhe më shumë se njëzet poezi.

Kur keni dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë dhe shqiptarët? Çfarë raporti keni me ta?

Në shkollën fillore në lëndën e gjeografisë. Në vitet e mia studentore kam qenë shok dhome për tri vite me një shqiptar nga Kosova, një miqësi e jashtëzakonshme. Gjatë luftës së vitit 1999, ai u largua me familjen në SHBA. Një mik tjetër jeton ende në Slloveni dhe flasim me njëri-tjetrin herë pas here. Për t’i respektuar ata, fillova të mësoj gjuhën shqipe disa vite më parë.

Çfarë dini për shkrimtarin tonë Ismail Kadare? Jeni takuar ndonjëherë me të…?

Unë e shoh Kadarenë si një legjendë. Romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, më la mbresa të thella kur e lexova, afërsisht dyzet vite më parë. Më bëri përshtypje stili, ideja kryesore dhe aftësia për të përshkruar vendin, protagonistët dhe veprimin, që në thelb është një mosveprim intensiv, por me kaq shumë mesazhe. Është një kryevepër e psikologjisë, që hyn në detajet e një shpirti njerëzor dhe vetë ekzistencës së tij. Fatkeqësisht, nuk kam pasur rastin ta takoj. Kur erdha në Tiranë në fund të korrikut të këtij viti, ishte tashmë tepër vonë… Por mendoj se me shkrimtarët e mëdhenj bisedohet kur lexoni romanet e tyre. Ju futeni thellë në mesazhe, e bluani këtë me mendjen tuaj dhe mund të krijoni lehtësisht një përshtypje sikur keni bërë një bisedë me autorin. Kjo ndodh sepse librat janë magji dhe krijojnë magji në të njëjtën kohë. Librat janë të përjetshëm.

Sikur ta kishit mundësinë që ta takonit, çfarë do të thoshit?

Sikur të kisha mundësi të flisja me të, do ta pyesja se çfarë mendon kur shikon yjet në errësirën e një nate, çfarë ndjen kur shikon thellë në sytë e gruas së tij, çfarë ndien ai kur udhëton në thellësinë e shpirtit. Jam shumë i bindur se këto janë parametrat që përcaktojnë jetën tonë, mbi të gjitha të poetëve dhe shkrimtarëve.

Por Kadare nuk arriti dot që të marrë çmimin “Nobel”…

Gjatë katër viteve të shërbimit tim në Stokholm më thanë se në botë ka rreth 200 shkrimtarë që në çdo kohë meritojnë të bëhen laureatë dhe vetëm një mund të marrë çmimin Nobel. Në bindjen time të thellë, nuk kam asnjë dyshim që Kadare do të ishte në mesin e tyre. Absolutisht. Gjithsesi, janë veprat e shkëlqyera që përcaktojnë autorin dhe statusin e tij të pavdekshëm. Kadareja e ka këtë.

Pas Kadaresë, sipas jush, kush është shkrimtari shqiptar që duhet lexuar?

Më lejoni të përmend vetëm Lasgushin, poet i butë dhe i ndjeshëm. Do të isha i lumtur nëse ai do të arrinte të përfundonte trilogjinë e tij.

Cili është autori apo libri që ju pëlqen më shumë?

Pa asnjë dyshim: Viktor Hugo dhe romani i tij “Të mjerët”. Një histori prekëse, madhështore dhe gjigante e dashurisë, mirësisë dhe fisnikërisë, por edhe modestisë dhe mirënjohjes. Mënyra se si Zhan Valzhani e transformoi Javert-in ortodoks në qenie njerëzore është një mrekulli. Jam i sigurt se transformime të tilla ndodhin në jetën reale. Tolstoi mori strukturën e brendshme të “Të mjerëve” për veprën e tij madhore “Lufta dhe Paqja”. Një shkrimtar që u bë diplomat!

Cili është më i zhvilluar te Milan Jazbec? A ju ka ndihmuar shkrimi në karrierën tuaj diplomatike?

Në thelb, unë fillova të shkruaja letërsi kur isha tashmë diplomat për gati dy dekada. Megjithatë, jam i sigurt se kjo shtysë, kjo krijimtari po piqej tek unë që në fëmijërinë time të hershme dhe prisja të shfaqej momenti i duhur. Pra, mund të them se jam një diplomat që u bë shkrimtar. Megjithatë, më duhet të theksoj se jam gazetar, kam punuar në disa media për pak më shumë se një dekadë dhe kjo aftësi më ka ndihmuar shumë në punën time diplomatike. Diplomatët vëzhgojnë dhe raportojnë. Ndoshta shkrimtari im fillestar u shfaq tek unë fillimisht si gazetar, sesa si diplomat, duke shkruar raporte dhe tani më në fund si shkrimtar.

Unë shkruaj çdo ditë, shkruaj poezi pa pushim. Kam botuar rreth dhjetë libra me poezi, disa prej tyre edhe në shqip. Pas më shumë se gjashtë dekadash arrita atje ku qëndroja dikur – në krah të gjyshit tim dhe duke shkruar libra. Do të doja vetëm që ai të mund të ishte dëshmitar i këtij transformimi të jashtëzakonshëm: një nip i vogël që mbante në prehër duke e përkëdhelur, i cili më pas u largua nga ai fshati i vogël, i paharrueshëm në skajet gjeografike dhe sociale me emrin Pohanca drejt botës së pamatë. E mahnitshme. Ndonjëherë ende nuk mund ta besoj dhe as ta kuptoj këtë.

Shkrimtarët e aftë janë në gjendje të përdorin gjuhë që kontribuon ndjeshëm në pasurimin e kulturës së një shoqërie. Sa e vërtetë është kjo…?

Po, kjo është shumë e vërtetë. Për shkrimtarët e shquar nuk mjafton vetëm të reflektojnë dhe soditin, ato ndikojnë dhe tregojnë rrugën. Për shoqërinë, për vlerat, për njerëzimin. Në fakt, për mendimin tim, kjo është një detyrë morale e atyre që shquhen. Megjithëse, nuk është gjithmonë e lehtë ta kuptosh nëse bie në sy, duhet të ketë një pikë për ta matur atë, për të reflektuar në vetvete, për t’jua thënë dikush. Nëse jeni një personazh i shquar, normalisht nuk e vini dot re këtë, thjesht vazhdoni e shkruani me lehtësi.

Cili është terreni që gjetët në Shqipëri? Çfarë ju bën përshtypje te shqiptarët?

Për herë të parë, Shqipërinë e kam vizituar në pranverën e vitit 2008, gjatë Presidencës së parë sllovene të Këshillit të BE-së. Isha i ftuar si folës kryesor në një konferencë të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, kryesuar nga dr. Albert Rakipi. Ishim takuar disa muaj më parë në Lubjanë në një aktivitet të ngjashëm dhe që atëherë kemi mbetur miq. Tani është hera e gjashtë që ndodhem këtu dhe çdo herë jam i impresionuar me zbulimin e gjërave të reja. Njerëzit janë shumë të hapur, të këndshëm dhe miqësorë. Tirana është një qytet i bukur, me rrugë të mëdha, plot pemë me këngë zogjsh si në fëmijërinë time. Ka qenë paksa e nxehtë për shijen time gjatë këtyre ditëve, por mund të mbijetohet. Me një miken time të dashur kalova disa ditë në plazh, në veri të Durrësit. Gjithçka ishte perfekte: deti i pafund, plazhi i mrekullueshëm me hënën e plotë dhe noti në lindjen e diellit, mikpritja, ushqimi si në shtëpi. Shkuam për të parë edhe Kepin e Rodonit dhe notuam edhe aty. Magjepsëse! Shkurtimisht, një vend dhe popull i paprekur në zemër të Evropës.

Cilët janë miqtë tuaj shkrimtarë, diplomatë apo politikanë që keni në Shqipëri?

Më lejoni të përmend vetëm disa prej tyre. Siç e përmenda edhe më sipër, dr. Albert Rakipi dhe ekipi i tij në AIIS. Pastaj, sigurisht, dr. Pëllumb Qazimi, një ambasador i shkëlqyer që u kthye në atdhe nga Sllovenia në fund të vitit të kaluar. Njihemi që nga koha kur ai ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Unë në atë kohë kam qenë zëvendësministër i Mbrojtjes. E fundit, por jo vetëm, miku im i mirë Fatos Reka, me të cilin kemi qenë ambasadorë të vendeve tona në Maqedoni. Kur u largova në verën e vitit 2020, Fatosi mbeti aty edhe për disa vite. Ai madje ishte edhe dekan i Trupit Diplomatik si një nga ambasadorët më të dalluar në Shkup. Unë jam shumë i lumtur për këtë.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura