Skënderbeu është ndjerë i vjedhur në ndeshjen e prapambetur të kampionatit, e luajtur të mërkurën në Korçë dhe e fituar nga ana e Dinamos me një penallti dhe gjykim, që ngjalli polemika. “Pre” e kontestimeve ka rënë treshja e arbitrave dhe sistemi VAR, që preferoi të mos ndërhynte në asnjë moment në këtë takim.
Arbitrimi i Klodian Shahinit ka prekur thellë edhe ikonën e futbollit shqiptar, Jani Kaçi, ish-portieri i Kombëtares, Skënderbeut dhe Partizanit. Në një prononcim ekskluziv të dhënë për “Panorama Sport”, Kaçi theksoi se takimi ishte i vendosur nga arbitrat dhe i ndikuar veçanërisht nga ta. Sipas tij, Skënderbeu nuk meritonte humbjen pasi dominoi lojën, ndërsa Dinamo nuk bëri asgjë veç rastit të sekondave të para për të fituar këtë takim.
“Futbolli është sport popullor dhe e duan të gjithë. E duan kur brenda dhe jashtë fushës respektohen rregullat. Në fushat tona luhet pa rregulla fikse, por me rregulla të komanduara. Ky fenomen ka zbehur garën dhe zbrazur stadiumet. Ata pak tifozë nuk kënaqen, por përkundrazi revoltohen, shajnë dhe fyejnë gjyqtarët dhe kundërshtarët. Faji nuk është i tyre, por i gjyqtarëve, që vendosin fatin e lojës.
Në takimin Erzeni-Skënderbeu, tifozëria e Erzenit ishte e irrituar, por kur pa lojë korrekte nga lojtarët në fushë dhe gjykim më se korrekt, pranuan humbjen dhe u përqafuan në fund të takimit. Ky është shembulli që duhet ndjekur. E kundërta ndodhi në ndeshjen Skënderbeu-Dinamo. Interesimi për këtë takim nga publiku dhe lojtarët në fushë ishte maksimal. Bukurinë ia zbehu një gjyqtar, që kishte ardhur për të humbur skuadra e re korçare qe po demonstron kulturë dhe nivel në lojë. Sharlatan nga fiziku, i varfër nga shpirti. Fillim-mbarim punonte për Dinamon.
Dinamo ka histori, paçka se ka marrë drejtim tjetër, nuk duhet të pranojë favore të kësaj natyre me lojë dhe penallti të falur. Unë respektoj drejtuesit dhe ekipin e Dinamos, sepse janë ngjitur në Superiore dhe po bëjnë mirë. Uroj të bëjnë akoma më mirë, por pa ndihma jashtë futbollit. Dinamo, Partizani, Tirana, Skënderbeu, Vllaznia, Elbasani, Vlora (Flamurtari), Durrësi (Durrësi), pse jo dhe Egnatia, do ta zbukurojnë futbollin duke e bërë më të shikuar.
Futbolli duhet të afrojë njerëzit, jo t’i ndajë ata. Shembull është Kombëtarja dhe tifozëria e zjarrtë shqiptare. Kemi bërë emër jashtë, por duhet të bëjmë dhe brenda. Është detyrë e të gjithëve për ta bërë këtë. Kampionat i pastër, Kombëtare e suksesshme”.
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”!
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al