EKSKLUZIVE/ Një tifoz special i kuqezinjve nga Gjeorgjia, Uerdi Mara: Kam vendosur bast me gjysmën e skuadrës! Fiton Shqipëria 3-1, ja cilët e vendosin sfidën

Sep 10, 2024 | 18:06
SHPËRNDAJE

Shqipëria do të përballet mbrëmjen e sotme prej orës 20:45, kundër Gjeorgjisë, në duelin e vlefshëm për Ligën e Kombeve. Si kuqezinjtë ashtu edhe gjeorgjianët, vijnë në këtë përballje, pas dy triumfeve spektakolare në duelet e para, teksa sfida e sotme pritet të vendosë shumë për sa i përket ecurisë.  

MixCollage-10-Sep-2024-06-00-PM-3099

Në lidhje me këtë takim, ka folur edhe mesfushori maliqar Uerdi Mara, i cili për afro 8 muajsh, është pjesë e futbollit elitar gjeorgjian, teksa aktivizohet me kampionat e Dinamo Batumit, ku në 17 ndeshje ka shënuar 3 gola si dhe ka dhuruar 1 asist.  

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Mara përcjell atmosferën në tokën gjeorgjiane pak orë para startit të sfidës, teksa shprehet optimist se Shqipëria do të triumfojë me rezultatin 3-1. Ndër të tjera talenti maliqar tregon se ka vendosur bast simbolik me gjysmën e bashklojtarëve gjeorgjian te skuadra e Batumit. 

“Atmosfera këtu në Gjeorgji është tepër elektrizuese, tifozët janë shumë entuziastë, sidomos pas fitores kundër Çekisë, duke thënë se pas Spanjës janë kombëtarja më në formë e momentit.  

Do të jetë një duel tepër special mbrëmjen e sotme kundër Shqipërisë, tifozët dhe shokët e skuadrës te Batumi, çdo ditë më ngacmojnë duke më thënë se Shqipëria s’ka shanse të fitojë, por unë iu them që janë ata që kanë 0 shanse për të fituar në Tiranë. Gjithsesi do ia lemë fushës.  

Në fakt disa nga shokët e skuadrës, e dinë si është të luash në “Air Albania”, në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja, sepse kanë luajtur në ndeshjet kualifikuese në Europë kundër Tiranës. Më kanë folur me superlativa dhe më kanë shprehur simpati të madhe për stadiumin, për atmosferën që krijohet dhe për vendin tonë në përgjithësi, iu ka lënë një impakt pozitiv. 

Ndeshjen kam vendosur ta shikojë në shtëpi me qetësi, pasi besoj realisht se do të jetë një duel tepër emocionues. Kam vendosur edhe baste simbolike me pothuajse gjysmën e ekipit këtu në Batumi.  

Për sa i përket parashikimit, mendoj se fiton Shqipëria me rezultatin 3-1, me dopietë të Manajt dhe gol të Qazim Laçit. Kurse Gjeorgjia besoj do të shënojë me penallti, sepse ju japin shumë penallti në favor. Gjithsesi e rëndësishme është që të triumfojë Shqipëria dhe të ketë një festë kuq e zi, anë e mbanë botës”, u shpreh Mara.  

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura