EKSKLUZIVE/ Prapaskenat me Maget, ja sa përfitoi Partizani nga transferimi i mesfushorit te Rasing Santander

Aug 23, 2024 | 8:32
SHPËRNDAJE

Maget Gueje largohet nga Partizani. Kategoria Superiore humbet lojtarin më të shtrenjtë të saj dhe një nga mesfushorët më të mirë që shkelën fushat tona të paktën në dekadën e fundit.

MAGET

Siç u paralajmërua nga gazeta, senegalezi ditën e djeshme është prezantuar në klubin e “La Liga 2” në Spanjë, Racing Santander, ku ka firmosur kontratë 5-vjeçare deri në qershor të vitit 2029. Paga e tij pritet të shumëfishohet krahasuar me më pak se 2 mijë euro në muaj që merrte te Partizani. Mesfushori gjatë gjithë verës ka qenë shënjestër e disa klubeve në liga të ndryshme në Europë, por në fund Racing ka fituar garën për Maget, i ndihmuar edhe nga hezitimi i Partizanit mbi ofertat e mëparshme.

PRAPASKENAT – Gazeta mëson nga burime pranë klubit se Partizani e ka shitur Magetin për afro 500 mijë euro, një shifër shumë më e ulët seç pretendohej. Gjithashtu bëhet me dije se të kuqtë kanë mbajtur një përqindje kartoni, që flitet të jetë 15- 20%. “Për Maget ka ardhur një ofertë shumë serioze prej 1.3 milionë eurosh dhe 20 për qind të kartonit. Pas derbit kam thënë se kush nuk sjell 2 milionë euro, nuk e merr Magetin”, shprehej presidenti Gazment Demi pas një derbi të fituar kundër Tiranës me golat e Magetit.

Në fakt ofertat për Maget kanë qenë të shumta, por asnjëherë aq sa për të përmbushur “oreksin” e klubit. Më e madhja u konsiderua ajo e Venecias, që ofroi 700 mijë euro, por më pas u refuzua nga Partizani, që kërkoi më shumë. Italianët nuk u kthyen më, teksa oferta të tjera u refuzuan gjithashtu. Nën presionin e kohës, por edhe të lojtarit dhe menaxherëve të tij, klubi i kuq u detyrua të zgjedhë ofertën e Racing, një klub me lidhje të ngushta me agjencinë “You First”, që punon me Magetin. Ka qenë pikërisht menaxheri i Maget, që ka iniciuar dhe zhvilluar këtë operacion. Vetë lojtari e ka pasur Spanjën si një nga destinacionet e tij më të preferuara.

KONTRATA – Maget kishte edhe një vit kontratë me Partizanin. Klubi i pati kërkuar rinovimin, por senegalezi e refuzoi dhe i bëri të qartë se donte të largohej. Maget bëhet afrimi i nëntë i Racing Santander në këtë verë dhe mesfushori i katërt në ekip.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura