EKSKLUZIVE/ “Unë, golashënuesi më i mirë i turneut”, Luan Metani: Një ndeshje nuk luajta se më panë me birrë në dorë

Sep 8, 2024 | 23:36
SHPËRNDAJE

Luan Metani ka qenë pjesë e Shkëndijës në vitin 1974 dhe u grumbullua nga Kombëtarja U-18 për turneun e Kinës.

luan metani

Ish-sulmuesi u bë protagonist absolut. “Kinën e 74-ës, veç golave, e kujtoj për kupën që mora nga një shqiptar, por edhe copën e bluxhinsave që blemë”, rrëfen goleadori i atij turneu për “Panorama Sport”.

Metani, si ishin kushtet në Kinë?

Ishte shumë vapë dhe për këtë arsye mjaft prej ndeshjeve i luanim vonë, ose në orën 10 të mbrëmjes, me stadiume të mbushura, si në Shangai dhe Pekin. Zhvilluam tetë takime, fituam 5, barazuam 2 dhe humbëm 1.

Luan-Metani

Nuk hapëm rrugë në asnjë ndeshje, pavarësisht se nga miqësia kishte tjetër orientim. I fundit në stadiumin “Punëtori” në Pekin, me ekipin kombëtar të të rinjve, që u mbyll 4-1 për ne, unë shënova dy gola.

Një trofe pak i veçantë për ju Metani?

Por, jo nga kinezët. Shoqërues kishim Sadik Mërhorin, njeri i mrekullueshëm, i cili një kupë që ja dhuruan, ma dha mua si shënuesi më i mirë i turneut. Aty realizova tetë gola, ndonëse në një ndeshje nuk luajta. Ishte vapë, po pinim një birrë, Resmja na pa dhe si dënim nuk më futi.

Kishte të tjera histori gjatë qëndrimit apo jo?

Na dhanë nga 60 juan dhe me ato para disa nga ne futbollistët blame cope bluxhinsi. Isha unë, Starova, Agolli dhe Gëzdari. Kemi qenë nga të parët që i sollëm në Tiranë. Kur erdhëm, i qepëm, i veshëm, dhe patëm shumë sukses.

Të kishe pantallona të tilla në atë kohë ishte gjë e rrallë, sepse ishin në mode, por edhe të ndaluara. Të ndalonin në rrugë, në plazh, kudo grupet e rinisë, t’i grisnin me gërshërë. Në shkollë nuk të lejonin. Ja jepnim borxh njëri-tjetri për në xhiro.

Pekini ishte edhe i shqiptarëve të tjerë…

Në Kinë, në atë periudhë kishte shumë shqiptarë për punë, eksperiencë dhe studime. Në Pekin kemi takuar edhe sportistët studentë, rekordmenë të njohur në atletikë, si Fatmir Bajraktarin, Skënder Ballukun, gjimnastin Kujtim Hoxholli, Agron Cukën dhe Florika Markun. Qëndronin me ne, na shoqëronin. Kishin vite aty, ishin ambientuar dhe e flisnin mirë kinezçen.

MixCollage-06-Sep-2024-11-10-PM-8778

Një brez i bukur, me lojtarë të talentuar?

Kujtoj Ilir Bushatin. Para çdo ndeshjeje, Resmja e godiste me pëllëmbë në fytyrë për ta mobilizuar. Një talent, por edhe indiferent. Kur driblonte kinezët, qeshte me ta dhe Refiku që nevrikosej me të. Flinte në një dhomë me Seit Hysenin, qëllimisht e kishin vënë. Ardian Arra ka qenë një ndër futbollistët që shkëlqeu atje. Kur u kthyem, të gjithë ishin titullarë në skuadrat e para ku luajtën. Nuk jetojnë trajnerët Jançe, Resmja, portieri Arjan Bakiri, Seit Hyseni, Ardian Arra, ndërsa Lul Konçi ndodhet në Amerikë.

Një takim pak ndryshe, por në Tiranë. Dimë që u përballët me përkthyesin Li…?

Shumë befasues, kur në Rrugën e Durrësit, mesditë, pas një viti që ishim kthyer, kam takuar përkthesin Li. Krejt papritur, duke dalë nga një dyqan, vetëm kur u pamë. Isha unë dhe Starova, u përqafuam me të. Na tha se kishte ardhur në Shqipëri në Porto Pelermo, aty ku punonte.

UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura