Eksperti i pensioneve, leksion te Universiteti “Luarasi”: Skema, në vështirësi reale! Nevojitet reformë e re

Feb 9, 2022 | 9:30
SHPËRNDAJE

Fakulteti Ekonomik në Universitetin “Luarasi” ftoi ekspertin e sistemeve të pensionit, z. Koço Broka, në një leksion të hapur me studentët.

koco broka-luarasi

Sipas ekspertit të njohur të skemës së pensioneve, me projeksionet për vitin që vjen rreth ¼ e popullatës shqiptare do jetë në pension.

“Sot ne kemi mbi 670.000 pensionistë në mbarë vendin. Vitin tjetër një person në katër persona do të jetë pensionist, duke përfshirë përveç pensioneve të pleqërisë edhe pensionet e invaliditetit, si dhe pensionet familjare. Pra, është rreth 700.000 mijë persona. Në kushtet kur popullsia është 2.800.837 shqiptarë, pra i bie rreth ¼ e popullatës”, tha për “News 24”, eksperti i skemës së pensioneve, Koço Broka.

Skema e pensioneve sot është në vështirësi reale. Aktualisht, jemi pothuajse një kontribues për një pensionist. Ky raport, sipas Brokës e bën Shqipërinë një vend të paprecedentë. Eksperti rendit disa faktorë që kanë ndikuar ne këtë situatë ku peshën kryesore e mbajnë ndryshimet demografike.

“Këtë raport duhet ta ketë vetëm Shqipëria, ky nivel ka qenë në vitin 1990 rreth 4.5 kontribues me një pensionist. Vitin e kaluar raporti ishte 1.16 kontribues për një pensionist dhe sot vazhdon të bjerë si shifër. Me ndryshimet demografike shumë shpejt do dalë që numri i vdekjeve do tejkalojë numrin e lindjeve, krahas më këtë do të kemi edhe ulje të punësimit, kurse numri i pensionistëve rritet ky është problem mjaft i madh. Skema e pensioneve është në vështirësi reale, por kjo nuk kërkon alarm patetik, por kërkon angazhim për t’iu përgjigjur kësaj situate që është e trashëguar. Ndryshimet demografike kërkojnë që të bëhen ndryshime edhe në skemën e pensioneve. Kryesore është të bëhet një reformë ekonomike, të rritet PBB-ja0, kërkohet të rritet ritmi, por jo duke marrë borxh publik, duhet të bëhen përpjekje të ulet borxhi publik”, u shpreh Broka në analizën që bën.

Por, a do kenë të rinjtë e sotshëm pension nesër? “Edhe me këto ritme pensione do të ketë, nuk jam pesimist pasi shoqëria dhe të rinjtë do kthejnë sytë në një mënyrë të tillë që do të mundësojnë rritëm të larta të rritjes ekonomike të PBB-së. Të paktën të jetë 5% në mënyrë të qëndrueshme. Punësimi i të rinjve është një nga sfidat kryesore”, tha Broka. Në vend janë aktualisht është mbi 670 mijë pensionistë. Sot, gratë dalin në pension në moshën 61-vjeçare, ndërsa burrat 65 vjeç.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura