Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) kërkon të bashkëpunojë me Shoqatën që administron “Vilën 31”, e njohur sot si “Vila 31 x Art Explora”. Kryetarja e AIDSSHsë, Gentiana Sula, thekson se bashkëpunimi merr një rëndësi të veçantë për shkak të rolit historik të kësaj vile.
Ajo ka shërbyer fillimisht si banesë e pronarëve të përndjekur dhe më pas si rezidencë e Koçi Xoxes dhe Enver Hoxhës, dy prej figurave kryesore të regjimit diktatorial në Shqipëri. “Si kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, kam një propozim të hapur për bashkëpunim me shoqatën që administron “Vilën 31”, e njohur si ‘Vila 31 Art Explora’. Kjo vilë ka një histori të pasur, duke qenë fillimisht banesa e pronarëve të përndjekur dhe më pas rezidenca e Koçi Xoxes dhe Enver Hoxhës. Koçi Xoxe dhe Enver Hoxha ishin dy nga figurat kryesore të regjimit komunist në Shqipëri, ku rolet e tyre në shtypjen dhe persekutimin e kundërshtarëve politikë janë të dokumentuara gjerësisht”,- shkruhet në reagim.
Gentiana Sula argumenton më tej se, “Koçi Xoxe, si ministër i Brendshëm, drejtonte ishSigurimin e Shtetit, një organ që u bë sinonim i represionit dhe terrorit gjatë viteve të para të komunizmit. Nën drejtimin e tij, Sigurimi i Shtetit zhvilloi fushatat e para të mëdha kundër ‘armiqve të klasës’, duke përdorur metoda si arrestime pa gjyq, tortura dhe ekzekutime. Xoxe ishte i njohur për zellin në zbatimin e politikave të Hoxhës, duke i dhënë një fytyrë të errët regjimit të ri në Shqipëri. Nga ana tjetër, Enver Hoxha ishte udhëheqësi suprem i Shqipërisë komuniste dhe arkitekti kryesor i politikave që përcaktuan fatin e vendit për dekada. Ai personalisht nënshkruante vendimet dhe platformat që çonin në shtypjen e opozitës, kolektivizimin e dhunshëm dhe izolimin e Shqipërisë nga bota. Dokumentet historike tregojnë se Hoxha shpesh miratonte me dorën e tij arrestime, dënime të rënda, tortura dhe madje ekzekutime, duke treguar përgjegjësinë e tij direkte për krimet e regjimit komunist”, shprehet Gentiana Sula. Në vijim të reagimit, Sula propozon disa hapa për të pasuruar përvojën e vizitorëve në këtë vend historik.
Ajo propozon “organizimin e një ekspozite të përkohshme që eksploron jetën private të Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes në kontekstin e rolit të tyre drejtues dhe urdhërues në survejimin, kontrollin, përndjekjen dhe terrorin e ushtruar nga Sigurimi i Shtetit; Mbajtja e workshop-eve dhe seminareve mbi ndikimin e diktaturës në kulturën dhe artin shqiptar, duke theksuar propagandën dhe censurën; Krijimi i materialeve informuese për të dhënë një pasqyrë më të plotë të periudhës së komunizmit në Shqipëri; Shtimi i tureve të specializuara, me histori dhe dëshmi të bazuara në dosjet e Sigurimit, për një edukim historik më të thelluar.
“Vila 31 x Art Explora”, u çel një pak ditë më parë për publikun. Në ceremoninë e organizuar për hapjen e rezidencës artistike “Vila 31 x Art Explora”, kryeministri Edi Rama vlerësoi projektin e realizuar nga arkitektët francezë, të cilët e kanë transformuar këtë hapësirë me fantazi, në një hapësirë që ka një program diametralisht të ndryshëm nga ai që ishte më parë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al