Një krim i rëndë tronditi vendin pasditen e së premtes (16 mars) ku ish-polici Gentjan Bejtja u ekzekutua me breshëri plumbash pranë oborrit të vilës së tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.
Autorët, të cilët dyshohet se ishin 4 persona, kanë udhëtuar me automjetin tip “Land Rover” nga zona e Fushë Krujës në drejtim të Larushkës.
Ata janë futur rreth orës 16:20 minuta në rrugicën ku ndodhej vila e Gentian Bejtjas në fshatin Larushk, e cila ishte e rrethuar e gjitha me mure.
Pasi kanë parkuar fuoristradën në afërsi portës kryesore të banesës së ish-policit, 3 nga autorët kanë zbritur nga mjeti të kanë të maskuar, me veshje të zeza dhe me 3 kallashnikovë në duar. Ndërsa një nga autorët dyshohet se i ka pritur në makinë për t’u larguar nga vendngjarja.
Porta e madhe e vilës së Gentian Bejtjas ka qenë e hapur dhe autorët janë futur direkt brenda oborrit. Shënjestra e tyre ka qenë vetëm disa metra larg nga oborri pasi po merrej me disa punë mbrapa banesës së tij.
Autorët e kanë qëlluar me breshëri automatiku duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas janë larguar.
Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur rreth 50 gëzhoja kallashnikovi, që sipas të dhënave paraprake janë qëlluar nga 3 kallashnikovë.
Autorët më pas kanë hipur në automjetin tip “Land Rover” ngjyrë e bardhë dhe kanë dalë në rrugën kryesore që lidh Fushë Krujën me Kamzën.
Më pas kanë marrë drejtimin për nga fshati Hasan në afërsi të mbikalimit të Fushë Krujës vetëm disa kilometra larg vendit të ngjarjes ku edhe kanë djegur makinën.
Sipas hetuesve dyshohet se aty i ka pritur një tjetër automjet që i ka larguar nga vendi ku i kanë vendosur flakën automjetit te dyshuar se u përdor në krim. Policia ka sekuestruar disa kamera të bizneseve të aksit rrugor ku dyshohet se ka kaluar makina e autorëve.
VRASJA E KUNATIT
Pak pas mesnatës së të hënës (4 korrik 2023) në fshatin Larushk të Krujës, Gentjan Bejtjas i vranë kunatin e tij dhe i plagosën dy djemtë e mitur.
Persona të paidentifikuar qëlluan me armë në oborrin e banesës së Gentian Bejtjas, i përfshirë në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në vitin 2013. Nga të shtënat me armë viktimë mbeti 29-vjeçari Ramazan Sino.
Rreth 25 minuta pas krimit u gjet i djegur një automjet në lapidar të Tapizës. Ndërkohë shënjestër e atentatit ishte Gentjan Gejtja.
3 ATENTATET DHE PËRFSHIRJA NË VRASJEN E DRITAN LAMAJT
Gentjan Bejtja është një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare.
Gentjan Bejtja u qëllua me armë zjarri së bashku me shtetasin Klodian Stafuka mbrëmjen e 9 Janarit 2022.
Ata janë qëlluar teksa lëviznin me makinë pranë shkollës së fshatit Larushk në zonën e Fushë Krujës, ndërsa Bejtja mbeti i plagosur në krah.
Në shtator të vitit 2016, ndaj tij është organizuar një atentat me tritol. Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, me targë “AA 020 BH”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë.
Ai arriti t’i shpëtonte atentatit për shkak të sasisë së vogël të eksplozivit të vendosur, çka më pas, hetuesit e cilësuan si një paralajmërim.
Gjithashtu, Bejtja ishte personi që së bashku me Enver Stafukën vodhën veturën e përdorur në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në vitin 2013.
Enver Stafuka rezulton i zhdukur prej 9 vitesh. Ai u rrëmbye jashtë ambienteve të një lokali dhe s’dihet asgjë për fatin e tij.
RRËMBIMI DHE ZHDUKJA E ENVER STAFUKËS
Ai u zhduk mbrëmjen e 8 shkurtit në vitin 2015 nga disa persona të veshur si policë.
Enver Stafuka ndodhej në lokal me Gentjan Bejtjën, Ramazan Rrajën, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja dhe Durim Bamin.
Ata mbërritën rreth orës 19:23 dhe 21 minuta më pas, i pari që del nga lokali është Ramazan Rraja, i cili largohet me makinë. Vetëm një minutë pas tij, nga lokali po me nxitim, del Enver Stafuka. Këto janë momentet e fundit përpara rrëmbimit.
Persona të veshur si policë, të cilët po e prisnin, kanë dalë nga automjeti i tyre dhe i kanë thirrur në emër.
Fillimisht ata e kanë shtyrë dhe më pas e kanë lidhur. Ndërsa një makinë afrohet dhe katër personat e fusin Enver Stafukën në brendësi të automjetit.
Kur kanë kaluar 9 vite nga zhdukja e tij, ende nuk dihet asgjë për fatin e babait të 4 fëmijëve.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al