Dy vite hetime i kanë mjaftuar autoriteteve greke për të zbardhur vrasjen e shqiptarit Ari Papa në Greqi, ngjarje e shënuar në 30 maj të vitit 2021. Papa u ekzekutua teksa pinte kafe në një lokal në Sepolia të Athinës. Në prangat e policisë ka përfunduar taksisti shqiptar i skeduar me tre emra, Xhulian, Ervin dhe Beniamin.
Në skedat e policisë greke ai ka edhe 3 mbiemra të ndryshëm dhe dy datëlindje, 1974 dhe 1977, ndërkohë që rezulton me precedent penal për trafik klandestinësh. Ndërkohë në pranga ka rënë shtetasi grek me iniciale S.F, 56 vjec.
Këta dy persona dyshohen se janë transportuesit e ekzekutorit kryesor, ende i paidentifikuar, por që ka dyshime se erdhi posaçërisht nga Tirana për të kryer vrasjen dhe është rikthyer sërish në Shqipëri. Sipas mediave greke menjëherë pas të shtënave, autori është arratisur në këmbë drejt rrugëve “Panourgias” dhe “Avlonos”, ku e priste bashkëpunëtori i tij me një taksi.
Mjeti ka lëvizur përballë rrugës nacionale “Athinë – Lamia”. Nga hetimet ka rezultuar se për ekzekutimin janë përdorur dy taksi. Ajo që i “tradhëtoi” organizatorët e vrasjes, përveç kamerave të sigurisë janë dhe celularët pasi kanë komunikuar me njëri-tjetrin teksa ndodheshin pranë vendit të sulmit.
Ari Papa, i datëlindjes 02.10.1989, nga fshati Dhiver i Sarandës, nuk rezulton të ketë fotografi as në rregjistrin e gjendjes civile të Sarandës e Finiqit, por as në sistemin TIMS. Në Shqipëri ai është një “fantazëm”. Megjithatë në Greqi, Ari Papa është një person me background të pasur kriminal.
Ari Papa ka arritur t’i shpëtojë 3 atentateve të mëparshme, më konkretisht në vitet 2007, 2009 dhe 2021.
ATENTATET NDAJ PAPËS
Në 20 korrik 2007 u krye atentati i parë ndaj Ari Papës e cili dështoi. Ai u qëllua me armë në kryqëzimin e rrugëve “Liosion” dhe “Sozopoleus” në Athinë. Papa mbeti i plagosur së bashku me shtetasin e huaj Georgio Tarnovalinski. Për policinë greke, sarandioti Papa është i skeduar në këtë ngjarje si Aristidi Pappa.
12 vite më vonë, më konkretisht më datën 26 maj 2019 Ari Papa qëllohet rreth orës 20.40 me pistoletë në kofshë në vendin e quajtur “Stacioni Larisit”. Ai u transportua menjëherë në spitalin “Georgios Gennimatas”, ku mori ndihmën e parë dhe shpëtoi. Gjatë kontrollit policia i gjeti në trup një sasi të vogël marijuane.
Atentati i tretë u krye më 26 shkurt 2021 në “Stacionin e Larisit” rreth orës 20.00 kur Ari Papa ndodhej midis rrugëve “Mixail Boda” dhe “Agorakritou”. Ai u qëllua me armë zjarri nga pasagjerët e një taksie. Papa mori dy plagë dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit ku sërish i shpëtoi vdekjes.
Atentatorët u larguan duke kërcënuar shoferin e taksisë, por më pas e braktisën mjetin së bashku me dy pistoleta dhe sende të tjera. Papa tha për policinë se ndodhej në vendin e ngjarjes së bashku me dy shokë të tij të quajtur Orlando dhe Ani, të cilët jo vetëm që u larguan me vrap pas ngjarjes, por as e kontaktuan më pas për ta pyetur për shëndetin.
Megjithatë policia përfundoi hetimet për ngjarjen duke arrestuar 7 persona dhe shpallur 1 në kërkim për trafik droge dhe akuza të tjera, 3 prej të cilëve rezultuan se kishin rol aktiv edhe në atentatin ndaj Papës. Media greke pa u thelluar zbuloi se 3 të dyshuarit për atentatin ndaj Papës ishin shqiptarët “Mili” 38-vjec (nën arrest), “Dorian” 32-vjec (në kërkim) dhe “Landi” 30-vjec (nën arrest). “Mili”, një shqiptar i rrezikshëm ishte i përfshirë dhe një ngjarjen e 20 dhjetorit 2020 ku policia greke gjeti një Kallashnikov në një makinë në Kipseli.
Një ditë para kësaj ngjarje, pikërisht në 25 shkurt 2021, Papa ishte arrestuar nga policia greke në qendër të Athinës duke udhëtuar mbi një monopatinë elektrike. Ai mbante veshur një anti-plumb, ndërsa në brez kishte një pistoletë. Çuditërisht policia e la të lirë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al