NIKOLETA KOVAÇI/ Ka qenë vrasja e Gjin Ndojt, i njohur edhe me mbiemrin Boriçi, që pretendohet nga SPAK që ka çuar edhe në zbardhjen e të gjithë mekanizmave të përdorur në 6 episode vrasjesh dhe tentativash të grupit të strukturuar kriminal.
SPAK dhe policia kanë dhënë pak informacione mbi gjithçka pretendohet që kanë në lidhje me aktivitetin e këtyre personave që kanë vepruar në bashkëpunim e madje sipas SPAK kanë shkëmbyer edhe objektivat e vrasjeve me njëri-tjetrin.
Bëhet fjalë për Ervis Martinajn dhe Safet Bajrin por pa treguar se përse i duhej Martinajt vrasja e Gjin Ndojt. Ndërkohë SPAK pretendon se viktima e asaj prite në rrugën Lezhë-Shkodër, që Martinaj e donte të vdekur. ka qenë ushtar i Bajrajve.
Po ashtu, pretendohet se Pëllumb Gjoka, pajtoi djemtë e grupit të Bajrajve për të vrarë ish-specialistin e Burgjeve për shkak se u ngatërruan me 11 shtator të 2017 në afërsi të Pazarit të Ri.
Në fakt punonjësi i Burgjeve e plagosi biznesmenin me armën e shërbimit, aso kohe, dhe u vu në pranga, por ai e la shpejt qelinë. Specialisti i burgjeve dhe biznesmeni i njohur nga Velipoja dolën të merreshin vesh me njëri tjetrin pas një sherri që kishin bërë fëmijët, por përfunduan në armë.
Sot priten të jepen masat e sigurisë për 17 personat, ku 15 janë me urdhër-arrest të përcaktuar nga SPAK e GJKKO, ndërkohë që dy të rinj të tjerë, nga Shkodra, janë kapur në kushtet e flagrancës gjatë kontrolleve të ushtruara nga RENEA dhe Forcat Operacionale që drejtonte Oltion Bistri!
Akuzat për të arrestuarit Pëllumb Gjoka, 49-vjeçar banues në Tiranë, u arrestua për: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Akuza kanë lidhje me vrasjen e shtetasit Gjin Ndojt, (i njohur dhe si Gjin Boriçi) ndodhur në Shkodër më 9 gusht 2020.
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Akuza ka lidhje me plagosjen e Kleant Musabelliut ndodhur në shtator 2020.
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” në dëm të shtetasve Dorjan Dhuli, Ibrahim Lici. Ngjarja e ndodhur në 2020: -“Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim; -“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Edmond Preka 46 vjeç, banues në Velipojë, u arrestua si i dyshuar për veprat penale: “Vrasje me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Akuza kanë lidhje me vrasjen e shtetasit Gjin Ndojt, (i njohur dhe si Gjin Boriçi) ndodhur në Shkodër më 9 gusht 2020 -“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” në dëm të shtetasit Kleant Musabelliu. -“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”.
Astmer Bilali, 34 vjeç, banues në Shkodër, u arrestua si i dyshuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” në dëm të shtetasve Dorjan Dhuli, Ibrahim Lici dhe Gent Tafili. Ardit Hasanbenga, 41 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua si i dyshuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” në dëm të shtetasve Dorjan Dhuli, Ibrahim Lici.
Oltion Bistri, 41 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”; Xhevahir Lita, 50 vjeç, u arrestua për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, kryer dy herë dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Janë shpallur në kërkim shtetasit Behar Bajri Brahovic, 43 vjeç nga Shkodra, Denis Bajri Brahovic,45 vjeç nga Shkodra Elion Hato 33 vjeç, nga Shkodra, Arsat Bashli, 26 vjeç nga Shkodra, Bardhyl Marvraj, 41 vjeç, nga Shkodra, Ervis Martinaj, banues në Kurbin, Klaudio Haka, 33 vjeç, banues në Pukë, Prekë Kodra 47 vjeç, banues në Malësi të Madhe dhe Aleks Ndreka, 46 vjeç, banues në Lezhë.
Të premten 28 korrik, teksa u dhanë pak detaje për operacionin u bë me dije se Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vijojnë punën hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Rikthehet Prekë Kodra, atentatori i dyshuar ndaj Albin Kurtit
Në dosjen e SPAK del edhe emri i Prekë Kodrës, snajperistit të verifikuar për disa vrasje në Shqipëri dhe Kosovë. Emri i Kodrës doli dhe në një raport të Shërbimit Informativ Shtetëror, ku flitej si një nga personat që do kryenin vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Informacioni për vrasjen e mundshme të Kurtit, doli në një nga “email”-et e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano që u publikua nga hakerat iranianë. Në një dokument sekret, publikuar edhe në mediat e Kosovës, Njësia Kundër Terrorizmit në vitin 2021, mori informacione për atentat ndaj kryeministrit, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ, Xhavit Halitit, ish-deputet.
I dyshuari ishte Prekë Kodra. Në dokument thuhej se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve dhe dyshohej se ishte përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Në emisionin “Pressing”, në “T7”, Kodra ka mohuar gjithçka rreth akuzave në drejtim të tij.
“Çka me shpjegu, se është diçka që vetëm kanë shpik sikur kanë shpik persona të paidentifikum për mu, Albin Kurtin e njoh vetëm përmes televizionit, unë nuk e njof dhe nuk kam asnjë lidhje në Kosovë për asnjë lloj qëllimi të keq. Më vjen keq, më keni akuzu, po më merrni në qaf mu edhe familjen teme”, ka thënë ai.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al