Dyshohet se ekzekutoi dy vëllezërit Gramoz e Xhentil Bardhi, Prokuroria kërkon dënimin me burgim të përjetshëm për Roland Pulën

Sep 25, 2024 | 12:03
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Roland Pulën, i cili është autor i dyshuar i vrasjes së dy vëllezërve Gramoz e Xhentil Bardhi.

gramoz bardhi xhentil bardhi roland pula

Krimi i dyfishtë ndodhi mbrëmjen e 4 qershorit 2020 në fshatin Gramëz të Krujës, ku Roland Pula, qëlloi me breshëri kallashnikovi dy vëllezërit, të cilët humbën jetën rrugës për në spital.

Prokurorit i çështjes, Enklid Gjini ka kërkuar nga Gjykata e Tiranës dënimin maksimal të tij.

Ngjarja e 4 viteve më parë ndodhi pas sherrit që nisi në lokalin e fshatit, ku autori më pas i zuri pritë pranë shtëpisë në errësirë dy vëllezërve dhe i qëlloi për vdekje.

Roland Pula ishte arrestuar në 2008, ndërsa në 29 tetor 2010 u dënua me 6 muaj burgim për akuzën e “kanosjes” me armë, 4 muaj burgim për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe 2 vjet burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.

Në bashkim të këtyre tre dënimeve, Roland Pula është dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.

Si nisi konflikti mes dy familjeve 15 vite para krimit të dyfishtë

Familja Bardhi dhe autori i dyshuar i këtij krimi të dyfishtë, Roland Pula, kanë pasur konflikte të vjetra, të cilat e kanë zanafillën këtu e 15 vite përpara, që prej vitit 2005.

Si rezultat i një konflikti, asokohe vëllai i madh i dy viktimave, Elton Bardhi, ka plagosur me thikë Besnik Pulën, djalin e xhaxhait e autorit, Roland Pula.
Që prej asokohe, mes dy familjeve që jetojnë në fshatin Gramëz nuk ka pasur më qetësi dhe konfliktet kanë vijuar me të tjerë personazhe të fisit. Mes familjes Pula e Bardhi situata u agravua dhe çështja shkoi në Prokurorinë e Krujës.

PËRPLASJA E PARË

Më datë 19 gusht të vitit 2005, pas një konflikti për motive banale, Elton Bardhi, vëllai i madh i viktimave, plagosi me thikë Besnik Pulën ( djalin e xhaxhai i autorit), duke i shkaktuar dëmtime serioze për jetën, por, për fat të mirë, arriti t’u mbijetonte plagëve të shkaktuara nga mjeti prerës, kjo falë edhe dërgimit me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Pasi qëlloi bashkëfshatarin Elton Bardhi, në gjendje të rënduar psikologjike ai shkoi në shtëpi dhe u tregoi familjarëve se çfarë kishte ndodhur dhe për t’i shpëtuar Policisë u largua në drejtim të paditur, me shumë gjasa drejt Greqisë.

Ndërkohë që Besnik Pula po luftonte me vdekjen, në gjaknxehtësi e sipër, djali i xhaxhait, Roland Pula, merr një armë zjarri automatike dhe afrohet pranë banesës së familjes Bardhi duke qëlluar me breshëri në drejtim të saj.

Për fat të mirë u regjistruan vetëm dëme materiale dhe jo njerëz. Prokuroria dhe Policia e Krujës fiksuan si prova materiale gëzhoja dhe predha të plumbave, duke akuzuar direkt Roland Pulën si autor të kësaj ngjarjeje të ndodhur në vitin 2005.

Gjykata e Krujës e dënoi me 5 vite burg shtetasin Elton Bardhi për plagosjen e djalit të xhaxhait të Rolandit, Besnik Pula, dhe me 1 vit e 3 muaj burgim Roland Pulën për goditjen me armë në banesën e familjes Bardhi.

PËRPLASJA E DYTË Pavarësisht se çështjen e parë e mori në dorë drejtësia, mes dy familjeve nuk kishte më qetësi.

Për disa vite me radhë, situata ishte si një vullkan i heshtur, por katër vite më vonë shigjeta doli sërish nga harku. Në datën 25 mars të vitit 2009, Prokuroria e Krujës regjistroi një tjetër dosje mes dy familjeve.

Më 24 mars të vitit 2009, persona ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të banesës së babait të Besnikut. Ky i fundit akuzoi për këtë sulm me armë dy viktimat, Gramoz dhe Xhontilin, si dhe babanë e tyre, Kol Bardhin. Ky i fundit ka deklaruar në Polici se mes familjes së tij dhe të Frrok Pulës ka një konflikt të vazhdueshëm, sepse Llesh Pula dhe Roland Pula (babë e birë-vëllai dhe nipi Frrokut) kanë rrahur djalin e tij, Gazmir Bardhin.

Ky i fundit u rrah nga Brikel Lama, Indrit Leka, Sadri Hima dhe Roland Pula, ngjarje e ndodhur në qendër të fshatit. Mes familjeve Pula e Bardhi në vazhdim pati edhe incidente të tjera, derisa mbrëmjen e së enjtes situata doli jashtë kontrollit dhe dy vëllezërit Gramoz dhe Xhontil Bardhi përfunduan të vrarë nga Roland Pula dhe një tjetër person ende i paidentifikuar, që dyshohet të jetë i afërm i tij.

Sipas burimeve të Policisë, autori, një natë para se të vriste dy vëllezërit, i kishte kërcënuar ata. “Nëse kaloni më këtej, do t’ju vras”, u ka thënë ai. Nuk vonoi shumë dhe në orët e vona të së enjtes, Rolandi i ekzekutoi dy vëllezërit Bardhi fare pranë shtëpisë së tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura