Ish-inspektorja e BSH-së flet për “Studio e Hapur”, në News 24
Golemi: Si më arrestuan para prindërve, takimi me Fullanin në burg.
“Shtatë civilë me celularë më arrestuan pa më lexuar të drejtat. Tri ditët e mia në izolim, kam pastruar vetë qelinë”
Elivar Golemi shpreh bindjen se do të marrë pafajësinë e saj.
“Përgjegjësia e Këshillit Mbikëqyrës është direkte”
“S’jemi policë banke, 50 persona nga Sigurimi ruanin paratë”
Përgjegjësia e Bankës së Shqipërisë është e Këshillit Mbikëqyrës dhe e 50 personave të Departamentit të Sigurisë. Këto janë fjalët e ish-inspektores së Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi, pas 25 ditësh në burg, teksa ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetaren Eni Vasili, në emisionin e saj “Studio e Hapur”, në televizionin “News 24”…
Është komentuar shumë përshëndetja dhe qeshja juaj në sallën e gjyqit, në gjykimin e parë…
Kur kam hyrë në sallën e gjyqit ditën e diel, në Gjykatën e Tiranës, isha pothuajse e shkatërruar. Ishte dita e tretë e izolimit. Nuk kisha asnjë informacion çfarë po ndodhte jashtë. Si ishin prindërit e mi? Më mbyste brenga, nëse ata kishin rezistuar dhe ishin akoma në këmbë. Në një moment pashë dy fytyra familjare të tmerruara, por që po mundoheshin të më jepnin një buzëqeshje. Buzëqeshja e tyre më dha një forcë për t’i përshëndetur. E gjithë kjo ishte për t’u dhënë sadopak zemër atyre në atë gjendje që i pashë, për t’u thënë se nuk është asgjë, se unë jam mirë dhe gjithçka do të kalojë.
Si e mësuat vendimin për arrestimin tuaj?
Atë ditë, e premte, më 5 shtator, në mbrëmje, kam dalë nga zyra diku nga ora 18:30-19:00 pasdite. Isha e rraskapitur. Kishim të paktën 6 javë, pas ngjarjes së ndodhur në Departamentin e Emisionit, që fillonim punën në 8 të mëngjesit deri në darkë, madje ka pasur raste deri në mesnatë në punë. Një mikeshë e imja shumë e mirë më kishte telefonuar për një kafe poshtë pallatit, ku unë banoj. Vetëm pak kohë pasi u takuam, një kushëriri im më merr në telefon dhe më thotë: Lëre kafen dhe shiko lajmet te “News 24” dhe mbylli telefonin. I lutem kamerierit të hapë TV te News 24, dhe direkt shokohem nga titrat: “Arrestohet Guvernatori Fullani”, toka nën këmbë për një çast m’u lëkund. Guvernatorin e kisha takuar vetëm pak orë më parë, ku i kisha dorëzuar një raportim pune. E kisha lënë në zyrë, pas një takimi me misionin e FMN-së. Nuk kisha parë gjatë gjithë ditës as shenjën më të vogël se mund të ndodhte kjo. Ishte dita kur dy anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës kishin dhënë dëshminë e tyre në prokurori, bashkë me ish-inspektoren e Përgjithshme. Jo, s’ka mundësi, po mendoja me vete. Ndërkohë titrat ndryshojnë dhe filloj të lexoj: “Arrestohet inspektorja e Përgjithshme (kryeinspektorja) Elivar Golemi”. Këtë herë salla më erdhi rrotull dhe fillova të ndiej ftohtë. Nga britmat tona njerëzit kthyen kokat për një moment, por nuk më njihnin dhe nuk besoj se dyshuan se njeriu i arrestuar ishte ende aty, në lokal, midis tyre. Po unë jam këtu thashë me vete, si më paskan arrestuar?!
Çfarë menduat dhe cilat kanë qenë ndjenjat e para?
Nuk mbaj mend si jam ngjitur në shtëpi, isha komplet e mpirë nga trupi dhe mendja, ndieja shumë ftohtë edhe pse nuk ishte kohë e ftohtë. Jam përmendur vetëm kur kam hasur shikimin e prindërve të mi, të cilët po më prisnin te dera e shtëpisë. Nga sytë e skuqur, kuptova se e kishin marrë lajmin. I përqafova fort dhe u kërkova të ishin të fortë, se çdo gjë do të sqarohej shpejt, me siguri thjesht do më merrnin në pyetje dhe do kthehesha në shtëpi. Nuk pata kohë të mendoja apo të ndieja diçka më shumë, pasi trokiti dera dhe u shfaqën të paktën 7 burra civilë, mund të ishin dhe më shumë, por nuk munda t’i numëroja. Njëri prej tyre m’u drejtua duke më pyetur për emrin. Duhet të vini me ne, thanë, pasi u pohova që jam Elivar Golemi. I kërkova arsyen dhe nëse kishin një urdhër arresti. Njëri nga ata m’u përgjigj se arsyen e kisha marrë vesh nga mediat. “Ka një orë që e japin të gjitha mediat, nuk i ke dëgjuar ti?!”, ishte e vetmja përgjigje që mora dhe asnjë komunikim të shkruar. Asnjë letër, madje as më kërkuan kartën time të identitetit. Nuk më paraqiten as dokumentin e policisë. Më ra në sy që kishin radio, celularë dhe pistoleta me shumicë. Thjesht u binda! Shikimin dhe dhimbjen e prindërve të mi atë natë nuk kam për ta harruar sa të kem frymë.
(Intervisten e plote e lexoni sot ne gazeten Panorama)
ENI VASILI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al