Shumica prej nesh, një kuti pudre apo shishe parfumi të trashëguar nga gjyshja do ta lidhte vetëm me ndonjë fragment filmi. Dakord, një aromë specifike, të dashur edhe pse pa parfum, të gjithë e nuhasim me mend, por kaq. Ka ngelur, e shumta, prej tyre një unazë a një palë vathë për të cilat gjithnjë kanë parë njëra-tjetrën shtrembër vajzat e shtëpisë. Këto ditë që është në Muzeun Kombëtar për të prezantuar “Koleksionin e gjyshes”, Elsa Ballauri nuk ka harruar të vërë as unazën e trashëguar nga njëra prej tyre, Olga. Bashkë me të ka ekspozuar në këtë koleksion krejt të veçantë një pjesë të sendeve të trashëguara prej tyre. Nga ato që nuk mund të gjesh sot kudo. Elsa Ballaurit nuk se i duhej Dita Ndërkombëtare e Muzeve për t’u ngacmuar nga kjo ide. Përherë ka jetuar me të dashuria për historinë e gjithsecilit. Është e rrethuar gjithandej me antikuarë. “E gjeta këtë rast për të ekspozuar objekte të grave të viteve 1910-1930 për të treguar qytetarinë shqiptare të atyre viteve. Është shumë e rëndësishme ta njohim historinë tonë. Përmes këtyre objekteve bëhet më i prekshëm kujdesi i një femre për veten, çka lidhet me civilizimin e gruas së kohës. E gjej këtë një mënyrë për t’iu thënë edhe njerëzve që ta përfillin historinë, të kaluarën e tyre, sepse koleksionet janë pjesë e një identiteti”, thotë Elsa, ndërsa sytë vetvetiu i qëndrojnë gjithnjë të drejtuar nga objektet e ekspozuara. Në çdo kohë mund të kujtojë episode që lidhen me secilën, sado që kujtimet më të plota i ka nga gjyshja e babait, Olga Ballauri. Por, në rastin e saj, të dyja gjyshet vinin nga i njëjti rang shoqëror, të dyja korçare. Edhe gjyshe Vrisida i përkiste pjesës mondane të shoqërisë. “Olga më ka rritur dhe sjellë në mend kujtime të prekshme lidhur me të. Ndërsa për Vrisidën i kam më tepër të treguara nga mamaja. Tani që po flasim, i kam në parafytyrim edhe lëvizjet e duarve të saj kur merrte kutinë e pudrës apo shishen e parfumit. Madje edhe aromën e kam në kokë. Ose një kuletë e fildishtë, të cilën nëna theshte se e kishte blerë më 1924 në Vjenë 4 napolona flori. Tregonte se pasi kishte ecur edhe ca, kishte gjetur të njëjtën për 3 napolona. Episode si këto, objektet që sheh kanë të gjitha”. Të mos kishin, Elsa nuk do të kishte këtë lidhje me të shkuarën. Sot mikeshat e saj, ato që i dëgjojnë më shpesh historitë, përloten. Kujtdo do t’i ndodhte nëse do të jetonte me ato objekte që flasin më shumë se sa ligjëratat boshe që dëgjojmë përditë.
Koleksionet e rralla në Muzeun Kombëtar
Tema këtë vit ishte “Koleksionet e muzeve krijojnë lidhje mes njerëzve”. Në Muzeun Historik Kombëtar, me këtë rast u çel ekspozita e koleksionistëve shqiptarë. Niko Xhara, president i koleksionistëve të Shqipërisë, solli koleksionin e tij nga fusha e filatelisë dhe kartolina të hershme me imazhe nga kostumet kombëtare etj. Shpëtim Sala u prezantua me një koleksion të pasur nga historiku i shkollave shqipe, me tekste, dëftesa, programe, fletore shënimesh, organe të botuara nga shkollat shqipe, mjete dhe artikuj mësimorë, duke filluar nga viti 1887-1944 etj. Koleksionistet Linda Spahiu, Luljeta Dano, Edlira Sulaj, me objekte të kulturës materiale kombëtare, me shtrirje gjeografike nga gjithë trevat shqiptare. Lulzim Perati u prezantua me një koleksion furkash dhe bizhuterish e elemente të tjera nga trashëgimia jonë kulturore, ndërsa Elsa Ballauri me “Koleksionin e gjyshes”, ku për herë të parë u prezantuan objekte dhe sende të rralla që i përkasin fillimit të shekullit XX.
Objektet e rralla që u prezantuan në këtë ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar janë të paekspozuara më parë.