Emerson: U emocionova kur u futa për herë të parë në “San Siro”, kam vuajtur për të arritur këtu. Tani dua të bëj muzikë me Leaon

Sep 7, 2024 | 17:41
SHPËRNDAJE

Emerson Rojal, mbrojtësi i ri i djathtë i “Djallit”, ka dhënë një intervistë të gjatë dhe interesante për ‘Milan TV’, duke u ndalur veçanërisht në të kaluarën e tij, por duke hedhur një vështrim në të tashmen dhe të ardhmen e tij me kuqezinjtë. Në vijim të gjitha deklarata e brazilianit që nuk është se ka pasur një impakt të mirë me ekipin e ri.

emerson rojal

Keni një tatuazh ku shkruhet “fito ose fito”…
Për mua është një frazë shumë e rëndësishme sepse kur isha fëmijë kam jetuar në një lagje tejet të varfër dhe kam menduar vetëm për të fituar. Më duhej të fitoja në jetën time për të ndihmuar familjen, veçanërisht nëpërmjet futbollit.

Kur dal në fushë dua gjithmonë të fitoj, edhe pse mund të jetë thjesht një ndeshje me shokët. E bëra këtë tatuazh sepse përfaqëson atë që jam.

Çfarë kujtimesh keni nga lagja juaj?
Ka njerëz që kanë shumë paragjykime, sepse mendojnë se ata që vijnë nga lagjet e varfra nuk mund t’ia dalin në jetë. Shumë njerëz mendojnë se në ato lagje ka vetëm gjëra të këqija, por ato gjëra negative mund të shndërrohen në pozitive.

Mua më ndodhi. Dija të luaja futboll dhe i thashë nënës sime se do të luaja futboll dhe do t’i ndryshoja jetën. Siç thashë, njerëzit mendonin se ishte e pamundur. Gjithmonë kam dashur të fitoj.

Keni menduar për dikë në veçanti kur keni firmosur për Milanin?
Në veçanti djali im dhe gruaja ime sepse më kanë ndryshuar jetën dhe bëjnë gjithçka për të qenë pranë meje.

Kam edhe mamanë e vëllezërit, por më së shumti kam menduar për djalin dhe gruan. Gjithmonë kam ëndërruar të bëhem baba, e dua shumë djalin tim, do të doja të isha gjithmonë me të. Kemi një lidhje që nuk mund të shpjegohet.

Çfarë kujtimesh ju lidhin me Milanin?
Kur hyra në “San Siro” për herë të parë ndjeva një emocion të madh sepse është një stadium i bukur plot tifozë. Para ndeshjes shikoja tifozët duke shpresuar që një ditë të luaja për ta. Tani jam këtu te Milani dhe dua ta përjetoj sërish atë atmosferë me fanellën kuqezi. Erdha te Milani për të bërë një ndryshim.

Keni edhe pasion muzikën “Rap”.
Kjo më lidh me Leaon. Ai bën muzikë të mirë dhe i pëlqen të këndojë. Kemi folur dhe i thashë se duhet të kompozojmë muzikë së bashku. Unë u dashurova me muzikën që fëmijë dhe fillova të kompozoja pjesë samba, teksa më pas kalova në “Rap”. Kisha një studio në shtëpinë time në Londër, tani po e sjell në Milano.

Përse zgjodhët numrin 22?
Sepse është numri i Kakasë, i cili për ne brazilianët është një model dhe kur dëgjova se kishte mbajtur atë numër, nuk u mendova dy herë dhe e zgjodha sepse dua të bëj njësoj si ai.

Keni ndonjë kujtim nga brazilianët që kanë luajtur për Milanin?
E vërteta është se për ne brazilianët Milani është sikur të ishte ekipi ynë, një ekip brazilian, prandaj kam ëndërruar gjithmonë të luaj këtu. Si mund ta harroja magjinë e Ronaldinjos, kam parë shumë ndeshje të Milanit sepse më pëlqente shumë. E di që tifozët i pëlqejnë vërtet brazilianët, klubi është shumë i ngjashëm me ata brazilian, kështu që kam gjithë besimin e ekipit dhe tifozëve për ta bërë sa më mirë punën time.

Për çfarë jeni mirënjohës?
Për gjithçka. Që në fillim, kur kam filluar të luaj futboll, i jam mirënjohës Zotit, jam shumë besimtar. Ndonjëherë në jetë ka gjëra që na bëjnë të ndihemi keq, më ka ndodhur herë pas here sezonin e kaluar, por tani e gjej veten duke veshur fanellën më të lavdishme në botë.

A ju ka ndihmuar gjuha për t’u ambientuar më shpejt me Fonsekën dhe Leaon?
Sigurisht që mund të më ndihmojë të shprehem sepse nuk flas ende italisht, por duhet ta mësoj sa më shpejt që të jetë e mundur për të folur me të gjithë shokët. Kështu jam, më pëlqen të flas, të bëj shaka, të kërcej dhe të bëj shumë gjëra, ndaj është e nevojshme të flasësh gjuhën e grupit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura