Emërtimet e personalizuara

Dec 26, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

NGA PROF. DR. ELMAS LECI 

Dekani Elmaz Leci
Dekani Elmaz Leci

Emërtime të personalizuara rrugësh e institucionesh ka kodo në Shqipëri si edhe në botë, veçse pagëzimi i tyre në kohë të ndryshme ka ndjekur trajektore të veçanta. Në komunizëm psh., kjo punë ishte e zgjidhur, se vendoseshin ata të partisë. Problemi doli në demokraci, ku ekuilibri, që shpesh e shumë herë u prish me e pa dashje, ishte e mbetet domosdoshmëri për jetesën shoqërore. Vendosja apo pagëzimi i rrugëve e institucioneve me emra të personalizuara, është dhe mbetet gjithnjë përgjegjësi e madhe para publikut e strukturave qeverisëse kryesisht lokale, veçanërisht kur del nga një regjim komunist siç ishte ai i yni tërësisht totalitar, që jo rrallëherë çështje të tilla të emërtimeve të personalizuara në këto vite të pas ’90-tës, na janë kthyer ose më saktë na i kanë kthyer, jo vetëm në shqetësime, por edhe në mollë sherri mes grupimeve shoqërore (kjo deri, me sa di kur u vendos që me to të mos luhet më me hiq e vër e u tha, doli edhe vendimi se emrat që janë vënë si luan më as topi?!) kryesisht me bindje të ndryshme politike.

Një periudhë, pa hyrë në detaje, u bë ajo që theksuam me hiq e vër emra figurash publike e jo publike, e mandej edhe anasjellas me vër e hiq për përkatësi politike, e përsëri është vazhduar me të tilla histori pa shije. A mos kështu do vijojmë ne të shkojmë përpara e të krenohemi me historinë tonë se në fund të fundit, emrat publikë për rrugët dhe institucionet mbajnë në vetvete edhe një pjesë të historisë, e cila sot konceptohet e presupozohet ndryshe nga 30 vjet e ca më parë, pasi sot ka ardhur koha e duhet të mendojmë se ky vend u takon të gjithëve, edhe të majtëve edhe të djathtëve, edhe partizanëve edhe nacionalistëve. Vërehet se për problemin e emërtimeve të personalizuara, zhurma më e madhe bëhet dhe politizimet më të theksuara, bëhen në zonat rurale, ndonëse me zvogëlimin e fshatrave rezultat i braktisjeve, pak shanse kanë mbetur, por që janë dukuri për vetë marrëdhëniet në ato komunitete dhe shtratin që gjejnë forcat politike për manipulime.

Po bëj pak si objeksion të këtij opinioni zonën rurale të Shëngjergjit, fshat e krahinë me shumë vlera historike e sot edhe turistike në qarkun e Tiranës. Dikur në regjimin komunist, ky fshat shkollës në qendër kur ajo ishte më e vogël, i vunë emrin e një dëshmori ndër të 15 e ca që ka krahina. Më pas kaluan vite dhe ajo shkollë u rrit e kaloi në të mesme, e mandej i vunë një emër tjetër, të një dëshmori tjetër, veçse ky dëshmori tjetër apo i dyti kishte qenë oficer i qeverisjes së Zogut, oficer që ishte ngritur me armë kundër Mbretit dhe Mbreti ligjërisht e drejtësisht na e dënoi me pushkatim. Në komunizëm regjimi e shpalli dëshmorë se kishte luftuar Mbretin Zog e nga kjo “meritë” e të tjera, i dhanë Shkollës emrin e dëshmorit, që luftoi Mbretin. Anomali! Kjo nuk shkonte, ndaj në demokraci, rezultat edhe i propozimit të një grupi intelektualësh shkolla u kalua në emrin origjinal, pa emër të personalizuar por vetëm thjesht e bukur “Shkolla e Mesme Shëngjergj”, emërtim ky i pranuar siç thonë gjerësisht në krahinë, e i pa politizuar, emër shkolle për gjithë popullin pa dallim majtas e djathtas.

Në rastin konkret, a e “mbante” si peshë ajo shkollë, emrin (nuk diskutoj titullin dëshmorë) të një personi, që mori armën kundër një qeverisje ligjore?! Si do t’u thuhej nxënësve për “vlerat” që kishte një emërtimi i tillë i personalizuar i shkollës?! Si do u shpjegohej CV-ja e personit, emrin e të cilit mbante institucioni?! Veçanërisht kur zona siç e përmenda ka edhe shumë dëshmorësh të tjerë të Luftës Antifashiste. Ekuilibri mbi vendosjen e emrave të personalizuara rrugëve dhe institucioneve, ndonëse janë bërë shumë emërtime të tilla dhe do bëhen edhe për të ardhmen e në këtë këndvështrim mbetet gjithnjë çështje aktuale. Si e tillë, nga organet e përcaktuara me ligj për emërtimet e personalizuara të rrugëve dhe institucioneve, ajo meriton kujdesin më të madh në përcaktimin e tyre, duke ndërmarrë fillimisht studimin e duhur, madje të kujdesshëm e të mirëfilltë të çështjes, që nga piketimi fillestar e deri te promovimi, pasi kemi pasur boll luhatje e nuk kemi më kohë të “hallavitemi” me plotësim interesash personale dhe tekash vetjake.

Ndaj organizmat që merren me studimin e deri pagëzimin e rrugëve dhe institucioneve (kupto nomenklaturën përkatëse) me emra të personalizuara, mendoj se kanë domosdoshmëri saktësimin e vlerave të pa kundërshtueshme nga opinioni, i cili na çon kështu domosdoshmërish tek emërtimin i ri dhe i gjithëpranuar. Me keqardhje vërehen nëpër rrugët e Tiranës, emra gjithfarë gjeneralësh të Enverit (jo nga ato të dënuarit ndër vite), që i kanë rrugët e rrugicat e kryeqytetit, siç kanë edhe boll emra ish-personash, që nuk kanë asnjë lidhje e veprimtari të personit me Tiranën dhe shtoj se për jo në Tiranë, por zor se mund t’u gjesh të dokumentuar ndonjë gjë edhe në fshatin e tyre të origjinës. Falë nepotizmit, emri i një x-i (për të mos e personalizuar çështjen) i është vënë një rruge psh., andej nga “Porcelani” (nuk po ja them emrin, personit por të birit ia kam thënë se “çfarë do emri i babait tuaj në rrugën e Tiranës?!

Cili është kontributi i tij në Tiranë”?!) dhe djali nuk ka pas se çfarë të më thotë sepse e di mirë se si është bërë ajo punë, si është vënë ai emërtim rruge dhe po e them se i biri ka një influencë jo të vogël në qarqet politike qendrore e lokale. Këto, pa diplomaci janë abuzime, siç është abuzim sot e gjithë ditën që sipas qeverisjes lokale majtas e djathtas, emërtimet e personalizuara e të papeshuara nuk i janë shmangur procesit të pastudiuar mirë të përurimit e pagëzimit, kur kërkohet nga opinioni që vendim marrjet për këtë qëllim, të jenë të merituara e sa më të ekuilibruara për rrugët e institucionet, pasi siç dihet ato i shërbejnë edhe çështjeve të Sigurisë dhe Mbrojtjes së vendit.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura