Nga Kastriot Dervishi
Stalini në Tiranë
Nuk ndalen marksist-leninistët zyrtarë në Tiranë. Pasi nuk lënë rast pa na promovuar nga magazina e vjetërsirave enveriste me duart e persekutorëve të komunizmit, yje të kuq, envera, etj, tani në shkelje edhe të ligjit po i sulen edhe emërtesave zyrtare.
Në mbikalimin e unazës së re, sapo kanë vendosur një tabelë treguese “21 dhjetori”, pavarësisht se kjo emërtesë sovjetike është hequr qysh prej vitit 1990, së bashku me shtatoret dhe bustet e një prej kriminelëve më të mëdhenj të njerëzimit, Josif Visarionaviç Stalinit. Dhe shtatoret në atë kohë u hoqën pikërisht më 21 dhjetor 1990 sipas një skenari stalinist, natën e në fshehtësi të madhe.
Një veprim i tillë është një fyerje e madhe edhe për shqiptarët që vuajtën nën diktaturë si edhe për faktin se Stalini ka qenë edhe antishqiptar, por është i dënueshëm edhe në Kodin Penal. Lidhet me veprat penale të falsifikimit, përhapjes e nxitjes së urrejtjes si dhe të shpërdorimit të detyrës nga cilido zyrtar që ka harxhuar paratë e shtetit në këtë mënyrë. Prokuroria ka një rast për të vepruar kryesisht, pasi nuk ekziston asnjë emërtesë zyrtare “21 dhjetori”.
Shënim: 21 dhjetori është ditëlindja e diktatorit sovjetik Stalin (1878-1953), udhëheqës i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në vitet 1924-1953 dhe për disa vite kryeministër i këtij shteti. Në Europën lindore shtatoret dhe emërtesat e tij u hoqën në vitin 1956. Riemërtesat siç po ndodh në Tiranë, nuk janë vërejtur në asnjë shtet dikur në lindjen komuniste.