Émile Zola sot në Shqipëri

Mar 15, 2024 | 8:40
SHPËRNDAJE

1200px-Genc_Pollo-e1569348544252-570x410-1GENC POLLO

Para një muaji këtu e në këtë orë dëgjova Doktor Berishën, i cili e filloi fjalimin e mbrëmjes, duke iu drejtuar shpresëtarëve të kësaj rrugice me këto fjalë: “Ju jeni europianët e vërtetë të Shqipërisë!”

Fillimisht mendova të mbrapshtën: se si do e qesëndisnin këtë cilësim ministra, oligarkë e analisto-biznesmenë. Ata që shëtisin Europën me paratë e buxhetit, të tenderave shtetërore apo të reklamave të inceneratorëve; ata që në Bruksel, Vjenë e Paris flenë në hotelet me pesë yje, hanë në restorante ekskluzive, bëjnë shopping në dyqane të shtrenjta. Nuk di nëse ka ndonjë rast të rrallë a shumë të rrallë që ata të vizitojnë edhe muzetë e operan; sipas sërës mund të takojnë politikanë e persona me rëndësi. Në logjikën e tyre, ata vetë janë europianët e vërtetë dhe jo të tjerët, që këto udhëtime nuk i përballojnë dot, ose i bëjnë më shumë nga halli se nga malli.

Pastaj mendova diçka tjetër: më erdhi ndër mend një shkrimtar e intelektual publik në Parisin e para 125 viteve, Émile Zola quhej, i cili protestoi me të madhe kur Alfred Dreyfus, një ushtarak francez, u dënua padrejtësisht me burgim; protesta e shkrimtarit Zola dhe e të tjerëve që e pasuan bëri që gjyqi të rishikohej, që kapiteni Dreyfus të shpallej i pafajshëm e të rehabilitohej si dhe të bëheshin publike motivet e dobëta e paragjykimet fetare (Dreyfus ishte hebre) të denoncuesve e të akuzuesve të tij.

Zola nuk ishte as antisemit dhe as filosemit; ai nuk kishte njohje personale me kapitenin, nuk kishte as interes privat në kauzën e tij.

Por Émile Zola kishte bindjen se dinjiteti i njeriut të krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë ishte i pacenueshëm dhe se për këtë ia vlente të luftoje.

Émile Zola besonte se njerëzit duhet të ishin të barabartë para ligjit dhe se për këtë ja vlente të luftoje.

Émile Zola besonte te drejtësia si parim suprem i shoqërisë e si reference unike e gjyqësorit dhe se për këtë ia vlente të luftoje.

Dhe ishin e janë këto vlera e parime që kanë bërë dhe e bëjnë Europën; shumë më tepër sesa pasuria apo fuqia.

Dhe Émile Zola, në frymë, vlera e parime, ishte më europiani ndër francezët, bashkëkombësit e tij të fundshekullit të 19.

Prandaj unë kur ju shoh juve në këtë rrugicë, shoh qindra Émile Zola;

kur mendoj për të tërë ata që janë larg me trup, por këtu me ju me mendje e zemër më sheh syri qindra mijë Émile Zola.

Shoh europianët e vërtetë që nuk lodhen së luftuari për parime e vlera të vërteta të asaj që njohim si Europë.

Sepse nuk mund të ketë Shqipëri europiane, kur ka burgosje politike.

Sepse nuk mund të ketë Shqipëri europiane, kur nuk ka parlamentarizëm europian.

Sepse nuk mund të ketë Shqipëri europiane me në krye satrapë orientalë me kostume firmato.

Sepse nuk mund të ketë Shqipëri europiane pa shqiptarë europianë dhe ju e të tjerë si ju jeni fara, rrënja, filizi e kurora e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura