Dy shqiptarë janë plagosur me armë zjarri në Como të Italisë, ndërsa autorët kanë qenë të maskuar.
Ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e vona të së premtes (20 shtator), por vetëm mbrëmë është bërë publik në mediat italiane.
Të plagosurit janë Indrit Lleshaj 44 vjeç dhe Artan Lazari 42 vjeç, dy emra të njohur për autoritetet italiane. Ata janë qëlluar me disa plumba në gjoks dhe ndodhen në spital, ku njëri raportohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore.
‘Dy shqiptarët e plagosur udhëtonin me një makinë tip Audi Q5, e cila fillimisht u bllokua nga një makinë tjetër e paidentifikuar. Sapo marshimi i tyre u ndal , mbërriti një motoçikletë me dy burra në bord, me fytyra të maskuar. Të dy fillimisht thyen xhamin e përparmë të Audi-t, por kur Lleshaj dhe Llazari zbritën, ata u goditën nga disa të shtëna me armë zjarri nga njëri prej dy të panjohurve, i cili i plagosi kryesisht në gjoks dhe në qafë’, shkruajne mediat.
Dy shqiptarët mbetën në tokë të plagosur, ndërsa motoçikleta dhe makinat u larguan.
Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë, të cilat kanë filmuar ngjarjen.
Dy të plagosurit pritet që të merren edhe në pyetje për të zbardhur ngjarjen, pasi janë të vetmit që janë identifikuar.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al