Policia e Shtetit ka zbardhur dinamikën e atentatit me armë zjarri në Dobraç të Shkodrës, ku viktimë mbeti Hamza Lici, Arlind Bushati dhe kalimtarja Flutura Basha, ndërsa u plagos bashkeshorti i Flutures, Bashkimi.
Policia sqaron se Hamza Lici dhe Arlind Bushati kanë qenë duke lëvizur me një automjet tip Benz, kur janë sulmuar me breshëri kallashnikovi nga persona ende të pa identifikuar. Për pasojë Lici ndërroi jetë ne vend, ndërsa Bushati u plagos në gjendje të rëndë, por si pasoje e plageve vdiq pak ore me vone.
Hamza Lici dhe Arlind Bushati ishin duke u kthyer nga Mali i Zi kur makines se tyre iu be pritë.
Si pasojë e të shtënave, makina e tyre ka humbur kontrollin, duke u përplasur me një motor, ku po udhëtonin bashkëshortët Bashkim dhe Flutura Basha. Për pasojë kjo e fundit ndërroi jetë, ndërsa burri i saj u plagos.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve
ARLIND BUSHATI
Arlind Bushati, i cili mbeti në këtë atentat i plagosur rëndë, është djali i Xhemal Bushatit, ish kandidatit të Partisë Demokratike për kryetar bashkie të Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2022.
Pak ditë më parë Arlind Bushati u kërcënua me armë para një lokali në qendër të qytetit të Shkodrës, fare pranë banesës së tij, nga dy persona që po lëviznin me një motoçikletë.
Ai bëri një denoncim në policinë vendore, por pa bërë të ditur nëse kishte identifikuar apo jo autorët. Ndërsa në mars të vitit 2022 banesës së prindërve të tij iu vu një sasi tritoli.
KONFLIKTET
Prej disa vitesh, familjet e njohura Lici dhe Bajri, në Shkodër janë në përplasje me njëra tjetrën, ç’ka ka shkaktuar edhe disa viktima. Përplasja dyshohet se ka nisur pas një atentati, në janar të 2018, ndaj biznesmenit Lulzim Kulla. Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje.
Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, kur në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave. Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri.
Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit. Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, që dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, më 1 shtator të vitit të 2018 u vra Arjan Ferracaku, që ishte duke ecur me kalë.
Më 14 nëntor u ekzekutua kushëriri i Arjanit, Fatos Ferracaku, kur shiste peshk në lagjen “Rus”. 30 mars 2019, vriten në shtëpi Astrit e Ibrahim Bilali . Saga e vrasjeve vazhdoi me Endri Mustafën dhe autor dyshohet Ibrahim Lici.
Një pjesë e këtyre ngjarjeve kanë dalë edhe në bisedat e zhvilluara në SKY dhe ECC dhe po hetohen nga SPAK.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit H. L. dhe A. B.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shtetasi H. L., dhe është plagosur rëndë shtetasi A. B.
Automjeti që udhëtonin shtetasit H.L dhe A.B, dyshohet ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al