EMRI/ I dehur në timon, arrestohet 22-vjeçari që përplasi për vdekje 18-vjeçaren dhe plagosi motrën e saj

Mar 3, 2022 | 12:09
SHPËRNDAJE

Policia e Durrësit ka arrestuar personin, i cili mbrëmjen e djeshme në gjendje të dehur përplasi me makinë dy motrat në Qerret, njëra prej të cilave ndërroi jetë në vendngjarje, ndërkohë që tjera u plagos rëndë dhe po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor në spital.

Bëhet me dije se autori i aksidentit të rëndë i arrestuar nga policia është shtetasi Izmir Kusi, 22-vjeç.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, tekse tre nxënës kanë zbritur nga një mjet furgon që po i sillte nga shkolla.

22-vjeçari ka humbur kontrollin e mjetit, është përplasur me një makinë tjetër dhe ka marrë përpara tre nxënësit që po zbrisnin nga autobusi. Viktimë e asaj përplasjeje fatale ka mbetur 18-vjeçarja, Floriana Kolgjini, me origjinë nga Kukësi e me banim në afërsi të vendit të ngjarjes.

Vajza në momentin e aksidentit ka qenë bashkë me të motrën, më të vogël dhe një person tjetër. Floriana, e cila ka qëlluar në anën e rrugës, ka marrë plagë të shumta e për pasojë nuk ka mundur të mbijetojë, ndërkohë që e motra dhe i plagosuri tjetër gjenden në spital nën kujdesin e mjekëve të Durrësit.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin I. K., 22 vjeç, banues në Sukth, Durrës, i cili pasditen e djeshme, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, në aksin rrugor Qerret-Katund i Ri, është përplasur me një automjet tjetër me drejtues shtetasin A. D., 38 vjeç dhe më pas ka aksidentuar 2 këmbësore, shtetasen F. K., 18 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ka humbur jetën në vendngjarje, dhe një shtetase 13 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura