Forcat e armatosura amerikane “ndaluan nazizmin dhe komunizmin” dhe “të këqija të tjera, si spastrimi etnik serb”.
“Ato ndihmuan në lindjen e demokracive – nga Gjermania në Irak”.
Këto deklarata i bëri Marco Rubio, senator i Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara, gjatë një fjalimi për rolin e Amerikës në botë, në vitin 2011.
Trembëdhjetë vjet më vonë, emri i tij përflitet për pozitën e sekretarit amerikan të Shtetit.
Disa media amerikane raportuan se Rubio është në bisedime me ekipin e tranzicionit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për pozitën e lartë.
Aktualisht, ai shërben si nënkryetar i Komitetit të Senatit për Inteligjencë dhe është anëtar i Komitetit për Marrëdhënieve me Jashtë.
Si përfaqësues nga Florida në Senat, 53-vjeçari u zgjodh për herë të parë në vitin 2010. Përgjatë karrierës, rajonin e Ballkanit e kishte disa herë në fokus.
Në vitin 2022, ai iu bashkua një grupi senatorësh, i cili i dërgoi letër presidentit amerikan, Joe Biden, për ta inkurajuar që ta mbajë Ballkanin në vëmendjen e tij.
“Ballkani është një zonë e cenueshme e Evropës dhe, megjithëse Ukraina duhet ta ketë vëmendjen tonë të menjëhershme, ne nuk mund ta humbasim nga sytë këtë rajon, ku NATO-ja, prej kohësh, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes”, u tha në atë letër.
Aty po ashtu theksohej se Rusia, për kohë të gjatë, ka luajtur rol destabilizues në Ballkan, për t’i penguar vendet që aspirojnë NATO-n të anëtarësohen në këtë aleancë.
“Në veçanti, ne i bëjmë thirrje NATO-s që ta rrisë angazhimin e saj në rajon dhe t’i marrë parasysh masat emergjente, në rast se Rusia vë veto ndaj rinovimit të misionit të Forcave të Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më vonë këtë vit”, u tha në atë letër.
Në vitin 2021, Rubio mirëpriti lajmin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës.
“Ky është një hap i rëndësishëm për të dyja vendet, si dhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, shkroi Rubio në X.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al