Kryeministri Edi Rama, në homazhet për Kryepeshkopin, është shprehur se Janullatos erdhi në vendin tonë si prift nga Greqia 33 vite më parë dhe u larguar si “Anastasi i Shqipërisë”.
Gjatë fjalës së tij në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, kreu i qeverisë u shpreh se këtë Kryepeshkopi Anastas Janullatos e dëshmoi me vendimin e tij për t’u varrosur në tokën shqiptare.
Edi Rama: Sot më takon të kujtoj në nderim e tij diçka që shumë e kanë parë dhe shumë të tjerë se kanë kuptuar, apo s’kanë dashur ta besojnë por që në fund ai e dëshmoi në 33 vite dhe e dëshmon edhe sot me trupin që la këtu, në tokën e Shqipërisë, i cili me kërkesën e tij do të varrohet në këtë Katedrale të ngjalljes së Krishtit, siç ai e quajti Katedralen.
Kësisoj në këtë ditë të mbylljes së ciklit në një jetë kushtuar ngjalljes duhet thënë pa farë dyshim se në përmasën e vetme që atij i interesonte, atë të fesë, Anastasi erdhi mes nesh 33 vite më parë si prift nga Greqia dhe pas 33 viteve ndahet nga mesi ynë si Anastasi i Shqipërisë.
Kreu i qeverisë u shpreh gjithashtu se prania e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në homazhe “jep mesazhin kuptimplotë të pandashmërisë në jetën dhe në zi mes dy vendeve dhe dy popujve tanë”.
Edi Rama: Për hirin e pamohueshëm të së vërtetës gjithë çfarë mban rruzulli me njerëz të nderuar të fesë, me intelektualë të angazhuar për paqen dhe përmes dialogut ndërfetare dhe deri tek çdo kryetar shteti e qeveri që e njohu ia patën shumë zili Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Me siguri këtë opinion e bashkëndan tërësisht me mua edhe miku im kryeministri grek Mitsotakis që na nderon sot me praninë e tij dhe delegacionit të nderuar që e shoqëron për të nderuar figurën epokale të kryepeshkopit, kishën Autoqefale të Shqipërisë dhe shtetin ku ajo sot merr frymë lirisht duke i dhënë njëkohësisht me këtë prani mesazhin kuptimplotë të pandashmërisë në jetën dhe në zi mes dy vendeve dhe dy popujve tanë.
Kam pasur privilegjin të jem i pranishëm këtu në këtë Katedrale që Kryepeshkopi ia kushtoi ngjalljes së Krishtit kur u bë inaugurimi i saj. Ishte dita e madhe e shpërblimit të mundit të tij të gjatë në një rrugëtim ku edhe mua mu dha mundësia ta shoqëroj bashkë me të tjerët, fillimisht si Kryebashkiak e më pas si Kryeministër deri kur ai e bëri realitet.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al