FATOS ÇOÇOLI
Me vizitën e djeshme të Presidentit Erdogan në Tiranë, marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë morën dëshminë më të freskët që janë në nivele shumë të larta. Në tri marrëveshjet e nënshkruara dje, një ishte për bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi, të mbështetur nga shteti, midis Ministrisë sonë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë. Kjo vizitë pason vizitën e Kryeministrit Rama dhe gjysmës së kabinetit të tij në Ankara tetë muaj më parë, në shkurt 2024. Në atë vizitë, Shqipëria dhe Turqia pohuan nisjen e një etape të re bashkëpunimi strategjik në fushën e ekonomisë. Mirëpo ende ky bashkëpunim “nuk ka hapur krahët plotësisht”, nuk ka treguar mundësitë e tij të plota.
Megjithatë, edhe për këtë vit, Turqia renditet partneri i dytë tregtar më i rëndësishëm i vendit tonë, pas Italisë, me 8.1 për qind të vëllimit të importeve dhe eksporteve, që mund të shkojnë deri në 100 miliardë lekë ose mbi 1 miliard dollarë këmbime këtë vit. Kjo, ngaqë shkëmbimet tregtare me Turqinë njohën rritje në 8 muajt e parë të këtij viti, duke arritur në 69.4 miliardë lekë ose gati 700 milionë dollarë. Ne eksportojmë 25 herë më pak mallra nga sa importojmë nga Turiqa. Për periudhën janar-gusht 2024, eksportet tona drejt Turqisë ishin 2.7 miliardë lekë, ndërsa importet po për të njëjtën periudhë ishin mbi 66.6 miliardë lekë. Ne importojme materiale ndërtimi, metale, tekstile dhe këpucë, ndërsa eksportojmë minerale, metale, bimë mjekësore dhe produkte fason. Shqipëria ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë.
Me anë të kësaj marrëveshjeje, të dyja vendeve tona u krijohen mundësi pa kufizim për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre. Për shkak të marrëveshjes se tregtisë së lirë, Turqia u jep mundësinë eksportuesve tanë të dërgojnë në tregun turk një numër produktesh shqiptare pa tarifa doganore, ose me kuota tarifore. Për shembull, eksportet e produkteve industriale me origjinë shqiptare janë të liberalizuara. Ndërkohë, për produktet bujqësore, palët i kanë akorduar reciprokisht njëra-tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore. Në tri dekadat e fundit, Turqia na ka ndihmuar me bujari të jashtëzakonshme në periudhat më kritike të historisë së vendit tonë dhe ne si popull e qeveri i jemi mirënjohës popullit dhe qeverisë turke. Në vitin e mbrapshtë 1997, ndihmat turke ishin shumë të rëndësishme. Në tërmetin shkatërrues të 26 nëntorit 2019, të nesërmen më 27 nëntor, ndihmat e para për të mbijetuarit erdhën pikërisht nga Turqia. Ky vend dhuroi 70 milionë dollarë për të ndërtuar 500 apartamente në Laç për familjet që kishin humbur shtëpitë nga tërmeti dhe në pak kohë e realizoi premtimin.
Në janar 2021, në mes të pandemisë së COVID19, kur të gjitha shtetet e Evropës Perëndimore kishin hallet e tyre me sigurimin e vaksinave, ishte shteti mik turk dhe Presidenti i tij Erdogan që na mundësuan të furnizoheshim me një milion vaksina kundër pandemisë. Brenda tre muajve, në mes të pandemisë, shteti turk dha pjesën më të madhe të 70 milion eurove të ndërtimit të spitalit rajonal modern të Fierit. Në konferencën për shtyp me Kryeministrin Rama, Presidenti turk Rexhep Tahip Erdogan, tetë muaj më parë në Ankara, u shpreh i bindur se: “Me përpjekjet e sektorit tonë privat, do ta arrijmë shifrën 2 miliardë dollarë shumë shpejt. Turqia është një prej 5 investitorëve të huaj më të mëdhenj në Shqipëri, me 3.5 miliardë dollarë. Do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë reciproke, për të rritur investimet”.
Qeveria jonë ka për detyrë t’ia kujtojë gjithmonë këtë premtim Presidentit turk. Dëshira e tij e mirë mund të realizohet, në dobi të të dy popujve tanë. Turqia është investuesi i tretë më i madh në vendin tonë, pas Italisë dhe Holandës. Sektorët me prani të ndjeshme të kapitalit turk te ne janë kryesisht sistemi bankar, industria e rëndë, sektori i ndërtimit dhe energjetika. Kompanitë turke janë të pranishme në shumë ndërtime në infrastrukturë dhe në turizëm. 49 për qind e investimeve në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës i takojnë kompanisë turke që gjatë pandemisë ndërtoi në tre muaj Spitalin modern të Fierit. Janë të gjitha kushtet që tregtia, marrëdhëniet tona ekonomike dhe investimet turke të rriten ndjeshëm gjatë këtij viti dhe në vitet e ardhshme. Dy miliardë dollarët në vit të shkëmbimeve tona tregtare dhe të investimeve të kapitalit turk tek ne nuk janë shumë larg, por qeveria jonë duhet t’i nxisë këto investime akoma dhe më shumë./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al