SPAK ka reaguar një ditë pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u mor në pyetje për 5 orë nga Prokurorët e Posaçëm.
Prokuroria e Posaçme sqaron se ka regjistruar procedimin penal për veprën “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A.
“Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm”, informon SPAK.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, deri në këtë fazë të hetimit paraprak nga provat e grumbulluara është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
Njoftimi i SPAK:
Në përgjigje të interesit tuaj ju komunikojme: Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale:“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm.
Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.
Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Reagimi i Erion Veliajt
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka sqaruar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak pasditen e së enjtes (26 Dhjetor) disa orë pas daljes nga SPAK, se ishte paraqitur për shkak të denoncimit nga një person, që siç tha ai, është anonim dhe nuk ekziston.
Veliaj u shpreh se do ishte shqetësuese që kryetari i bashkisë të mos paraqitej në SPAK për kurthe anonime, ndërsa theksoi se nuk bën pjesë tek ata politikane që SPAK i thotë SKAP kur nuk i intereson.
Kryebashkiaku thumboi opozitën, duke i thënë se do të munden sërish në zgjedhjet e majit, pavarësisht letrave anonime dhe kurtheve.
“Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, i cili është një personazh që nuk ekziston, për të na kthyer mallin e letrave anonime. Unë e kuptoj që disa njerëz që nuk na mundin dot në zgjedhje janë kthyer në zanatin e letrave anonime
Të gjithë e dimë se cfarë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti përfaqëson dhe cfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil. Duke qenë se kryetari i bashkisë ka në zotërim regjistrin e gjendjes civile dhe mund të verifikojë se është një kurth i sajuar, kam qenë bashkëpunues. Do ishte shqetësuese nëse kryetari i bashkisë edhe për kurthe anonime nuk paraqitet. E di gjithë Tirana ku jetoj unë, e di gjithë Tirana ku banoj unë, ku isha para zgjedhjeve, ku do jem pas zgjedhjeve dhe ku do jem deri në fund të kësaj detyre.
Unë hyj tek ajo rracë politikanësh që nuk i thotë SPAK-ut SKAP kur nuk i interesin dhe i thotë SPAK kur i intereson për kundërshtarët e vetë. As nuk kam bërë antiprotesta dhe as nuk i them SPAK plaç kur shkon dhe me letra anonime mundohet. Këtu do jemi, në maj do ju mundim me gjithë letra anonime, me gjithë kurthe, edhe me gjithë klithmat e hienave. Këtu do jemi dhe do e shikoni”, tha Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al