Erozioni i lumenjve në Shqipëri/ Flasin ekspertët: Po aq kërcënues sa ai detar, duhet ndërhyrje

Apr 10, 2022 | 22:14
SHPËRNDAJE

Ndryshimet klimatike po ndikojnë që erozioni i lumenjve të shfaqet gjithnjë e më me pasoja në Shqipëri. Sipas studiuesve erozioni po zvogëlon sipërfaqen e tokës bujqësore që është për Shqipërinë më e ulta për frymë të popullsisë në Europë. Sipas një raporti të fundit të Bankës Botërore rreth 20% e tokës në Shqipëri ka një shkallë të lartë rreziku, prej dukurive erozive.

erozioni lumenjte

Pano Muka, pronari i një toke bujqësore buzë lumit “Drino” në Gjirokastër, sheh viti pas viti si rrjedha e ujit po e pakëson pronën e tij. Në një gjatësi prej disa qindra metrash ujrat e lumit kanë rrëmbyer, jo vetëm token, por edhe shtylla elektrike përfshirë këtë vit edhe një shtyllë të tensionit të lartë.

“Prej vitesh vazhdon kjo dukuri. Përballë tokës sonë është krijuar një sipërfaqe që mund të jetë rreth 2 mijë metër katrorë me zhavor dhe inerte. Ndërkohë lumi merr në anën tonë tokë buke dhe pritet të përparojë, nëse nuk vihet dorë deri në zonë urbane në qytet”, thotë zoti Muka.

Pano që e trashëgoi tokën nga gjyshërit e tij, që kishin një fabrikë lëkure e cila u sekuestrua nga regjimi komunist dhe familjarët njohën persekutime, tani e ka të pamundur të mbrojë sipërfaqen e vogël që ende se ka marrë lumi. Ai thotë se qeveria prej vitesh ka ndërhyrë në njërën anë të lumit dhe ka premtuar bonifikimin e kësaj zone, por kjo gjë ende s`ka ndodhur për anën ku gjendet prona e tij dhe e të afërmve.

“I kemi shkruar qeverisë dhe kryeministri ka premtuar ndërhyrje. Na është premtuar kur të krijohen fonde do të bëhet bonifikimi ose mbrojtja e krahut të lartëm të qytetit të shtratit të lumit Drino, që deri sot nuk është bërë. Gjirokastra po plaket nga emigracioni, nga ikja e njerëzve , nga rrënimi i çative të shtëpive historike, tani po grryhet dhe nga lumi. Do një dorë ndërhyrjeje”.

Inxhinieri Niko Lici që drejton Bordin e Kullimit në Gjirokastër thotë për Zërin e Amerikës se në shtratin e lumit Drino në vitet e fundit janë bërë disa ndërhyrje, por nevojat mbeten ende të mëdha.

“Vitet e fundit ne kemi ndërhyrë duke sistemuar shtratin e lumit Drino në Gjirokastër, pasi nga dalja e lumit kishim mjaft fenomene si bllokimin e rrugës kombëtare, përmbytjen e nënstacionit elektrik, përmbytjen dhe zhavorimin e një pjese të tokave bujësore. Investimi në këtë sektor me një vlerë të konsiderueshme, rreth 3 milionë dollarë ka bërë që gati gjithë tokat bujqësore në shtratin e lumit Drino të kenë një përmirësim të ndjeshëm në drejtim të kullimit dhe mospërmbytjes së tyre.”

Zoti Lici thotë se bashkitë duhet të kenë një rol më të madh.

“Veprat e artit që shërbejnë si parandalim, sic janë pritat malore për të parandaluar përcjelljen e materialeve inerte drejt shtratit të lumit janë të shkatërruara. Këto vepra nuk i përkasin Bordeve të Kullimit por bashkive. Me një koordinim më të mirë të punës që duhet bërë mes pushtetit vendor dhe ministrisë së Bujqësisë duhet që këto ndërhyrje të jenë paralele”, thotë zoti Lici.

Vetëm në Qarkun e Gjriokastrës nevojiten rreth 10-15 ndërhyrje për mbrojtjen e tokave nga lumenjtë, thotë zoti Lici më tej. Degradimi i tokës dhe erozioni i tokës kanë rezultuar në zvogëlimin e sipërfaqes së tokës bujqësore arë të Shqipërisë gjatë viteve të fundit ku toka për frymë është më e ulëta në Evropë. Profesori i Shkencave Gjeografike Niko Rogo thotë se Shqipëria është mjaft e ekspozuar ndaj këtyre dukurive.

“Erozioni në Shqipëri në përgjithësi është shqetësues për vetë faktin se rajonet mesdhetare ku bëjmë dhe ne pjesë kanë kushtet optimale për zhvillimin e një erozion intensiv. Përhapja e formacioneve të paqëndrueshme, shumë të gërryeshme, klima, sidomos intesiteti i reshjeve, rënia në formë rrebeshi, në një kohë të shkurtër , ndryshimet e mëdha temperaturiale kanë një ndikim të madh.”

Zoti Rogo thotë se duhet të vijojnë masa të qëndrueshme për mbrojtjen nga erozioni dhe të rritet bashkëpunimi.

“Nuk shikojmë të bëhen investime dhe mungon një bashkëpunim i specialistëve, studiuesve me pushtetin vendor dhe komunitetin. Duhen më shumë programe dhe masa ndaj erozionit si mbjellje fidanësh për të frenuar gërryejen e tokës”, thotë zoti Rogo.

Sipas një raporti të Bankës Botërore publikuar shkurtin e këtij viti mbi kapacitetet ujore të Shqipërisë në më shumë se 20 për qind, toka shqiptare rrezikohet të gërryhet me një shkallë prej më shumë se 5 tonë për hektarë në vit.

Sipas raportit, 70 për qind e territorit po gërryhet me 20 tonë për hektarë në vit dhe vetëm 10 për qind e tokës është më pak e prekur nga erozioni.

Banka Botërore vlerëson se ndryshimet klimaterike do ta përkeqësojnë më tej situatën, dhe e këshillon Shqipërinë të rrisë masat e qëndrueshme për mbrojtjen ndaj këtyre dukurive/ VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura