“Ervis Martinaj ishte shok i përbashkët”- Organizoi atentatin ndaj Santiago Malkos si hakmarrje për dhunën ndaj babait? Leonard Duka në GJKKO: Kisha 3 vite pa e parë, kur e takova…

Oct 24, 2024 | 14:31
SHPËRNDAJE

Leonard Duka, në dëshminë e tij në GJKKO, ka mohuar akuzat se qëndron pas vrasjes së ish-policit Santiago Malko, krim i ndodhur më 27 Gusht të vitit 2019 në Tiranë.

ervis martinaj leonard duka

Leonard Duka dhe Santiago Malko ishin miq me njëri-tjetrin, por dyshohet se shoqëria e tyre u prish pasi ish-polici i dhunoi babain.

Por, Leonard Duka ka mohuar që babai i tij të jetë dhunuar apo fyer, duke theksuar se “nuk kemi pasur asnjëherë konflikt, as unë dhe as familja ime”.

Ai shtoi se shok i tyre i përbashkët ishte Ervis Martinaj dhe se para ekzekutimit të Santiago Malkos kishin 3 vite pa u takuar.

“E kam pasur shokë prej 15 vjetësh, jemi ndarë në 2017, secili në punën e vet. Por e kam ruajtur respektin për të”, tha Duka teksa theksoi se “kur e kam takuar s’ishim vetëm, por kemi qenë me miq të përbashkët”.

Leonard Duka: Nuk kemi pasur asnjëherë konflikt, as unë as familja ime. Çuna të rinj jemi, jemi zënë, jemi gri, pse ty nuk të ka ndodhur ndonjëherë të zihesh. Kjo punë nuk ka lidhje me ngjarjen, nuk e di sa herë është zënë vëllai im rrugëve.

Sherrin e vëllait, Erlisit, e kam marrë vesh nëpërmjet robve të mi, se isha në Gjermani. Mora vesh që vëllai është zënë për çështje pse më shef. Në dijeni për vëllain më vuri babi. Me vëllain nuk komunikova dot se u fut në burg, pastaj në gjyq.

Babit tuaj i ka ndodhur diçka?

Leonard Duka: Nuk ka pasur babai as fyerje, as goditje, nga askush. Nuk e di me se është marrë Santiago Malko, kisha 3 vjet pa e parë. Kur e takova nuk isha vetëm me të. Shoku i përbashkët ka qenë Ervis Martinaj. E kam pasur shokë prej 15 vjetësh, jemi ndarë në 2017, secili në punën e vet.  Por e kam ruajtur respektin për të.

Unë kam pasur bizneset e mia, ai të vetat. Edhe ai ka pasur bastet e veta. Nuk e di mese është marrë. Pasi u ndamë nuk e di ç’ka bërë. Nuk kemi pasur asnjë marrëdhënie borxhi. Kur jemi takuar herë të tjera nuk kemi qenë bashkë por me miq të përbashkët. Nuk ua mbaj mend emrat. Jemi takuar nëpër club-e, lokale. Santiago dhe Visi, di që kanë qenë shokë.

DOSJA HETIMORE

Leonard Duka dhe Ervis Martinaj kanë pasur shoqëri prej rreth 15 vitesh me njëri-tjetrin dhe kanë bashkëpunuar me qëllim zhvillimin e biznesit në fushën e lojrave të fatit si dhe në administrimin e bizneseve të llojit, hotele, lokale në zonën e ish-Bllokut dhe të tjera të Tiranës.

Po kështu këta dy shtetas kanë bashkëpunuar edhe me qëllim zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikut të narkotikëve me qëllim përfitimi.
Por duket se kjo shoqëri mori fund pasi dhunimit që Santiago Malko, miku i Ervis Martinaj, i bëri babait të Leonard Dukës.

Duka që mesa duket nuk ia fali Malkos, këtë poshtërim.

Por organizoi vrasjen e tij, që nuk vonoi.

Dosja Hetimore

Konflikti midis Dukës dhe Martinaj ka nisur për shkak të një debati që Leonard Duka ka pasur me Santiago Malkon, shtetasin e vrarë me datë 27 Gusht 2019 në Tiranë.

I cili rezulton se ka dhunuar babain e Leonardit, shtetasin Muhamed Duka.

Santiago Malko që dyshohet se ishte i përfshirë në aktivitete të paligjshme ne fushën e trafikimit të narkotikëve dhe krimeve kundër jetës ishte lidhje e ngushtë e Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasit.

Pikërisht pas vrasjes së Santiago Malkos, Ervis Martinaj bën përgjegjës për ekzekutimin e mikut të tij Leonard Dukën dhe lidhjet e tij.

Nga ku Martinaj fillon të investohet për të vrarë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka dhe lidhjet e tyre shoqërore.

Ndërkohë që nga krahu tjetër këta persona investohen për të vrarë Ervis Martinajn, Erigers Mihasin dhe njohjet e tyre.

Dosja Hetimore

Nga analizimi i komunikimeve del se Fatmir Hyseni shfaqet si një person me eksperiencë në fushën e krimeve kundër jetës dhe është i angazhuar në mënyrë konstante për lokalizimin dhe vrasjen e Ervis Martinaj dhe lidhjeve të tij.

Më datë 10 Korrik 2020, Leonard Duka ka siguruar një informacion që Ervis Martinaj mund të jetë në plazh me një femër në Dhërmi tek një vend i njohur si ‘Vin Bakalli’.

Për këtë arsye ka njoftuar Fatmir Hysenin.

Dhe ky i fundit ka dërguar një person që i drejtohet me emrin ‘nipçe’ për të verifikuar këtë informacion.

Por ndërkohë që Ervis Martinaj po përgatitej të fuste në kurth Leonard Dukën, ky i fundit mëson për planin e kundërshtarit të tij.

Dhe organizohet ta zerë në befasi atë që deri dje ishte miku i tij. Por që tani ishte armiku më i betuar.

Dosja Hetimore

Në periudhën kohore duke filluar nga data 1 Gusht 2020 dhe në vazhdimësi Leonard Duka ka siguruar informacion që Ervis Martinaj ka angazhuar disa femra me qëllim për t’i afruar pranë tij që ta nxirrnin në pritë.

Për këtë arsye Leonard Duka njofton Fatmir Hysenin i cili angazhohet për planifikimin e vrasjes së personave që do të afrohen për të vrarë Leonardin.

Në këtë plan kanë marrë pjesë të gjithë pjesëtarët e grupit të drejtuar nga Leonard Duka ku ky i fundit do të luante rolin e ‘karremit’ i cili do të takohej me këto femra në një vend ku terreni është i njohur mirë nga ai vetë dhe lidhjet e tij.

Por vajzat nga Shkodra nuk erdhën në takim, dhe kështu plani duket se dështoi.

Ndërkohë që grupi i Leonard Dukës, mësoi se personi që do i fuste ata në kurth ishte Erigers Mihasi.

Edhe ky i vrarë në një atentat në Tiranë, disa kohë më pas.

Dosja Hetimore

Leonard Duka dhe bashkëpunëtorët e tij kanë dyshuar se organizatori i takimit me vajzat atë ditë do të ishte Erigers Mihasi, i njohur me pseudonimin ‘Boli’ dhe një person tjetër që dyshohet se është punonjës policie që i thërrasin me emrin ‘Olci’.

Më datë 12 Gusht 2020, Leonard Duka ka kontaktuar me femrat me të cilat do të organizonte takimin por ato nuk janë treguar të disponueshme të takoheshin në këtë datë sepse njëra ishte në Shkodër ndërsa tjetra kishte angazhime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura