ESE/ Nga Rudolf Marku: Preç Zogaj dhe poezia bashkëkohore shqipe

Sep 22, 2024 | 18:32
SHPËRNDAJE

aaaaa-728x430

Nga Rudolf Marku

Prej kohësh poezia shqipe ka dëshmuar se ka lëvizur bindshëm drejt bashkëkohësisë estetike por, ashtu siç ndodh dendur në kulturën shqiptare, në veçanti që vlerat e vërteta të mbulohen nga pirgu i mediokritetit të stërlavdëruar mediatik – por dhe nga ajo akademike, poezia e vertetë gjallon e fshehur, por jo e ndrojtur, në faqet e librave, duke dëshmuar qoftë dhe me këtë se ështe një poezi e vërtetë. Ka ngjarë po ashtu siç ndodh me bukurinë e rrallë dinjitoze femërore që preferon të fshihet përballë një parade femrash të stërlyera dhe gjoksjashtë, të cilat me lehtësi tërheqin vëmendjen e turmës së etur seksualisht.

Frederik Reshpja, Sadik Bejko, Natasha Lako, Preç Zogaj, Ndoc Gjetja, dhe ndonjë tjetër kanë bërë që poezia shqipe të ketë dëshmuar evoluimin e bindshëm drejt poezisë moderne, drejt asaj poezie që mbështetet në ritmin e gjuhës së folur, që i largohet me një instinkt të shëndoshë fabulës dhe rrëfimit, aq të stërlavdëruara në viset e kritikës tonë madje si virtyte të një poezie kombëtare dhe popullore; një poezi që ka një zhargon tjetërsoj, e cila afron intensitetin emocional me sofistikimin gjuhësor dhe stilistikor, një poezi e cila duke qenë më tepër një përvojë private emocionale jo vetëm që nuk struket në një botë vetjake, por, përkundrazi dhe paradoksalisht, ngaqë është e tillë vetjake, bëhet më e aftë që të ndjehet si nje eksperiencë emocionale e të tjerëve, në këtë rast e lexuesve.

Të gjitha tiparet e poezisë së re shqipe të autorëve të përmendur më lart, i shoh të mishëruara me elokuencë dhe me luçiditet në këtë libër poetik të poetit, prozatorit, eseistit dhe publicistit të mirënjohur Preç Zogaj-t, që fillon një nismë për t’u lavdëruar të UET-it, nismën e kolanës së Poezisë së re Shqipe.

Ky libër bëhet tepër i rëndësishëm dhe, sipas mendjes time, njëri ndër librat më të mirë të poezisë shqipe, falë përqasjes unike te poezisë, preokupimit detajor dhe strukturës poetike, intensitetit emocional, logopoeia-s dhe imazheve të papritura, artikulimit lehtësisht të natyrshëm të zërit poetik, si dhe preokupimit të vazhdueshëm të poezisë për nga detaji dhe struktura poetike. Ashtu siç ndodh me poezinë e vërtetë, e cila flak dhe injoron tonet e lehta, për t’u përqëndruar tek thelbi i shpirtit të njeriut, poezitë e këtij libri i kanë bërë të vetat natyrshëm dy temat më madhore të poezisë, që në fakt janë një temë e vetme; Dashurinë dhe Vdekjen. Pjekuria e poetit? Përvoja e mosheës? Apo pjekuria e poezisë?

Përmbledhja poetike e gjithë krijimtarisë poetike të deritanishme të Preç Zogajt shpreh një vazhdimësi të admirueshme të unitetit poetik të krijimtarisë së mëparshme. Mbaj mend botimin e ciklit të parë poetik të tij, shumë e shumë vite më parë, poezitë e një tetëmbëdhjetë vjeçari pothuajse të panjohur. Poezi, që imponoheshin me freskinë, sinqeritetin, natyrshmerinë, varietetin e formës, tonit dhe zërit poetik. Një poezi spontane, jashtëzakonisht spontane, që sillte një sensibilitet jo të zakonshëm, të shprehura me teknikën e pyrotheknikës, të zjarreve që flakërojnë përkundrejt qiellit të errët. Dhe, mbi të gjitha, ngarkesa emocionale e rrallë, ngase është një sensibilitet i besueshëm i një përvoje vetjake. Poezi te mbizotëruara nga intonacionet e trishtimit, vdekjes, vetmisë, dashurisë, aq sa shpesh ndodh që Preçi të quhet Poeti i Dashurise. Poezitë e dashurisë, që shoqërohen me ndjesinë e pasigurisë tragjike të dashurisë së vërtetë, jo asaj shtirake, janë sublimuar në poezi përmes sofistikimit gjuhësor dhe stilistikor. Poeti është i vetëdijshëm sidomos për fatin tragjik që e shoqëron poetin bashkëkohës shqiptar, por edhe më gjerë, poetin si qenie e vetmuar:

“Poetët bashkëkohorë i shkruajnë pak njëri-tjetrit/Takohen rrallë në holle hotelesh, oborre muzeumesh, kështjellash/…Fëmijë pa shekull/Çetë pa mbretër” duken qartë tiparet e poezisë së tij në bashkëpeshimin e tragjikes, intonacionit sa sublim aq dhe ironik, zërit të natyrshëm te poetikës vetjake, kalimeve kapriçoze të sintaksit poetik, fjalëve të të folurit te përditshëm (flasin, shikohen, përshendeten, largohen).

Cili do të ishte dhe përkufizmi i tiparit më dallues i poezisë së Preç Zogajt në këtë libër? Mendoj se e gjithë struktura e poezisë së tij përkufizohet nga intensiteti emocional, sinqeriteti dhe natyrshmëria e admirueshme, kërkimi i vazhdueshëm i shprehjeve dhe intonacioneve të reja poetike, eleganca e verbit poetik, që vjen drejpërdrejt nga sensibiliteti i ndjenjës. Janë këto tipare që formësojnë dhe trajtësojnë edhe strukturën poetike, sintaksën poetike dhe verbin poetik të tij. Intensiteti emocional është aq i thellë dhe aq i besueshëm sa të jep përshtypjen se poeti është një njeri i dashuruar në çdo çast, në çdo moment të jetës së vet. Nuk ka rëndësi nëse është i dashuruar me një grua hyjnore, me kujtimin e një dashurie, me trishtimin, a me vetë vdekjen dhe tragjizmin e saj: Me dashtë duke qarë – thotë ai në fillimin e një poezie, duke dëshmuar kësisoj se sekreti i poezisë se vërtetë, ashtu si dhe i vetë jetës, qëndron në alkiminë e bashkimit në një, të trishtimit me lumturinë; të vdekjes me dashurinë; të qenies me mosqenien. E gjitha kjo e sublimuar përmes ritmit dhe strukturës poetike aq të veçantë e vetjake të poezisë, e cila – pa qenë e nevojshme – shënohet si poezia e Preç Zogajt (them e panevojshme, sepse që me vargun e parë poezia e ka shpallur autorësinë e poetit).

Prof. Gëzim Basha ka folur dhe vazhdon te flasë me një zë autoritar dhe bindës për tiparet e brendshme, qelizore, të Poezisë së Preç Zogajt. Pa dashur të përsëris profesorin e nderuar, i cili përherë e më tepër ka folur – edhe pse në mënyrë soliste – me një zë të thellë për poezinë bashkëkohore shqipe – them se ky libër i Preç Zogajt jep sigurinë e afirmimit të vlerave evolutive të poezisë së re shqipe, e cila qëndron në një tavolinë të rrumbullakët me arritjet më të mëdha të poezisë europiane dhe të asaj botërore të kohës që jetojmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura