“Është një moment për të reflektuar”- Ministrja e Arsimit për rastin e vrasjes së 14-vjeçarin: Ngjarje tragjike! Shkolla ka nevojë edhe për familjen, nuk mund të operojë e vetme

Nov 26, 2024 | 13:15
SHPËRNDAJE

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu ka folur për rastin e vrasjes së 14-vjeçarit, Martin Cani, duke deklaruar se është një ngjarje e rëndë dhe se duhet reflektuar për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme instrumentet parandalues kundër çdo lloj dhune.

manastirliu

Deklaratat ministrja i bëri nga shkolla “Sami Frashëri”, ku ka nisur një tur të gjerë këshillimi me komunitetin e prindërve, për forcimin e mekanizmave të parandalimit të akteve të dhunës në shkollë dhe jashtë saj, si dhe për të adresuar ndikimin e rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat te fëmijët dhe të rinjtë.

“Ngjarja e ndodhur disa ditë më parë është vërtet një ngjarje tragjike që na ka shqetësuar dhe hidhëruar të gjithëve, si prindër në radhë të parë, si qytetarë dhe padyshim edhe ne si struktura të Ministrisë së Arsimit, personalisht si Ministre e Arsimit. Sigurisht që është një moment për të reflektuar dhe për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme instrumentat parandalues që ne i kemi të ngritura në shkollë, mekanizmat parandalues të çdo forme dhune, bullizmi apo dhune online.

Kemi sot në të gjithë sistemin tonë arsimor rreth 850 punonjës socialë dhe psikologë. Prej vitit 2018 kemi vendosur që shkollat të kenë edhe oficerët e sigurisë dhe e nisëm me 15 oficerë sigurie, duke arritur që vit pas viti të rrisim numrin në 240 oficerë sigurie në shkolla. Nga ana tjetër, kemi përmirësuar edhe protokollet e punës për çdo rast që duhet referuar, qoftë në strukturat e njësive të mbrojtjes së fëmijëve, strukturat sociale, qoftë në strukturat e policisë. Shkolla i disponon këto protokolle dhe këtoinstrumenta.

 Vetëm gjatë vitit 2023-2024 janë 2030 raste të evidentuara dhe të parandaluara, raste që lidhen me dhunën, kryesisht dhunën fizike dhe atë emocionale, si dhe rastet e bullizmit, pikërisht nga këto struktura: punonjësit socialë, psikologët dhe punonjësit e sigurisë në shkolla. Mbi 90% të rasteve janë referuar te prindërit; një pjesë e tyre, sipas rasteve dhe duke ndjekur gjithmonë protokollet, janë referuar në struktura të tjera si Policia e Shtetit dhe Shërbimi Social”, deklaroi Ministrja.

Ministrja Manastirliu theksoi nevojën për një bashkëpunim të gjerë mes prindërve, mësuesve dhe komunitetit.

“Ka një nevojë të madhe që bashkëpunimi mes shkollës, familjes dhe komunitetit të rritet, fuqizohet, të forcohet. Dhe është një nevojë që ky trinom të rrisë dhe të intensifikojë komunikimin. Sigurisht që familja nuk është shkolla, ne këtë e dimë, por shkolla nuk mund të bëhet institucioni që operon vetëm në këtë ambient. Ajo do edhe familjen. Dhe të duash familjen do të thotë që të dish se çfarë halli ka, çfarë transmeton fëmija në ambientet familjare dhe ju si prindër doni të dini se çfarë transmeton fëmija, përpos arritjeve në mësim në shkollë. Dhe ne kemi sot instrumente që jemi duke i përdorur dhe janë instrumente edhe digjitale që ju ndihmojnë ju për t’ju informuar për arritjet e fëmijëve në shkollë, sikurse është sistemi SMIP për mungesat e fëmijëve në oraret e caktuara mësimore. Kemi nevojë që ta përmirësojmë edhe këtë aspekt, duke çuar edhe informacione periodike, të shpeshta, për sjelljen e fëmijëve. Edhe kjo, patjetër, është në vazhdën e planeve që ne kemi për të fuqizuar instrumentet e komunikimit” tha Manastirliu.

Gjithashtu tha se përgjatë këtij viti takimet me prindërit dhe strukturat arsimore për të diskutuar mbi të mirën e fëmijëve kanë qenë të shpeshta.

“Ne kemi punuar pandërprerë gjatë këtij viti me Këshillin Kombëtar të Prindërve dhe Këshillin e Arsimit Parauniversitar, për të forcuar instrumentat dhe mekanizmat që na ndihmojnë të mbrojmë fëmijët dhe të parandalojmë fenomenet negative. Ndaj, duhet të forcojmë këto instrumenta dhe mekanizma që i kemi sot në shkollë, t’i fuqizojmë, t’i zhvillojmë, t’i besojmë për të bërë të mundur që ngjarje, fenomene negative të eleminohen brenda perimetrit të shkollës, por edhe jashtë tyre”, tha Manastirliu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura