EURO 1960/ Historia e Europianëve nis me triumf të Bashkimit Sovjetik, organizatorët e Francës e mbyllën në vendin e katërt

Jun 4, 2024 | 13:00
SHPËRNDAJE

Kampionati i parë Europian për skuadra kombëtare u zhvillua në Francë, në vitin 1960, sepse erdhi si ide e sekretarit të Federatës Franceze të Futbollit, Henri Deloni. Si një turne eksperimental, që me kalimin e viteve do të profesionalizohej, ashtu sikurse deri në ditët e sotme, Europiani 1960 kishte një format vajtje-ardhje, ku pjesëmarrëset që donin mund të regjistroheshin me dëshirë duke derdhur shumën prej 100 frangash zvicerane.bsNdeshja e parë kualifikuese është zhvilluar në Lenin të Moskës përpara 100 mijë shikuesve, kur ish-Bashkimi Sovjetik mposhti Hungarinë me rezultatin 3- 1, ndërsa ndeshja e kthimit dha sinjalin e radhës se rusët e sotëm do të ishin favoritë, pasi ata arritën të fitonin 1-0 edhe në transfertë. Ndërkohë, favoritet e tjera të mëdha u dalluan edhe në takimet e tjera, ku Franca organizatore shkatërronte me rezultatin e dyfishtë Greqinë në shifrat 7- 1. Por, edhe Ballkani mund të krenohej, sepse Jugosllavia nisi të shfaqë një futboll spektakolar, edhe pse ndryshe nga Bashkimi Sovjetik nuk ishte aq e ashpër në zonën e sulmit, duke eliminuar në raundin e parë eliminator Bullgarinë. Gjithsesi, një tjetër shkollë e vjetër e futbollit dhuronte spektakël në këtë fazë të Europianit të parë në histori, Çekosllovakia, e cila në fazën e parë “tallet” me Danimarkën duke siguruar kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 7-3.

Përveç katër ekipeve që do t’i shkonin deri në fund këtij kompeticioni, për në çerekfinalet e Europianit arritën të kualifikohen edhe Spanja, Portugalia, Austria dhe surpriza Rumani. Por, për këto katër ekipe të fundit, aventura mbyllet pikërisht në këtë fazë, sepse në stadiumin buzë kullës “Ejfel” udhëtuan Jugosllavia, Çekosllovakia, Bashkimi Sovjetik dhe vendësit transalpinë. Në gjysmëfinale, “gjelat” humbën përballë Jugosllavisë në një ndeshje sa dramatike, po aq spektakolare, e përfunduar në shifra 5-4. Ndërsa, në çiftin tjetër gjysmëfinal, Çekosllovakia, e cila kishte bërë një kampionat magjepsës, e pa veten të gjunjëzohej shumë lehtë përballë sovjetikëve të pamëshirshëm me rezultatin 3-0. Edhe pse Kombëtarja e Bllokut Komunist më të madh në botë arrinte të fitonte, më shumë sesa sulmuesit e saj, ai që spikaste në fushën e lojës ishte portieri legjendar, Lev Jashin, i cili nga analistët e asaj periudhe u cilësua si portieri më i mirë i të gjitha kohërave. Në fund të këtij edicioni, ai fitoi edhe “Topin e Artë”, aq sa edhe sot e kësaj dite mbetet i vetmi portier që ka arritur të vlerësohet me këtë çmim prestigjioz.

Në ndeshjen për vendin e tretë, çekosllovakët mposhtën francezët me rezultatin 2-0, por ky takim ishte vetëm garnitura e një finaleje të madhe. Më 10 korrik 1960 në Paris, Bashkimi Sovjetik vinte i karikuar në maksimum duke iu falur magjive dhe pathyeshmërisë së portierit të saj, Lev Jashin, i cili e pa veten të thyhet në minutën e 41- të të pjesës së parë nga Galiç dhe në stadium pllakosi heshtja. Por, kjo ishte vetëm një goditje që zgjoi nga gjumi “bishën e tërbuar” sovjetike, e cila me të rinisur pjesa e dytë, arriti të barazojë rezultatin me Metrevelin. Edhe pse me shumë raste deri në fund, 90 minutat përfunduan në barazim, por, përveç portierit Jashin, Bashkimi Sovjetik kishte një tjetër lider, Viktor Ponedelnik, i cili vetëm 6 minuta nga përfundimi i kohës së dytë shtesë, gjeti golin e fitores që i dhuroi skuadrës së tij titullin e edicionit të parë të Europianit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura