Kursi i këmbimit të euros ka vijuar rënien ditën e enjte dhe i është afruar më shumë se kurrë më parë kufirit simbolik të 100 lekëve. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 100.14 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Kursi i këmbimit vazhdon të jetë nën efektin e faktorit sezonal, që karakterizohet nga një prurje e madhe e valutës së huaj. Të dhënat historike tregojnë se kulmi i efektit sezonit veror mbi kursin e këmbimit arrihet mes fundit të muajit korrik dhe fillimisht të muajit gusht.
Këtë vit, efekti sezonal ka qenë më pak i dukshëm, për shkak të ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, e cila po kryen blerje direkte të valutës që prej fundit të muajit maj, me qëllim për të mos lejuar rënien e euros poshtë kufirit të 100 lekëve.
Megjithatë, këtë javë euro ka humbur lehtë terren, pavarësisht mbikëqyrjes së vazhdueshme që po ushtron Banka e Shqipërisë mbi kursin.
Një kurs i euros pak sipër nivelit të 100 lekëve është kthyer në një lloj normaliteti të ri prej një viti. Tashmë, ndryshimi vjetor i kursit të këmbimit është zbutur ndjeshëm. Sot kursi i këmbimit euro-lek ishte në rënie me vetëm 1.7% krahasuar me të njëjtën ditë të vitit të kaluar.
Megjithatë, mbajtja e kursit në këto nivele i detyrohet vetëm ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë. Në rast se forcat e tregut do të ishin të lënë të vepronin lirisht, me siguri euro prej muajsh do të këmbehej dukshëm poshtë nivelit të 100 lekëve. Përmasa e ndikimit të Bankës së Shqipërisë në kursin e këmbimit, megjithatë, është e vështirë të thuhet me saktësi, sepse vlerat e blerjes së valutës nuk janë bërë ende publike.
Banka e Shqipërisë ndërhyri për të mos lejuar rënien e mëtejshme të kursit të euros, duke e argumentuar këtë vendim në funksion të objektivit ligjor të inflacionit. Në pjesën e parë të këtij viti inflacioni ka zbritur poshtë objektivit të bankës qendrore dhe në muajin qershor u raportua nga INSTAT në 2.1%.
Forcimi i lekut ka patur një rol të rëndësishëm në zbutjen e inflacionit të importuar dhe e mbrojti ekonominë shqiptare nga vala e fortë inflacioniste e viteve 2022-2023.
GJithashtu, rënia e euros ndihmoi ruajti aftësinë paguese të huamarrësve në valutë të huaj dhe me të ardhura në lekë, duke ndihmuar në amortizimin e efekteve të rritjes së normave të interesit të euros.
Por, nga ana tjetër, rënia e kursit të euros ka sjellë pasoja serioze për sektorët ekonomikë që i shesin produket dhe shëbrimet e tyre në monedhën europiane. Kjo rënie ka ndikuar në rënien e eksporteve shqiptare, por edhe në rritjen e çmimeve në sektorë të caktuar, si turizmi apo ndërtimi./Monitor
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al