Fabrikimi i një lufte civile në Shqipëri, mision i dështuar

Nov 28, 2024 | 8:33
SHPËRNDAJE

NGA AGRON BERDAJ & ZENO JAHAJ zeno jahaj

Ka një përpjekje revan shiste për ta paraqitur Luftën Antifashiste dhe Antinaziste Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar si luftë civile. Një përpjekje tjetër, disi më hipokrite, aludon se krahas saj, është zhvilluar edhe luftë civile. Trishtues është fakti që përpjekje të tilla mbulohen nën autoritetin e titullit të akademikut, apo të Akademisë së Shkencave! Dhe akoma më trishtues është fakti që akademikë të tillë nuk kanë asnjë arsimim, kualifikim apo kulturë ushtarake lufte, çka përfitohet vetëm në Akademitë Ushtarake dhe në Shkollat e Luftës.

LUFTA CIVILE PËRCAKTOHET ME PARIME, JO ME AMATORIZËM

Lufta civile, përpara se të jetë “civile”, është “luftë” dhe, si e tillë, iu nënshtrohet parimeve të luftës. Në çdo luftë civile ka patjetër dy palë. Ato kanë strukturë të organizuar piramidë, nga njësia bazë, deri te lidershipi apo shtabi strategjik, çka do të thotë se nuk ka luftë civile pa shtabe ushtarake strategjike. Palët kryejnë aktivitete të organizuara luftarake në grup, në bazëplanesh operacionale, çka do të thotë se nuk mund të zhvillohet luftë civile nëse luftimet sporadike nuk rriten në beteja dhe betejat nuk rriten në operacione.

Luftën e përcaktojnë dhe e përfundojnë betejat dhe operacionet. Palët kanë objektiva politike dhe autoritete politike, të afta për të pretenduar se secila përfaqëson një formë legjitime të qeverisjes dhe secila kërkon të marrë nën kontroll qeverisjen dhe qeverinë e vendit. Ato kanë ushtritë e veta, të cilat, nga ana e tyre, kanë nën kontroll pjesë jetike të vendit. Palët i rezistojnë me sukses njëra-tjetrës, çka do të thotë se kanë një raport të tillë forcash, saqë është pothuajse e pamundur që njëra palë ta thyejë shpejt tjetrën. Palët gëzojnë njohje ndërkombëtare. Dhe më në fund, vetëm vdekjet në luftimet e organizuara e të zhvilluara midis dy palëve janë treguesi themelor i një lufte civile. Vdekjet e shkaktuara nga terrori individual, apo kur njëra nga “palët” bashkëpunon, bashkëvepron e bashkërendon me pushtuesin, vërtetojnë çdo amoralitet, por jo luftë civile.

VERDIKTE NDËRKOMBËTARE

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq është shprehur, midis të tjerash se, në luftë civile, “pala në revoltë kundër një qeverie legjitime zotëron një forcë të organizuar ushtarake, një autoritet përgjegjës për veprimet e sajnë zotërim të një pjese të territorit kombëtar”. Instituti i së Drejtës Ndërkombëtare, organi kryesor profesional i komunitetit global të avokatëve ndërkombëtarë, ka përkufizuar se, në një “luftë civile”, palët gjenden të ndara nga një “vijë demarkacioni” dhe se termi “luftë civile” nuk mbulon rastin kur kjo “vijë demarkacioni” ka prani ndërkombëtare. Kemi dy dëshmi të niveleve strategjike, të interesuara posaçërisht për Shqipërinë dhe të bazuara në analiza të imta të po këtyre niveleve.

Në një raport të ministrit të Jashtëm i Britanisë, Anthony Eden, për Kryeministrin Uinston Çërçill, të datës 26 shtator 1944 konkludohet se “Lëvizja Nacional-Çlirimtare përbën të vetmen forcë në Shqipëri që lufton kundër forcave gjermane të pushtimit”. Në një raport të datës 16 shtator 1944, të Aleksander C. Kirk, këshilltar politik në Shtabin Aleat të Mesdheut, drejtuar Cordell Hull, sekretar i Shtetit të SHBA-ve, në të cilin vlerësohet se “…teksa (në Shqipëri) po hyjmë në një fazë të re, parandalimi i luftës civile e tejkalon politikën për të ndihmuar këdo që do të luftojë gjermanët”. Çka do të thotë se Shqipëria mund të rrezikohej nga shpërthimi i një lufte civile vetëm pas largimit të forcave pushtuese gjermane. Ndërkohë, në telegramin nr. 116, datë 28 tetor 1943, të Konsullit Gjerman në Shqipëri, drejtuar ambasadorit Hermann Neubacher, përfaqësuesi më i lartë i Hitlerit për Europën Juglindore, konkludohej: “…bashkëpunimi i ngushtë i Ballit Kombëtar me trupat gjermane, tanimë është fakt”. Pa koment: bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me forcat pushtuese gjermane kishte filluar që me hyrjen e tyre në Shqipëri.

ÇORBË CIVILE PËR ÇËSHTJE USHTARAKE

Në një botim të Institutit të Historisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, shkruhet: “Më 3 nëntor 1943 u zhvillua një betejë e ashpër në Ballsh, më 5 nëntor në Greshicë, Aranitas e Gjerbës dhe më 8 nëntor në kodrat e Cakranit të Mallakastrës. Forcat e Brigadës së Parë sulmuan 1000 forca balliste. Ishte një luftë në shkallë të gjerë dhe frontale, çka shënonte një episod kulmor të luftës civile”.

Nuk do të sqarojmë pështjellimin krejt të çekuilibruar e diletant të koncepteve ushtarake që përcjell kjo referencë me epidemi termash “betejë”, “episod”, “luftë”, “luftë në shkallë të gjerë dhe frontale”, “luftë civile”, apo “kulm i luftës civile”. Sqarojmë vetëm faktin historik se komanda dhe forcat kryesore të Divizionit të 100-të gjerman, në 17 shtator 1943 u dislokuan në Fier. Ishte përzgjedhja më e përshtatshme për një vend dislokim operativo-strategjik: vetëm nga nyja nevralgjike e Fierit mund të realizoheshin me efektivitet dhe efikacitet të tre objektivat e forcave gjermane në Shqipëri: a) mbrojtja e bregdetit, b) sigurimi i rrugës Tiranë-Durrës-Lushnjë-Fier-Vlorë-Himarë, që është paralel me bregdetin dhe c) ndërmarrja e operacioneve në thellësi të vendit, për spastrimin e forcave partizane. Sidoqoftë, Divizioni 100, i lodhur dhe i konsumuar në beteja të mëparshme, nuk i kishte kapacitetet e plota për t’i përmbushur këto objektiva.

Për këtë arsye, komanda e Divizionit, “duke kuptuar që në fillim se bandat nacionaliste do të ofronin shërbime të vyera në luftën kundër komunistëve dhe qetësimin e vendit”, hyri në negociata me krerë të Ballit Kombëtar të zonës dhe pas marrëveshjes së përbashkët, “urdhëroi që Kadri Cakrani të furnizohej me armatime, municione dhe veshmbathje. Si rrjedhim, brenda një kohe të shkurtër, çetat nacionaliste në këtë rajon arritën një numër prej afro 1000 burrash të mirë-armatosur”. Akademia e Studimeve Albanologjike i vidhet faktit se përse ishin në Ballsh, Greshicë, Aranitas, Gjerbës dhe në kodrat e Cakranit të Mallakastrës 1000 forca balliste: kë dhe çfarë mbronin në këtë “luftë frontale” dhe nga kush? Por, i dërguari special i Hitlerit për Evropën Juglindore, ambasadori Hermann Neubacher, ka moral të mjaftë për të saktësuar se “forcat nacionaliste antikomuniste në Shqipëri arrinin në 10,000 vetë. Nga këto, më të fuqishmet konsiderohen forcat e Ballit Kombëtar me afro 5,000 veta, nën udhëheqjen e Kadri Cakranit, të cilat, bashkë me forcat tona, po luftojnë në Shqipërinë Jugore. Armatimin për Ballin Kombëtar në Shqipërinë e Jugut e ka dhënë divizioni i atjeshëm gjerman në marrëveshje me byronë time zyrtare”.

Pra, nga 100% e forcave të Ballit Kombëtar në shkallë vendi, 50% e tyre u rekrutuan, u armatosën dhe u përdorën nga gjermanët në zonat e Fierit. Vetëm kështu mund të krijohej një raport forcash dërmues ndaj formacioneve partizane, përkatësisht ndaj Brigadës së Parë Partizane e cila, “e lodhur nga luftimet e gjata e shumë të vështira” ishte strehuar në Mallakastër. Ishte pikërisht koha kur “Armiku gjen rastin më të mirë për ta sulmuar brigadën nga të gjitha anët”. Ishte kjo epërsi e forcave të bashkuara gjermano-balliste që i gjeti forcat partizane në Mallakastër “në gjumë dhe të pakujdesshme” – vërejtje kjo e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NacionalÇlirimtare. Kështu, nisur nga numri i forcave të rekrutuara dhe të angazhuara nga Balli Kombëtar dhe veprimet luftarake të kryera prej tyre në Mallakastër, më 3-8 nëntor 1943 rezulton se ato nuk ishin kulmi i luftës civile, por kulmi i kolaboracionizmit politik e ushtarak të Ballit Kombëtar me pushtuesin gjerman. Pretendimi se ato ishin luftë civile flet, më së shumti, për çorbë civile në Institutin shtetëror të Historisë.

ËRFUNDIM

Përzgjedhja me të cilën u identifikua populli shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, për t’u mbrojtur dhe për të luftuar kundër pushtuesve italianë e gjermanë, është një nga provat e forta se kombi shqiptar, edhe kësaj here, zbatoi pikërisht të drejtën, përgjegjësinë dhe detyrimin që kishte zgjedhur në të gjithë historinë e tij ndaj çdo pushtuesi, përzgjedhje e kodifikuar edhe në Himnin e vet Kombëtar, i cili e dënon në shkallën më të lartë “largimin nga lufta”, domethënë dezertimin. As Himni Kombëtar nuk e kishte paraparë “bashkëpunimin me pushtuesin”: ishte përtej çdo imagjinate, përtej çdo morali të çdo kombi e të çdo kohe! Në kushtet e pushtimit politik, ekonomik dhe ushtarak të krejt vendit nga Italia dhe Gjermania, ishte e pamundur që Shqipëria dhe populli shqiptar në tërësi, të zhvillonin krahas luftës çlirimtare, edhe luftë civile, sepse:

Së pari, në asnjë vend dhe asnjë herë nuk është zhvilluar luftë civile në kushtet e pushtimit të plotë nga një fuqi e huaj. Arsyeja është krejtësisht e pastër: “Lufta civile është një konflikt i armatosur, në të cilën palët e organizuara të së njëjtës shoqëri e kombësi brenda një shteti, luftojnë kundër njëra-tjetrës për të marrë nën kontroll pushtetin politik në qendër, ose në një rajon të vendit”. Ky është një përcaktim klasik. Pushtuesi, jo vetëm që nuk është i “të njëjtës shoqëri e kombësi brenda një shteti”, por, normalisht, ka vendosur edhe pushtetin politik e ushtarak mbi shtetin e pushtuar. Kjo do të thotë se, palët e “së njëjtës shoqëri e kombësi brenda një shteti” nuk mund të luftojnë për pushtet politik apo ushtarak për aq kohë sa vendi i tyre është nën pushtimin e plotë nga një fuqi e huaj. Dhe e vërteta, po kaq e pastër është: nga 7 prill 1939 deri më 29 nëntor 1944, Shqipëria ishte nën pushtetin e plotë politik, ekonomik dhe ushtarak të pushtuesve italianë e gjermanë, çka përjashton që në Shqipëri të jetë zhvilluar luftë civile.

Së dyti, përjashtohet që populli shqiptar i asaj kohe (dhe jo vetëm!) të ishte në gjendje të zhvillonte dy luftëra njëherësh: edhe luftë çlirimtare, edhe luftë civile! Shqipëria, jo vetëm e asaj kohe, por edhe e çdo kohe, nuk mund t’i ketë as numrin e popullsisë, as kapacitetet ekonomike dhe as mjetet ushtarake për të kryer dy luftëra njëherësh. Është aksiomë strategjike ushtarake: dy luftëra njëherësh nuk i kanë mundësitë t’i kryejnë as fuqitë e mesme botërore. Madje, edhe fuqitë e mëdha botërore, iu tremben dy luftërave njëherësh. Është absurde, edhe sikur të fantazosh, që Shqipëria me rreth një milion banorë të kryente dy luftëra njëherësh! Ushtria Nacional-Çlirimtare e kishte një shtab të përgjithshëm. Përkundër, Balli Kombëtar nuk pati kurrë shtab të përgjithshëm, por thjesht çeta në roje të çifligjeve të bejlerëve. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare nuk ka pasur kurrë plan strategjik, as nuk ka lëshuar kurrë urdhër operacional, apo urdhër luftimi për të zhvilluar betejë, apo luftim thjesht kundër forcave të Ballit Kombëtar, apo Legalitetit, përveçse vetëm në ato raste kur këto forca kanë qenë në shërbim të forcave pushtuese naziste e fashiste. Pretendimi se gjoja, në Shqipëri, në kohën e Luftës së Dytë Botërore është zhvilluar “Luftë Civile”, është thjesht një fabrikim me qëllim mashtrimi, një trillim antihistorik. Për më tepër, paraqitja e Luftës Nacional-Çlirimtare si “Luftë Civile” është edhe antikombëtare, sepse përpiqet ta përjashtojë Shqipërinë nga Aleanca e Madhe Antifashiste e Antinaziste, çka ishte orientimi i vetëm në pajtim me interesat kombëtare shqiptare. Sigurisht që përpjekje të tilla janë thjesht marifete për të fshehur qëndrimet dhe veprimet reale të atyre që bënë zgjedhjen e kundërt, për të shpëlarë gjynahet e atyre që dolën kundër interesit, nderit, moralit dhe prestigjit kombëtar, duke u programuar me nazizmin politikisht dhe duke u rreshtuar edhe ushtarakisht në krah të forcave naziste që pushtuan Shqipërinë.

Mision i dështuar!

Papërgjegjshmëritë historike nuk mund të shpëtohen me fabrikime. Për më tepër, të kërkosh luftë civile atje ku nuk ka të tillë, është një gjendje më e keqe sesa verbëria.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura