“Fakte tronditëse për atë që ndodhi në Çamëri”- Çfarë zbuloi Hektor Sejko për kongresin antifashist çam, dokumentet e 23 shtatorit 1945

Dec 4, 2024 | 12:45
SHPËRNDAJE

ENVER KUSHI/ Antifashizmi është një nga vlerat e mëdha në historinë dramatike të krahinës së Çamërisë. Ai i bën nder popullit të kësaj krahine, i cili në momente shumë të vështira, u radhit në krahun e duhur të historisë dhe dha kontributin e tij në luftë kundër fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë, krahas popullsisë greke. Nuk kam ndër mend të analizoj hollësisht ç’ka ndodhi në Çamëri, pas pushtimit italian dhe fytjes së forcave fashiste në Greqi dhe Luftën italo-greke. Qëllimi i këtij shkrimi është diku tjetër: Kongresi Antifashist Çam, që u mbajt në Vlorë, më 23 shtator të vitit 1945.

kongresi cam

Para se të analizoj se çfarë u fol dhe u diskutua me përgjegjësi në këtë kongres për gjendjen e popullsisë çame, krimin e tmerrshëm të bandave të Napoleon Zervës, është me vend t’i rikthehem kontributit të Çamërisë në Luftën Antifashiste, për të cilën kanë shkruar historianë dhe studiues këtej dhe andej kufirit. Mendoj se historiani më serioz në këtë fushë është Hajredin Isufi, i cili është mbështetur në dokumente jo vetëm të arkivit tonë, por edhe botimet e shumta të historianëve grekë. Sa më lart po citoj: “Në fillim të janarit 1943 në Filat u formula çeta ‘Çamëria’. Nismëtarët për krijimin e këtij formacioni të parë luftarak të parë në Çamëri u bënë Musa Demi dhe Prokop Shqevi, mësues i shkollës greke në Filat… Anëtarët e çetës ishin kryesisht nga qyteti i Filatit dhe fshatrat përreth. Më 18 qershor 1943 u formula batalioni partizan “Çamëria”.

Batalioni kishte në efektivin e tij partizan çam, që kishin qenë student në Shqipëri, minoritarë, si dhe shumë luftëtarë të fshatrave të Konispolit. Në maj të vitit 1944, në Kastanjë të Greqisë, u formula batalioni çam, që mori emrin e Heroit të Popullit Ali Demi. Siç dëshmojnë edhe studiuesit grekë, pjesa dërmuese e këtij batalioni “ishin partizanë nga Çamëria”… në një kohë të shkurtër batalioni mikst “Ali Demi” kishte në radhët e tij rreth 500 luftëtarë. Ky batalion ishte i kuadruar në Divizionin XV të ELLAS-it. Sipas dokumenteve të kohës, por edhe historianëve objektivë grekë, djemtë e Çamërisë të këtij formacioni luftarak, luftuan me trimëri të rrallë kundër nazistëve gjermanë, krahas bijve trima të Greqisë, duke i bërë nder krahinës së Çamërisë. Gjaku dhe sakrifica e tyre jo vetëm nuk mohohej dot, por hedh poshtë akuzat absurde të disa politikanëve dritëshkurtër, të djeshëm e të sotëm grekë, që i akuzojnë çamët si kriminelë e bashkëpunëtorë të fashizmit”(Hajredin Isufi “Musa Demi dhe Qëndresa Çame 1800-1947”, fq. 219- 254).

Godina e ish-Fabrikës së Cigareve në Elbasan, ku u strehuan refugjatët çamë.
Godina e ish-Fabrikës së Cigareve në Elbasan, ku u strehuan refugjatët çamë

Kongresi Antifashist Çam Libri “Kongresi Antifashist Çam” është fryt i punës së palodhur të Hektor Sejkos, që siç shkruan në parathënien e tij prof.dr. Pëllumb Xhufi, është: “Bir i një familjeje të shquar patriotike, që u dha personalitete e gjithashtu viktima të shumta, luftërave të shqiptarëve të Çamërisë, për liri e demokraci”. Hektor Sejko, prej dekadash ka kërkuar dokumente në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, në Arkivit e Shtetit, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme etj., për të parët e familjes së tij, fatin tragjik të tyre e veçmas atë të babait të tij, Taho Sejko. Materialet, që përfshihen në librin “Kongresi Antifashist Çam” janë mbledhur dhe përgatitur për botim nga Hektor Sejko.

Libri është botuar nën kujdesin e Shoqatës Patriotike “Çamëria” dhe ndihmës financiare të Dritan Sejkos. Koordinator i botimit është Niazi Saliko. Këtij botimi ia rrit vlerat jo vetëm konsulenca shkencore e prof. dr. Pëllumb Xhufit, por edhe parathënia e shkruar prej tij. Kam pasur fatin ta njoh nga afër Hektor Sejkon, tashmë i ndjerë. Hektor Sejko në vitin 2018 më merr në telefon dhe i gëzuar më thotë, se ka gjetur në Arkivin e Ministrisë së Jashtme, dosje për Kongresin Antifashist Çam. Ai më përmendi edhe ndihmesën e Halil Hysenit, në atë kohë zv.ministër i Punëve të Jashtme dhe stafit të këtij Arkivi. U mora gjatë me redaktimin dhe korrektimin e këtyre dokumenteve të rëndësishme. Libri “Kongresi Antifashist Çam” ka peshën e rëndë të kujtesës historike çame nga më dramatiket dhe tragjiket e Shqipërisë, peshën e dhimbjes, si dhe atë të krenarisë e veçanërisht atë të amaneteve të brezit të luftëtarëve antifashistë çamë, që në një nga momentet më të rënda të Çamërisë e ringritën atë para ndërkombëtarëve, duke e bërë të prekshme, çështjen çame dhe kërkuar rikthimin e çamëve në tokat e të parëve të tyre. Ky libër na bën të reflektojmë dhe nderojmë me respekt kujtimin e organizatorëve të këtij kongresi në qytetin e Vlorës, në shtatorin e vitit 1945, delegatët dhe punën e palodhur të Këshillit Antifashist Çam dhe Komitetit Antifashist Çam. Ai, me mesazhet që përcjell, na sjell pas 73 vitesh zëra idealesh dhe idealistësh të kulluar çamë, që bëjnë thirrje për bashkim, për përkushtim për Çështjen Çame, për hapa të menduar mirë, për mençuri, kulturë, dinjitet e mbi të gjitha, për idealizëm dhe vetëm idealizëm, deri në shenjtëri, për shenjtërinë e kauzës sonë.

Nëse do të lexoni me vëmendje dokumentet e përfshira në këtë libër dhe do të rikthehemi në kohë, të lind pyetja: si ka mundësi që në ato kushte të vështira të pasluftës, në një Shqipëri të rrënuar, me fshatra e qytete të shkatërruara e me mijëra viktima, si dhe mijëra refugjatëve çamë që luftonin me jetën, të organizohej ky kongres? Dhe është një organizim i shkëlqyer, duke e menduar çdo gjë deri në detaje, si për vendin, delegatët që do të merrnin pjesë, të ftuarit, veçmas ata të misioneve të huaja, amerikanë, anglezë, sovjetikë, gazetarët, presidiumi, mbajtja e procesverbalit, përshëndetjet e të ftuarve etj.,etj.. Organizatorët janë të kujdesshëm, që delegatët të përfaqësojnë të gjitha qytetet apo kazatë e Çamërisë, për të mos krijuar keqkuptime, apo hatërmbetje. Numrin më të madh të delegatëve e përbëjnë pjesëmarrësit aktivë të Luftës Antifashiste, të formacioneve partizane të këtej dhe andej kufirit. Ka dhe delegatë nacionalistë, anëtarë të Këshillit Krahinor Çam, që u ideua dhe realizua nga vëllezërit Dino, Nuri dhe Masar Dino, siç janë Hizër Ahmeti, Muhamet Mala apo ndonjë tjetër. Delegatët janë të grupmoshave dhe niveleve të ndryshme arsimore, që nga Musa Demi, që vinte në Kongres me kontribute në disa periudha të rëndësishme të historisë sonë, që nga fundi i Rilindjes Kombëtare, Lëvizja për Pavarësi e shkollën shqipe, apo Lufta Antifashiste. Delegatë të tjerë janë të arsimuar në shkollat më të mira të Parisit, Romës, Athinës, Moskës, apo në Shqipëri, si: Taho Sejko, Kasem Demi, Veip Demi, Njazi Demi, Rexhep Çami, Veis LIBRI ÇËSHTJA ÇAME Sejko, Tahir Demi etj..

Siç dihet, dokumenti është i ftohtë, me të dhëna për ngjarjen dhe kur e lexon, ndodh rëndom, që të mos kesh emocion. Ndryshe janë dokumentet e përmbledhura në këtë libër, apo referati kryesor i mbajtur nga Veip Demi, veçanërisht kapitulli “Shënime rreth referateve dhe diskutimeve, që u zhvilluan në Kongresin e Çamëve”. Në të mungon euforia, patetizmi fals. Përfaqësuesit e Komunitetit Çam flasin me përgjegjësi për fatin dhe të ardhmen e Çamërisë. Idealistë në shpirt, larg çdo pragmatizmi, të shkolluar e të kulturuar, në këtë kongres ata japin imazhin e çamëve, siç do të shkruante vite më vonë Ismail Kadare: “…të një popullsie heroike, të talentuar, jashtëzakonisht vitale, të zgjuar, aktive, plot kolorit”. Kjo na bën nder ne pasardhësve të tyre dhe është vlerë e patjetërsueshme e Çamërisë. Kongresistët shpalosin dhimbjen e madhe, japin fakte tronditëse për atë ç’ka ndodhur në Çamëri, shqetësohen për gjendjen e emigrantëve çamë në zona të ndryshme të Shqipërisë, ankohen për strehimin dhe ushqimin e tyre, propozojnë ngritjen e një konvikti për fëmijët jetimë çamë. Të tjerë shprehin mirënjohje për Shqipërinë e varfër e për shqiptarët, për bujarinë e tyre, që hapën portat e zemrave e shtëpive të tyre. Kjo mirënjohje është trashëguar nga brezi në brez te çamët deri në ditët tona

Ky libër është dëshmi e antifashizmit çam, pjesëmarrjes aktive të bijve të saj në rezistencën aktive antifashiste, këtej e andej kufirit. Antifashizmi çam është i një dimensioni të rëndësishëm dhe i bën nder Çamërisë, me pjesëmarrjen në radhët e formacioneve të ELLAS-it në Epir. Në dokumentet e këtij libri, jepen dëshmi për batalionin “Ali Demi”, si pjesë e Regjimentit XV të ushtrisë partizane greke, për betejën e Mallunit, rënien heroike të Muharrem Myrtezait, Ibrahim Hallunit, Huso Vejselit, apo betejat në Pleshavicë, Filat, Smarte, Lopës, Koskë e në shumë vise të Epirit. Shifra prej 500 luftëtarësh çamë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Greke është kontribut i kësaj popullsie, në luftën e përbashkët kundër murtajës fashiste. Më vjen mirë, që historiani grek, Jorgo Margariti, në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, botuar në gjuhën shqipe në vitin 2009, jep të dhëna të plota për rezistencën antifashiste në Çamëri.

Libri “Kongresi Antifashist Çam” është dëshmi e krimit, gjenocidit të bandave të Napoleon Zervës, ndaj popullsisë së pafajshme çame. Në referatin kryesor, diskutimet e delegatëve, veçmas dy kapitujt e fundit, japin të dhëna rrënqethëse, makabre e të pashembullta, që të tronditin. Opinioni grek duhet të njihet me to dhe politikanët e sotëm vizionarë e të rinj, që drejtojnë Greqinë mike, në një farë kuptimi të jenë më realistë dhe me këmbë në tokë, për zgjidhjen e një çështje të drejtë e humane. Çamët e grekët duhet të shohin nga e ardhmja dhe ky libër i jep këto mesazhe.

Në këtë libër janë përjetësuar disa emra intelektualësh çamë e jo çamë, vargu i të cilëve është i gjatë e disa prej tyre i përmenda më lart, si Taho Sejko, Rexhep Çami, Vehip, Njazi e Kasem Demi e mbi të gjitha Musa Demi, Rexhep Çami, apo Veiz Sejko, studiues brilant, autor i një vepre unikale në llojin e vet, siç është ajo për eposin tonë dhe krahasimit me atë sllav. Do përmendja dhe emra të tillë si Qamil Buxheli nga Pandelejmoni, një nga shqiptarët tanë më të mirë, Gjergj Komnino, autor i disa poezive tragjike, për Paramithinë, Sanije Bollati etj.,etj.. Me të drejtë prof. Pëllumb Xhufi, në parathënien e këtij libri, shkruan: “Dokumentet e botuara në këtë vëllim flasin për presionin e ushtruar nga Komiteti Antifashist Çam mbi aleatët anglo-amerikanë, mbi organizatën e UNRAS, por edhe mbi vetë Qeverinë e Tiranës… Por akoma më i rëndësishëm rezulton nga dokumentet e botuara në këtë vëllim, aktiviteti intensiv i këtij Komiteti, në prezantimin e mençur dhe mbresëlënës të problemit çam, jo vetëm tek misionet e aleatëve në Tiranë, por edhe drejtpërdrejt në qeveritë dhe parlamentet e tyre…”. Ky libër, prandaj është aktual, bindës dhe mësim për politikën shqiptare, por veçanërisht për faktorin politik çam.

Asnjë traktat, dekret, apo marrëveshje nuk mund të mohojë ose ndalojë emrin Çamëri, apo të na bëjë të harrojmë mitet, eposin, baladat, epikën dhe lirikën tonë, vallet aq të bukura. Askush nuk mund të na ndalojë të harrojmë Çamërinë, si lëndë e si shpirt. Jetojmë në kohën e globalizmit, të një fryme tjetër në marrëdhëniet mes popujve, si dhe të një Ballkani që duhet të çlirohet përgjithmonë nga ankthet e së kaluarës. Libri “Kongresi Antifashist Çam”, me dokumentet që përmban është një dëshmi jo e largët e kontributit të çamëve në Luftën Antifashiste, bashkë me grekët, si dhe i gjenocidit të forcave ultranacionaliste, të ushtruar ndaj popullsisë së pafajshme çame. Ai është edhe një gur themeli për marrëdhëniet e çimentuara mes çamëve dhe grekëve në Luftën e përbashkët Antifashiste.

Titulli i autorit: Antifashizmi në Çamëri dhe kongresi antifashist çam

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura