I dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigen Gjonajt në vitin 2015 ka mohuar të jetë autori i krimit të rëndë.
Pas akuzave të familjes së viktimës, eshtrat e të cilit u gjetën 7 vite pas krimit në Fushë Kuqe, Kristjan Cenaj tha në emisionin “Me zemër të hapur” të moderatores Evis Ahmeti, se ata duhet të gjejnë “kush ia ka borxhin”.
Ndërsa kërkoi nga shteti që t’i rikthehet çështjes nga fillimi, të hapen kamerat dhe të gjendet, sipas tij, autori i vërtetë i vrasjes së 16-vjeçarit.
“Uroj që familja të gjejë sa më para kush ia ka borxhin, ngushëllime nga më të sinqertat.
I lutem gjithë shtetit shqiptar që t’i rikthehet kësaj çështje nga fillimi, të marrin të gjitha bisedat, të gjitha kamerat edhe të gjejë autorin e vërtetë, jo tek unë. Nuk kam lidhje me atë punë fare”, u shpreh Kristjan Cenaj.
Pjesë nga intervista:
Të jesh i dënuar pas asnjë lloj faji apo indicie, nuk di çfarë të them. Hetimet nuk janë bërë në asnjë mënyrë që i përshtatet standardeve. Mua më kanë marrë në pyetje kur jam arrestuar në vitin 2022 kur do ikja në Itali për të martuar vëllain. Në momentin që jam nisur në Itali, ku jetoj dhe punoj, më kanë arrestuar dhe më çuan në komisariatin e Lezhës. Më pas më kanë dërguar në Kurbin.
Unë dhe viktima jemi lindur dhe rritur në një lagje. Kemi pasur lidhje miqësore mes familjeve. Atë ditë kam dalë në mëngjes nga shtëpia dhe kam ikur në Gore ku zhvillohej një mbrëmje mature. Kemi shkuar, unë kam shkuar vetëm. Në momentin që shkova më marrin në telefon disa njerëz dhe kanë ardhur atje. Mariglen Gjonaj, i ndjeri, ka ardhur me disa njerëz të vetë që janë përmendur në dosje.
Si gjithë të rinjtë që kemi një njohje me një femër, shkova atje. Marigleni erdhi me disa shokë. Gjatë kohës që po rrinim marrin në telefon komisariatin e Kurbinit sepse u mblodhën shumë makina. Në momentin që erdhi policia u shpërndanë të gjithë, sepse dikush ishte pa patentë ose pa dokumente,etj. Kur ikën të gjithë Marigleni ngeli aty, ndërsa unë po bëja xhiro me makinë.
Kam ndejtur edhe rreth një orë. Kur u nisëm nga gjimnazi i Gorresë do iknim te hoteli ku bëhej mbrëmja. Unë jam nisur me 2-3 persona të tjerë. Kur u nisa pashë 2 persona të tjerë, Mariglen Gjonaj dhe Nikolin Rica. Kemi ikur te univers hotel dhe kemi ndenjur rreth 2 orë. Marigleni mu lut ta dërgoja deri në Shëngjin, te një hotel sepse donte të takonte një njeri të maturës. E kam dërguar atje. Jemi kthyer mbrapsht te univers hotel. Në momentin që jemi kthyer ata po niseshin të iknin në shtëpi sepse mbaroi matura.
Kam ikur të bëj një xhiro me Mariglen Gjonajn dhe Nikolin Ricën me makinë në Fushë-Kuqe dhe kemi ikur për Mamurras. Gjatë rrugës Nikolini donte të ndalonte. Kur kemi hyrë në Mamurras, përballë një pikë AMC kam zbritur Nikolin Ricën. Kemi shkuar deri në fund të qytetit dhe jam kthyer, në afërsi të qendrës mu prish makina. Aty ka zbrit edhe Mariglen Gjonaj. Zbrita edhe unë dhe hapa kofanon e makinës. Për herë të fundit e kam parë në afërsi të Mamurrasit rreth orës 4 e gjysmë. E kam ndaluar brenda në Mamurras, afër bashkisë. Marigleni ikur për në qendër.
Në momentin që kam zbritur Mariglenin kam shkuar te toka sepse m’i binte mami telefonit. Kam marrë motorin në shtëpi dhe ika tek toka. Kam parë barin dhe kam ikur në shtëpi, jam ndërruar dhe kam ikur te karburant eri oil. Kam marrë karburant dhe jam kthyer kam marrë dhe një shok të babit dhe kemi qenë tek toka deri në 7 e gjysmë të darkës. Kur jam kthyer në shtëpi më ka ardhur vëllai i Mariglenit me disa shokë, erdhi dhe xhaxhai i tij më pas. Erdhën të nesërmen duke më pyetur sërish për të denonuar në polici sepse i kishte humbur nipi. Më pyeti nëse do dëshmoja. Normalisht që po i thashë. E denoncuan në polici. Një mik i dajës së Mariglenit deklaroi se e kishte parë 2 ditë më pas në Lezhë Mariglenin.
Për orën e tij me vlerë unë nuk kam biseduar fare. Për Rolexin folëm te univers hotel. Mund të ishin marrë kamerat e sigurisë për çdo lëvizje. Kur zbritëm te hoteli kemi qenë 6-7 vetë dhe filluan çunat jo po ora, jo po ashtu. Unë nuk kam përmend gjë për orën. Kur më morën në komisariat kam shkuar. Në momentin që hyra brenda më prangosën dhe më morën në pyetje. Familjes Gjonaj u bëj thirrje dhe u kërkoj me gjithë shpirt ta kërkojnë djalin aty ku dyshojnë, sepse unë nuk kam asnjë lidhje.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al