“Fanfara Tirana” në skenën e Lionit me Emir Kusturicën

Jul 6, 2016 | 19:20
SHPËRNDAJE

Netët ballkanike bëjnë bashkë në të njëjtën skenë muzikantë shqiptarë e serbë. Mbrëmjen e 8 korrikut, grupi muzikor “Fanfara Tirana”, shoqëruar nga pianisti Robert Bisha, do të interpretojnë në Festivalin “Netët e Fourvierës” (Les nuits de fourviere), në Lion të Francës, së bashku me “No Smoking Orchestra”, lider i së cilës është regjisori dhe muzikanti Emir Kusturica.

“Fanfara Tirana” dhe pianisti Robert Bisha
“Fanfara Tirana” dhe pianisti Robert Bisha

Pas një shembulli të jashtëzakonshëm që tifozët kuqezi do të jepnin gjatë ditëve të ndeshjeve të Kombëtares sonë në Kampionatin Europian të Futbollit, që po zhvillohet në Francë, muzikantëve shqiptarë do t’u duhet të japin një tjetër shembull qytetarie e paqeje.

Të ngjiten në një skenë si ajo e festivalit në fjalë, me një traditë 70-vjeçare, e hapur për artistët dhe kulturat nga e gjithë bota, me 60 shfaqje përgjatë dy muajve dhe 130 mijë spektatorë, është një ngjarje e rëndësishme për artistët shqiptarë, po aq e rëndësishme sa edhe tejkalimi i barrierave që shpeshherë politika vë mes popujve. Netët Ballkanike në Lion do të jenë një rast i tillë.

KOSTURICA DHE QËNDRIMI NDAJ KOSOVËS

Fitues i dy “Palmave të Arta” në Festivalin e Filmit në Kanë, një nga regjisorët më në zë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, Emir Kusturica nuk është i panjohur për shqiptarët, jo vetëm falë veprave të tij kinematografike, por edhe prej qëndrimit të tij politik. Kusturica është një nga mbështetësit e flaktë të fushatës “Kosova është Serbi” dhe është shprehur hapur kundër shkëputjes së Kosovës nga Serbia.

Regjisori dhe muzikanti Emir Kusturica me “No Smoking Orchestra”
Regjisori dhe muzikanti Emir Kusturica me “No Smoking Orchestra”

Tre vjet më parë, Kusturica nisi të realizojë një film mbi trafikun e organeve të ushtarëve serbë të kapur robër në Kosovë, gjatë konfliktit të armatosur me Serbinë, një akuzë kjo e hedhur nga ish-komisioneri zviceran, Dick Martin. Ky projekt filmik, që Kusturica pretendonte ta realizonte në Rusi, pasi ishte i bindur që shqiptarët nuk do të lejonin që ai të zhvillonte xhirime në Kosovë, do të ngjallte jo pak reagime. Madje do të kishte edhe kërkesa që Kusturica të shpallej “non grata” në Kosovë.

I lindur në një familje boshnjake myslimane, në Sarajevë, por që e ka konsideruar gjithnjë veten si serb, është i njohur jo vetëm si regjisor e aktor, por edhe muzikant. “No Smoking Orchestra” është krijuar në Sarajevë, në vitin 1986, nga Kusturica. Një grup hard-rock jugosllav, i vendosur në Sarajevë. Pas shpërthimit të luftës, grupi u nda në dy pjesë dhe njëra do të vendosej në Zagreb dhe tjetra në Beograd. Emir Kusturica u bë lider i kësaj të fundit në vitin 1998.

“FANFARA TIRANA”

Ndoshta më pak “peripetike” është historia e grupit “Fanfara Tirana”, e megjithatë edhe ai ka fabulën e vet dhe viteve të fundit, me një aktivitet shumë të ngjeshur me koncerte nëpër të gjithë Europën.

Në faqen zyrtare të festivalit shkruhet se historia e “Fanfara Tirana” është një histori pothuaj e pabesueshme, e ndërtuar nga një grup muzikantësh të rinj, pjesë e një formacioni ushtarak, që ftuan në mesin e tyre këngëtarin popullor Hysni Zela, “i mësuar më së shumti me orkestrën e kordave të zërit dhe këngët polifonike”. “Nën një përplasje brezash, ‘Fanfara Tirana’ krijon një muzikë të pashoqe në udhëkryqin e identiteteve muzikore ballkanase.

Asgjë nuk i ndal këta eksplorues tingujsh. Për albumin e tyre të dytë ata bashkëpunuan me grupin anglez ‘Transglobal Underground’, në mënyrë që të fusnin disa ritme elektronike në krijimtarinë e tyre. Tashmë po punojnë për vijimin e këtij projekti me pianistin Robert Bisha. Virtuozi i ri shqiptar do të jetë me ta në koncertin në Fourvière”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura