“Fatkeqësi që truri i Shqipërisë largohet”- Punësimi me detyrim i studentëve të Mjekësisë, Tabaku: Beteja për ndryshimin e sistemit të shëndetësisë duhet të fitohet

Oct 5, 2024 | 11:23
SHPËRNDAJE

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, është shprehur se studentët e Mjekësisë pavarësisht se fituan betejën në Kushtetuese, punësimi i detyruar për ta vazhdon.

tabaku

“Fatkeqësisht, Parlamenti nuk e riparoi, nuk e korrigjoi këtë ligj dhe puna e detyruar do të vazhdojë që të ekzistojë”, shprehet deputetja demokrate.

Tabaku thekson se studentët e mjeksisë e kanë të pamundur të specializohen me pagat dhe teknologjinë që ofron sistemi shëndetësor.

Ajo nënvizoi se studentët e mjekësisë përballen me vështirësi për të zhvilluar aftësitë e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve moderne dhe metodave të mësimit të përparuara.

Ajo vuri në dukje se çështja nuk është largimi i studentëve nga vendi, por krijimi i një sistemi të drejtë dhe të qëndrueshëm brenda Shqipërisë.

“Do të jem në mbrojtje të studentëve dhe të drejtës së tyre, kudo që janë dhe sido që të luftojnë. Është fatkeqësi që sot truri i Shqipërisë është i detyruar të largohet. Kjo betejë duhet të fitohet për të ndryshuar sistemin e kalbur të shëndetësisë, ” u shpreh Tabaku.

Postimi deputetes së PD: 

Studentët e mjekësisë fituan një betejë në GJK për të rrëzuar një ligj i cili thoshte ose paguani gjobën ose punoni aty ku dua unë dhe si dua unë, si në kohë të komunizmit. Fatkeqësisht, Parlamenti nuk e riparoi, nuk e korrigjoi këtë ligj dhe puna e detyruar do të vazhdojë që të ekzistojë.

Unë besoj që nuk ka sot familje e student mjekësie që mbasi ka investuar në një ndër profesionet më të vështira në fakt e që kërkon më shumë kohë e angazhim edhe sfilitëse nga pikëpamja e energjive, të thotë që nuk dua të punoj, por problemi është që sot në sistemin shëndetësor, studentët e kanë të pamundur që të specializohen, që të zhvillohen, me pajisjet që ka atje, me teknologjinë që ka atje, me pagat që ka sot mjekësia por nga ana tjetër dhe me metodat që sot ofrohen. Kështu që e shohin si alternativë largimin. Për mua nuk është kjo alternativa.

Alternativa për mua është që ta ndryshojmë e të ndërtojmë këtu një sistem të drejtë por që këtu nuk ekziston. Unë nuk besoj se ka ligj në botë që mund të detyrojë të rinjtë të lëvizin nga njëra anë dhe nga ana tjetër, të fitojnë eksperiencë që sot fatkeqësisht nuk e kanë në shtet. Unë do të jem në mbrojtje të studentëve dhe të drejtës së tyre, kudo që janë dhe sido që ato të luftojnë. Është fatkeqësi që sot shohim trurin e Shqipërisë të jetë i detyruar që të largohet. Këtë betejë duhet të fitojmë ne. Edhe për ta ndryshuar sistemin e kalbur të shëndetësisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura