Ndërsa të hënën projektbuxheti i vitit 2025 do të diskutohet në Kuvend, deputetja demokrate Jorida Tabaku, ka analizuar disa detaje dhe sipas saj, favorizon një pakicë të privilegjuar.
Përmes një video në rrjete sociale Tabaku shprehet se njësoj si 11 buxhetet e viteve të kaluara, edhe ky i 2025, përqendrohet në pak duar.
“Buxheti i vitit 2025 nuk është buxheti i 95% të shqiptarëve. Është një buxhet tjetër socialist, në shërbim të 5% të privilegjuarve, njësoj si 11 buxhetet e kaluara që kanë përqendruar ekonominë në pak duar”, tha ajo.
Deputetja ndër të tjera shprehet se buxheti nuk duhet të ketë përjashtime fiskale të pakuptimta.
“Duhet të vendosim rregulla për një taksim të drejtë mbi punën dhe bizneset, që mbështesin sipërmarrësit dhe idetë novatore, jo të subvencionojmë largimin e shqiptarëve. Së dyti, bujqësia duhet të subvencionohet dhe mbështetet me politika që nxisin prodhimin dhe zhvillimin e fshatit, jo të pengohet me taksa të padrejta. Së treti, buxheti duhet të shpërndahet në sektorë prioritarë si arsimi, që rinia të jetë e përgatitur për tregun e punës, dhe shëndetësia, që shqiptarët të mos përballen me raste tragjike për shkak të mungesës së sigurisë shëndetësore”, shprehet Tabaku.
Deklarata e plotë e Tabakut:
Nga viti 2013 e deri më sot janë miratuar 12 buxhete socialiste. Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve me ekonominë shqiptare dhe me financat e grupeve më të rëndësishme të shqiptarëve? Le ta nisim me pensionistët, duke vazhduar me rininë, shtresën e mesme, profesionistët e lirë dhe duke përfunduar me bujqësinë.
Sot kemi një model ekonomik të përqendruar në pak duar. Dyqind biznese përfitojnë thuajse të gjithë të ardhurat ekonomike të vendit. Ky model ekonomik favorizon vetëm 5% të shqiptarëve, të cilët përfitojnë ulje taksash, lehtësira dhe fonde nga buxheti i shtetit, ndërsa 95% e qytetarëve mbajnë mbi supe koston e rritjes së çmimeve, taksave të larta dhe shpërndarjes së padrejtë të buxhetit.
Le t’i analizojmë me radhë. Sipas INSTAT-it, çmimet janë rritur me 55%. Po pensionet? A janë rritur ato me të njëjtën përqindje? A janë sot pensionistët më mirë apo më keq? Ndërkohë që ata paguajnë çmime të ngjashme me ato të vendeve të Bashkimit Europian, marrin pensionet më të ulëta në rajon dhe sigurisht shumë më të ulëta se në BE. Fuqia blerëse e pensionistëve shqiptarë është vetëm 40%. Në të vërtetë, shqiptarët shpenzojnë 40% të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime.
Gjatë këtyre viteve, 180 herë janë ndryshuar politikat fiskale, por a ka pasur ndonjë ndryshim fiskal në favor të shtresës së mesme? Përkundrazi, janë miratuar ligje që kanë dëmtuar drejtpërdrejt këtë shtresë. A kemi parë ndonjë politikë fiskale që mbështet rininë dhe ndalon largimin e saj? Rinija, që përbën 40% të forcës aktive të punës, është larguar nga vendi. Po për bujqësinë? Apo për shtresat në nevojë? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: Jo!
Ne mund të kemi mendime të ndryshme politike apo ideologjike. Disa janë të djathtë, disa të majtë, të tjerë pa përkatësi të qartë partiake, por ekonomia na prek të gjithëve njësoj. Kostoja ekonomike rëndon në xhepat e të gjithëve.
Shqipëria përballet sot me disa emergjenca për të cilat buxheti i shtetit nuk ofron zgjidhje. Kemi një mungesë të theksuar në fuqinë punëtore dhe probleme me shpërndarjen e rritjes ekonomike në të gjithë sektorët. Shqipëria ka potencial të madh të pashfrytëzuar, veçanërisht në bujqësi, ku 450 mijë shqiptarë jetojnë në fshat, por vetëm 75 mijë prej tyre janë të siguruar dhe të punësuar zyrtarisht. Kush është përgjegjës për këtë situatë? Kush mban përgjegjësinë për rininë që po largohet, për pensionistët që jetojnë në kushte të vështira, për shtresën e mesme që është e mbitaksuar?
Fajtor për këtë situatë është buxheti socialist, i cili nuk ofron asgjë për shqiptarët. Ky është një model ekonomik që i ka përqendruar të ardhurat në pak duar, që sektorët strategjikë si bujqësia dhe industria i ka lënë në rënie, dhe që pengon zhvillimin. Është një model që nuk i përgjigjet kërkesave të tregut, por synon të pasurojë një grup të vogël njerëzish.
Së pari, buxheti nuk duhet të ketë përjashtime fiskale të pakuptimta. Duhet të vendosim rregulla për një taksim të drejtë mbi punën dhe bizneset, që mbështesin sipërmarrësit dhe idetë novatore, jo të subvencionojmë largimin e shqiptarëve. Së dyti, bujqësia duhet të subvencionohet dhe mbështetet me politika që nxisin prodhimin dhe zhvillimin e fshatit, jo të pengohet me taksa të padrejta. Së treti, buxheti duhet të shpërndahet në sektorë prioritarë si arsimi, që rinia të jetë e përgatitur për tregun e punës, dhe shëndetësia, që shqiptarët të mos përballen me raste tragjike për shkak të mungesës së sigurisë shëndetësore.
Buxheti i vitit 2025 nuk është buxheti i 95% të shqiptarëve. Është një buxhet tjetër socialist, në shërbim të 5% të privilegjuarve, njësoj si 11 buxhetet e kaluara që kanë përqendruar ekonominë në pak duar. Ky model duhet të ndryshojë. Shqipëria ka nevojë për një model të ri ekonomik që ofron mundësi të barabarta dhe mbështet të gjithë qytetarët, jo vetëm një pakicë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al