Fejzo: Si u xhirua filmi “Binarët” dhe letra ime për Ramiz Alinë

Nov 3, 2015 | 19:58
SHPËRNDAJE

Pas vdekjes së diktatorit, të gjithë shpresonin në një erë liberalizimi. Vetë pasardhësi, Ramiz Alia, kishte folur për lirinë krijuese, duke i shtyrë krijuesit drejt problemeve të kohës.
binaretGjithë sa kishte thënë Alia në prill të 1986-s, i vinin për mbarë regjisorit Muharrem Fejzo, i cili po përgatiste filmin “Binarët”. Skenari për “heroizmin” e klasës punë- tore, sakrificat e makinistëve të hekurudhave, ishte shkruar bashkë me Enver Kushin dhe u qëndronte kërkesave të Alisë.

Por nuk do të ishte aq e thjeshtë. Do të kalonin muaj të tërë shkrimesh, rishkrimesh, vërejtjesh, kthimesh… deri në një skenar përfundimtar, që do t’u paraprinte xhirimeve Î me disa prej aktorëve më të mirë të kohës: Lako, Flloko, Arbana e Bulku. Kineasti Muharrem Fejzo në librin e tij me kujtime, “Të pathënat”, botimet “Barleti”, tregon peripecitë në të cilat ka kaluar ky film, që nga vështirësitë në sheshxhirim, të ftohtët, dietat e munguara, te shfaqja para kolegëve dhe këshillave artistikë.

Shfaqja e parë rezultoi e suksesshme, por problemet do të vinin paskëtaj. Mbështetur në ditarët dhe shënimet që ka mbajtur asokohe, regjisori na sjell kronologjikisht ngjarjet e atyre viteve, kur pritshmëria për liri ishte po aq e madhe, sa edhe zhgënjimi që pasoi.

Mesi i tetorit të vitit 1985 do të më ngarkonte me recensa dhe lexime të tjera skenarësh. Ndër ta edhe atë të Bujar Kapexhiut me “Dy herë mat”. Por ajo që më hëngri shumë kohë dhe mund, ishte propozimi i Angjelina Xharës për ekranizimin e romanit “Juga e bardhë” e Jakov Xoxës. Punova shumë mbi atë roman dhe nuk e mbaj mend si përfundonin në kosh gjithë ato propozime e recensa. Kështu përfunduan dhe “Një lindje e vështirë” e Helena Kadaresë, “Bardhësi” e të tjera.

21 nëntor. Gjithë ajo maratonë leximesh përfundon. Shkrimtari i ri Enver Kushi, i ardhur në Kinostudio si redaktor dhe skenarist, më dha një ide të bukur për jetën dhe sakrificën e mekanistëve të hekurudhës. Nga tregimet e tij, ndjeva se mund të dilte një film interesant dhe me vlera për klasën punëtore, temë e joshur shumë nga Partia. Enveri ishte komunist dhe kjo më bënte me krahë që nuk do të bija në gabime ideologjike. Më propozoi bashkëpunim në shkrimin e skenarit “Binarët”. Pranova me qejf. Njëherazi ndërmenda se edhe jeta ime po ecte mbi dy shina: ajo e arteve figurative, skulptura dhe filmi. Në këto binarë kishte ecur dhe do të ecte treni i jetës sime paskëtaj. Ditari i zi do të përfundonte me këto shënime, por dhjetori ishte i ngarkuar me datat e zborit ushtarak, me udhëtimet e pandërprera nëpër qytetet ku ishin shpërndarë makinistët veteranë me historitë e tyre, me seminaret “Luftë kundër mesatares” ai dhe një shkresë ku shënohej kërkesa ime për një numër telefonik drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Post-Telekomunikacionit, kërkesë që nuk u realizua kurrë…

3 janar 1986. Bashkë me Enver Kushin, pasi kemi rrugëtuar në gjithë visoret ku kalonte treni dhe stacionet e tij dhe kemi takuar dhe biseduar gjatë me ata që lidhnin popullin e Republikës me hekurudhat, u shtruam të shkruajmë skenarin letrar. Ishte e pamundur të punoja. Një spondeliatrozë e marrë nga udhëtimet në të ftohtë e ngrica më detyruan të qëndroj në shtrat për disa ditë. Pa e marrë mirë veten, isha i detyruar të lë shtratin për të kryer shërbimin e zborit ushtarak në fshatrat e largëta të Tiranës. Duhej të flinim nëpër çadra, jashtë në të ftohtë e shira të vazhdueshëm. Futeshim në qese plastmasi dhe linim jashtë vetëm kokën. Sa këndshëm ishin ditët e rralla me diell. Uji i burimeve poshtë lajthive, cicërimat e zogjve dhe agu, brerorja e artë mbrapa Dajtit, ajri i pastër dhe humori i pandarë i kasapëve të Tiranës shoqëruar me ndonjë gllënjkë raki, i bënin ditët e atyre sfilitjeve, harruese. Sapo u ulëm të punonim me skenarin, kur thirrën në zbor Enverin. E po kjo? Dhe zboret ishin 15-ditëshe, jo pak.

27 mars. I dorëzohet skenari letrar kryeredaktorit Abdurahim Myftiu. Pas një bashkëbisedimi, skenari na kthehet mbrapsht për t’u riparuar sipas vërejtjeve të redaksisë dhe këshillit artistik.

21 korrik. Skenari i ripunuar i jepet prapë për recensë Roland Gjozës dhe Kujtim Çashkut. Shtatë muaj… shtatë muaj shkrim e rishkrim, komision pas komisioni. Të vinte shpirti një majë të hundës. Ku ta gjeja durimin, gjakftohtësinë, të mohoja veten dhe të pranoja vërejtje të atilla që e virin mendimin, fantazinë, gjetjet, ngjarjet e papërsëritshme të atyre njerëzve të hekurudhës, padrejtësitë që u ishin bërë duke i pushuar nga puna për një fjalë goje, për një mendim, për një ankesë kundër partiakëve e kështu me radhë. Kisha një fletore shumëfletëshe ngarkuar me kujtimet dhe bëmat në hekurudhë. Ato duhet të harroheshin! Të shtrëngohesha në darën e dhunës së mendimit të lirë krijues. Të qasesha me remtësitë që kërkonte koha, të cilat shfaqeshin të mjegullta, gërryese në çdo qelizë të jetës. Një zezonë e pashmangshme ishte ajo e censurës: – e kontrollit dhe e vetëkontrollit. Në lavjerrësin e lidershipit lëkundej fobia; dyshimi se gjithsecili mund të ishte spiun ose i spiunuar. Ishim të gjithë së bashku në vetmi. Po gjithçka mbetet si e paqenë kur mendja është vatërzuar në ankthin krijues dhe mëton për të shpënë në limer varkën e shqetësimeve të tua, filmin. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, para Kongresit të 9-të të PPSHsë, në tryezat e epërme, se kujt i shkrepi në kokë që hidhërimit që kishte pllakosur popullin i duhej pak “enthuziazëm”. Pra: liri, guxim në kapjen e temave të reja, trajtim bashkëkohor, pasqyrim i denjë i klasës punëtore dhe i heroit “popull”. Ishte koha rremashe e një hovizmi të politizuar. Kurajë për të thënë të vërtetën, sado e hidhur mund të jetë ajo e të tjera e të tjera si këto. Por qasjen më të afërt për ngjarjet e skenarit e gjenim sidomos në fjalën e Ramiz Alisë në Plenumin e prillit 1986: “Elementë parazitë e të degjeneruar, në mos qofshin vetë armiq të klasës, duke dëmtuar ekonominë dhe frenuar zhvillimin e saj, bëjnë punën dhe i shërbejnë armikut të klasës. Këta, bashkë me vjedhësit e me ata që marrin ryshfete, duhet të gjenden nën presionin e fortë e të shëndoshë dhe të militantizmit komunist. Qëndrimi ndaj pronës tregon nivelin e çdo qytetari. Militantizëm në çdo sferë të jetës. Luftë liberalizimit, burokratizmit, mbeturinave që po ngjallen. Dhe së fundmi: Vepra duhet të jetë e argumentuar, emocionale e plot fantazi, informacion, argument, logjikë dhe forcë krijuese”. Këto e shumëçka tjetër ne i përtypëm me kënaqësi dhe e gjenim veten brenda atyre kërkesave në trajtimin e skenarit që kishim shkruar. Brenda nesh ndjenim më në fund, qoftë dhe dromca, aromën e lirisë së krijimit të munguar. Por, jo! Dikush (Foto Çami, kryepartiak) kishte shtrembëruar buzët dhe vërejtjet hapnin hulli të reja. Qilizma duhej bërë si herët. Dhjetëditëshi i parë i shtatorit na shkoi për të korrigjuar vërejtjet e shefit të ri, Teodor Laço, i kthyer nga Fieri (njohje me realitetin) dhe Kristaq Dhamo, emëruar në postin e nëndrejtorit.

11 shtator. Skenari iu dha drejtorit Gjika dhe Dhamos e Laços. Vërejtjet e tyre na gëlltitën edhe tri javë të tjera. Tetori na mblodhi prapë në këshillin artistik për të lexuar recensuat e Milkanit dhe Pandeli Çaçit, konsulentit nga Ministria e Komunikacionit për filmin. Ndërsa në sheshin e xhirimit do të kishim inxhinierin e hekurudhës, Pandi Kamenica. Ndërkohë duhej të shkruaja platformën regjisoriale. Njëzet faqe, të cilat duhej të merrnin miratimin e drejtorit. M’u desh të shfletoja Enver Hoxhën, Ramiz Alinë, plenumet dhe Kongresin e 9-të për të marrë të gjitha të dhënat (skemën) që do të shërbente për skenarin e përfundimtar. Filmi i kaluar, “Pranverë e hidhur”, më kishte lënë një ndjesi të humneruar. Ecja me frikën e vazhdueshme se diku do të rrëzohesha përsëri dhe do të thyeja kyçin e këmbës, duke rënë në ndonjë pusetë të hapur. Në mes të erës, më mungonte ajri, në mes të ditës, më mungonte drita. Isha i burgosur në lëkurën time. Ishin ato ditë që prisja edhe një përgjigje të Ramiz Alisë për një letër që i kisha dërguar, ku i ankohesha për diskriminimin ndaj vlerësimit të krijimtarisë sime, të cilën ai e kishte vlerësuar, por që e mohonin punëdhënësit e mi apo dikush tjetër që nuk arrija t’i emërtoja.

Ditë më pas, më njoftuan se do të bëhej një takim me drejtorin dhe Hajro Zenelin, zëdhënësin e Ramiz Alisë për letrën dhe shqetësimet e mia. Drejtori ishte i zbardhur në fytyrë. Ndjeja brenda meje zjarrin e dëshpërimit. Nën terrorin e emocioneve të çastit dhe me duart që më dridheshin, shpërfaqa gjithë vargorin e padrejtësive që më ishin bërë, duke filluar që nga mohimi i shtëpisë, telefonit, mohimi i vlerësimeve për “Artist i Merituar” dhe “Çmimin e Republikës”, pengesat që më nxirrnin në përzgjedhjen e skenarëve dhe përfundova: se rrënja dhe baza e të gjitha të drejtave ndodhet te dinjiteti i paprekshëm njerëzor. Kur mbarova së foluri, goja më ishte tharë. Kërkova shpëtim te gota e ujit. Ajo mungonte. I deleguari i KQ më dëgjoi me vëmendje dhe u pa qartë se drejtori duhej të jepte shpjegime. Por fjalët e para të drejtorit i ndërpreu zilja e telefonit: -Po. Shoqja Nexhmije. Po ju dëgjoj. Si urdhëron -dhe me një buzëqeshje të shtirur miqësore vështroi nga ne. Doli nga tryeza e tij, duke thënë:

-Do të më falni, por shoqja Nexhmije po më pret. Do ta lëmë për një herë tjetër.

Kur po dilnim, pashë derën e sekretares mbas së cilës përgjonte autorja e telefonatës (Nexhmija!). Një kurdisje e shëmtuar pa dëshmitar. Papritur më dhanë lejen e zakonshme. E kisha më se të nevojshme… Pas shumë përpjekjesh me teatrot, ministrinë dhe drejtorinë tonë, përcaktuam aktorët që do të vishnin petkun e njerëzve të hekurudhës. Lista e aktorëve ishte e gjatë dhe nga të gjitha teatrot e rretheve. Përpjekjet ishin të kota. Së fundmi, nuk ishte e lehtë të bindje Bujar Lakon e Timo Fllokon. Miqësia që kishin njëri me tjetrin, ishte një pikëtakim i favorshëm aktoresk për marrëdhëniet e roleve të dy vëllezërve të vejushit Ali, makinistit të regjur me udhët e hekurta, rol të cilin ia besova për psikofizikun e tij aktorit të mirënjohur Reshat Arbana. Në kastin e përzgjedhur do të ishin dhe i suksesshmi Mirush Kabashi e nurshmja skenike Raimonda Bulku, Gëzim Kame, Vangjel Toçe, Merita Çoçoli, Sokol Angjeli, Justina Aliaj, e të tjerë.

20 shkurt. Nisja e grupit për në Durrës në pritje të dëborës në Voskopojë. Kemi pritur afro 25 ditë për pajisjen e aktorëve me veshjet.

21.-Verifikimi i ambienteve që do të xhirohen. Grupi përgatitor ka punuar dobët. Në darkë puna në tryezë me Timo Fllokon dhe Gëzim Kamen.

Data 23: –Çak!-Dispeçeria qendrore. Plani 14/1-Motor: -Ka motor. Qetë- si!… Sa mall…

...7 prill 1987- Në Pogradec. Gjendja është shumë shqetësuese. I ftohti të mpin veshët. Grupi është pa dieta. Janë shkundur nga lekët dhe po i marrin hua njëri-tjetrit. Teodori ka mbetur në Durrës. Autobusi i prishur dhe pa naftë. Tallonat i mbante Teodori. Skënder Baze, nëndrejtori, ishte pa tagër për firmë në bankë dhe me drejtorin nuk para merrej vesh. Mirush Kabashi ende nuk kishte ardhur. Timo Flloko, sipas marrëveshjes me ministrinë, duhej të largohej brenda datës 15 prill. Organizimi, oh! Trenat sipas grafikut ishin në shërbimin tonë. Miliona lekë të humbura nëse nuk u përgjigjeshim me xhirimet tona. Deri atë çast, nga drejtori qendrore nuk kishte bërë sy njeri. Paçin faqen e zezë! Isha tepër i mërzitur. Nuk dija me kë të ndaja shqetësimet që sa vinin e shtoheshin. Një përgjegjësi morale më gërryente ndërgjegjen në marrëdhënie me njerëzit e linjës Pogradec-Durrës. Si të mos mjaftonin këto, dhimbjet e belit më kishin kërrusur dhe ecja si Quasimodo…

23 tetor 1987. Ditari i Bardhë Është një bllok i zakonshëm shënimesh. Në syprinën e tij janë shënuar me flomaster të kuq: Filmi “Binarët”. Diskutimi në Këshillin Artistik.-Kolektivi.- Komiteti i Arteve.- Komiteti i Arteve dhe Komiteti Qendror i Partisë. … Salla e madhe e shfaqjeve gëlltiste vazhdimisht shikues të njohur e të panjohur. Mbasi zunë vend kolektivi dhe anëtarët e këshillit artistik, drejtori ngriti dorën. Xhevati, operatori i zërit, pa nga unë. Nuk isha aty. Buzagaz si gjithmonë, i njihte mirë emocionet e mia. Shkeli butonin. Nga kuadrati i kabinës u lëshua ngjyra blu e karboneve dhe u ndje zhurma e këndshme e gërmërit të perforacioneve të celuloidit. Në sallë ra heshtja. Dy aktet e para ishin premtuese. Gjatë ndërrimit të bobinës prej dy aktesh, nga errësira bubërruan dromca fjalësh, të qeshurash dhe ngacmimesh në adresën time. Shenjë e mirë. Mora frymë me të dy mushkëritë.

Alkani ishte më i emocionuar se unë në pjesët ku luan vetë, e sidomos në episodin e Tidit me Lolën, ku shoqërojnë këngën e Mondës, me atë melodi rrëqethëse të kompozitorit Maksim Shehu, kushtuar “Makinistëve”. Filmi vazhdoi rrugëtimin e gjatë prej 90 minutash dhe hallku po e priste më së miri lojën bindëse të Bujarit, Timos dhe Reshatit. Të qeshura u ndien në mjedisin e sallës me lojën e bukur të Mirushit me drejtorin Kame. Buzagazi nuk u shter te shikuesit e shumtë deri në fund të filmit.

Duartrokitjet e nxehta i vunë firmën suksesit të filmit. Mbas një pushimi, koha për të kthyer ndonjë gotë apo gjerbur kafe te klubi nën pisha dhe salla u rimbush. Këtë radhë edhe më shumë. Fjala kishte marrë dhenë. I pari që e mori fjalën ishte Rikard Ljarja. Përmes një emocioni që ndihej në zërin e tij prej basi, ai shprehu bindjen e tij se filmi ishte shumë i mirë dhe i dobishëm për të gjitha moshat, se trajtonte me vërtetësi të gjitha hallet dhe problemet që haseshin në shoqërinë tonë, në punë e në familje. Kishte mendimin që episodi me pianon (për të muzika ishte gjëja më e dashur) të lidhte gjithë vijueshmërinë e filmit. Ishte për një shkurtim tek akujt, dëbora, rrotat e kamionit të Timos me ato të trenit gjatë avarisë e të tjera. Përfundoi me fjalët që: “Filmi i hyn në shpirt njeriut”.

MUHARREM FEJZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura