Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja” çeli edhe këtë vit siparin e tij në kryeqytet, në edicionin e 20-të, në datat 27-28-29 mars, duke bashkuar zërat e rinj operistikë nga e gjithë bota, në festivalin më të madh shqiptar, kushtuar muzikës klasike.
Në prag të natës finale të këtij konkurrimi, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti anëtarët e jurisë së festivalit, personalitete të rëndësishme të Operas Botërore, dhe e cilësoi festivalin si një traditë që tashmë është kthyer në trashëgimi të qytetit.
“Është një traditë shumë e bukur e qytetit tonë, një traditë që spikat talente nga e gjithë bota, që është kthyer në një trashëgimi të qytetit. Më vjen mirë që teksa qyteti përgatitet të jetë “Qyteti Mesdhetar i Kulturës” vitin që vjen, ne kemi këtë edicion të “Marie Krajës”, tha Veliaj.
Ai falënderoi anëtarët e jurisë dhe vlerësoi faktin që institucione të njohura e prestigjioze u bënë pjesë e traditës së këtij festivali, për t’u siguruar që kryeqyteti ynë të jetë gjithmonë e më shumë një epiqendër e artit dhe kulturës.
“Doja të kishim një moment për t’ju falenderuar dhe për të vlerësuar jashtë mase që, pasionit të Zanës (Çela), i jeni bashkuar edhe ju me shumë përulësi, duke qenë se drejtoni disa nga operat më të rëndësishme të Europës, “Arena di Verona”, “Opera e Berlinit”, skuadrat që vijnë nga disa nga setet më tradicionale të Europës dhe më të njohurat. Për mua është vërtet një moment prekës dhe vlerësoj jashtë mase faktin që keni marrë kohë nga ditët tuaja shumë të ngarkuara dhe nga institucionet tuaja prestigjioze, për të qenë pjesë e kësaj tradite të bukur të “Marie Krajës”, edhe për t’u siguruar që Tirana jonë e vogël dhe modeste, gjithmonë e më shumë të jetë një epiqendër e artit dhe kulturës”, tha Veliaj.
Në shenjë mirënjohje, kreu i Bashkisë së Tiranës u dhuroi anëtarëve të jurisë “Kullën e Sahatit”, si një simbolikë të kohës së Tiranës që funksionon dhe që mëson nga më të mirët. Për kryebashkiakun, qytetet duhet të promovojnë artin dhe kulturën e tyre, si një mënyrë për të prodhuar ekonomi, njohje dhe reputacion.
Nga ana e saj Cecilia Gasdia, Drejtore e Përgjithshme dhe Drejtore Artistike e “Arena di Verona Foundation”, kryetare e jurisë e konsideroi si një nder pjesëmarrjen dhe rikthimin si pjesë e jurisë së festivalit “Marie Kraja”, duke theksuar mundësinë e bashkëpunimit me institucionet kulturore të kryeqytetit. “Ne jemi shumë të lumtur, jemi këtu me të gjithë jurinë e konkursit “Marie Kraja”. Është një nder i jashtëzakonshëm, sidomos për mua që të rikthehem pas shumë vitesh dhe shpresoj që “Arena di Verona” dhe këto teatro të mrekullueshëm gjermanë, të kenë mundësinë të bashkëpunojnë me teatrin e Tiranës, ndaj shpresojmë shumë. Faleminderit!”, u shpreh kryetarja e jurisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al